IKU ME ËNDRRËN E PA REALIZUAR PËR KTHIM NË VENDLINDJE

05 gusht 2019 | 15:34

Fjalë rasti në ceremoninë e varrimit të mërgimtarit Abaz Berisha

Zeqir Bekolli

Dje, i thamë lamtumirën e fundit, vëllait, prindit, bashkatdhetarit dhe birit tonë të shtrenjtë, njërit prej mërgimtarëve të viteve të nëntëdhjeta, Abaz Berishës, i cili në moshën 62-vjeçare ndërroi jetë në Gjermani, pas një sëmundje të rëndë. Vdekja e tij e hershme na preku thellë. Ai u nda prej nesh, me ëndrrën e parealizuar për kthim në vendlindje, ëndërr me të cilën sot bashkëjetojnë mërgimtarët tanë anë e kënd globit.
Abazi, i përket familjes Berisha, të njohur për atdhetari në Drenicë. Babai, Beqiri, ishte pjesëmarrës i luftës së Drenicës, që e udhëhoqi komandanti, Shaban Palluzha, dhe luftëtar i ardhave ushtarake të Shqipërisë. Si personalitet që ishte, në familjen e tij, ai, kultivoi frymën atdhetare nga e cila u frymëzuan mbarë familja. I njohur për guximin dhe qëndrimin e tij, Baca Beqir, në periudhën pas viteve ’60-ta, kur në Kosovë, që përhapur ideja për Kosovën Republikë, në një mbledhje të fshatit Vasilevë, para pjesëmarrësve kërkoi haptas formimin e Republikës së Kosovës. Ky fakt dëshmon se familja Berisha, që herët ishte e përcaktuar për rrugën e çlirimit të Kosovës. Këtë rrugë të trashëguar nga babai i tyre e ndoqën edhe bijtë të tij.
Abazi, pas përfundimit të shkollës së mesme, një periudhë të gjatë kohore kishte punuar në organizatën punuese “Drenica”, në Drenas, ku ishte treguar si punëtor i zellshëm dhe i respektuar në mesin e kolektivit.
Kur lufta shpërtheu në Kosovë, vëllezërit e Abazit, Ajvazi, dhe Qaushi, pa hezituar u bënë pjesë përbërëse e luftës. Edhe Abazi, ishte tejet këmbëngulës, që t’ju bashkohej atyre në luftë, por atë e kishte sugjeruar i vëllai, Ajvazi, të qëndronte në Gjermani dhe prej atje të ndihmonte luftën por edhe familjen. Mbi këtë sugjerim, Abazi, në mërgim zhvilloi një aktivitet të ngjeshur në mbështetje të luftës dhe rrjedhave të saj. Ai, pos mjeteve vetanake, që i dha për luftën, ishte ndër koordinatorët më të suksesshëm të mbledhjes së mjeteve për fondin “Vendlindja thërret”. Këtë punë e bënte me një dëshirë dhe vullnet të madh. Falë, angazhimit dhe autoritetit, që kishte në mesin e mërgimtarëve, Abazi arriti të sigurojë mjete për luftën dhe nevojat e popullsisë në Kosovë e cila aso kohe gjendej para rrezikut për shfarosje kolektive. Kontributi i tij, pos që ishte i çmuar, ai, vlerësohej shumë në mesin e mërgimtarëve të cilët e donin, e respektonin dhe në këtë drejtim edhe e përkrahnin tej mase.
Ne u ndamë, nga Abazi ynë i dashur. Por, shëmbëlltyra dhe kontributi i tij, na bën krenar, që e patëm këtë vëlla, prind, bashkëkombës dhe mik të tillë. Duke i kujtuar veprat e tij të mira në shërbim të atdheut, do ta kemi më lehtë ta përballojmë edhe dhembjen, që këto ditë na rëndon me rastin e largimit të tij të hershëm nga mesi ynë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës të cilën e deshi aq shumë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina dhe Argjend Mustafa me marrëveshje kanë shkëputur kontratën…