Ilazi: Fitorja e PDK-së në Kaçanik është e padiskutueshme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, beson se fitorja e tij në balotazh do të jetë më bindëse se ajo në raundin e parë.
Ai ka thënë se këtë synim do ta arrijë pa ndonjë koalicion paraprak. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ilazi ka deklaruar se në mandatin e ri do të fokusohet në fuqizimin e zhvillimit ekonomik lokal për ta zbutur papunësinë. “Nuk do të mund të them se me çfarë përqindje do të jetë fitorja ime, por jam i bindur se PDK-ja do të dalë shumë më bindëse në fitoren e saj sesa në raundin e parë karshi kundërkandidatit tjetër. Pra, fitorja e PDK-së të dielën në Komunën e Kaçanikut është e padiskutueshme”, ka thënë Ilazi.
Ai ka treguar edhe arsyet pse nuk do të bëjë ndonjë koalicion me subjektet e tjera për balotazh. Sipas Ilazit, elektorati i subjekteve të tjera që nuk do të garojnë në raundin e dytë nuk është shumë entuziast për të dalë në zgjedhje. “Ne do ta kërkojmë votën e qytetarëve pa ndonjë koalicion, sepse mendojmë se sovrani duhet të vendosë lirshëm se për kë duhet të votojë. Besoj shumë se, pavarësisht prej apeleve të partive politike që nuk janë në garë, elektorati do të dijë të vendosë drejt. Ne kemi menduar se vetëm pas rezultatit të balotazhit mund të ulemi dhe të diskutojmë me partitë opozitare se cili do të jetë ekzekutivi i ardhshëm në Komunën e Kaçanikut”, është shprehur Ilazi.
Ai ka bërë me dije se gjatë këtyre ditëve të fushatës nuk do të ndryshojë diçka në strategjinë e tij. Ilazi ka theksuar se vetëm do ta vazhdojë trendin e fushatës së raundit të parë. “Në platformën tonë qeverisëse i kemi përcaktuar objektivat tona mjaft mirë. Orientimet tona do të jenë pikërisht tek fuqizimi i ekonomisë lokale, në mënyrë që sadopak ta zbusim papunësinë në komunën tonë. Pastaj objektiv do ta kemi kabinetin, trajtimin e ujërave të zeza, ku tashmë e kemi një plan të përfunduar për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, prioritete tonat do të jenë arsimi, shëndetësia, kultura, rinia, sporti dhe administrata. Këto janë prioritetet tona për mandatin e ardhshëm qeverisës. Ajo që po bëjmë në këtë mandat dhe që do të jetë prioritet edhe për mandatin e ardhshëm, është përfundimi i infrastrukturës”, ka thënë Ilazi.
“Epoka e re”: Z. Ilazi, të hënën ka nisur fushata zgjedhore për garën e balotazhit. Do të ndërroni diçka në strategjinë tuaj për ta kërkuar besimin e qytetarëve?
Ilazi: Do ta vazhdojmë trendin e mëhershëm të strategjisë tonë, sepse jemi parti në pushtet dhe bindshëm kemi dalë fitues në raundin e parë. Do të vazhdojmë t’i prezantojmë punët që kemi bërë deri më tani si dhe projektet e reja që parashihen me platformën tonë, të cilat do të jenë prioritetet tona në qeverisjen e ardhshme katërvjeçare. Jemi të bindur se do ta vazhdojmë qeverisjen edhe për një mandat në Komunën e Kaçanikut.
“Epoka e re”: Sa është sfiduese ta kërkosh besimin e qytetarëve që i ke qeverisur për disa mandate?
Ilazi: Unë po flas për mandatin tim për pesë vjet. Besoj se edhe qytetarët e Kaçanikut e kanë parë punën time, sidomos në tre vjetët e fundit ku investimet kanë qenë në një trend tjetër në komunën tonë. Në këtë mandat kemi pasur investime mjaft të mira në Kaçanik, por natyrisht se nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i përmbushur të gjitha kërkesat e qytetarëve. Megjithatë, duhet ta bëjmë një krahasim. Derisa për pesë vjet kam pasur rreth 6 milionë euro investime nga grantet qeveritare, ne kemi arritur që nga qeveria dhe donacionet e huaja të thithim rreth 20 milionë euro investime në Komunën e Kaçanikut, edhe pse nevojat për komunën tona kanë qenë edhe më të mëdha. Shpresojmë se këtë trend të investimeve do ta vazhdojmë edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Epoka e re”: Në çfarë konkretisht do ta fokusoni fushatën tuaj gjatë këtyre ditëve?
Ilazi: Në platformën tonë qeverisëse i kemi përcaktuar objektivat tona mjaft mirë. Orientimet tona do të jenë pikërisht te fuqizimi i ekonomisë lokale, në mënyrë që sadopak ta zbusim papunësinë në komunën tonë. Pastaj objektiv tjetër do ta kemi kabinetin, trajtimin e ujërave të zeza, ku tashmë e kemi një plan të përfunduar për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, prioritete tona do të jenë arsimi, shëndetësia, kultura, rinia, sporti dhe administrata. Ajo që po bëjmë në këtë mandat dhe që do jetë prioritet edhe për mandatin e ardhshëm, është përfundimi i infrastrukturës, e cila është parakusht për qytetarët e Komunës së Kaçanikut.
“Epoka e re”: Keni diskutuar me ndonjë subjekt politik që mund t’ju mbështes më 19 nëntor?
Ilazi: Në fakt, ne kemi pasur bisedime edhe me partitë opozitare që nuk janë në garë këtë herë. Ndonëse kemi parë disponimin e tyre të mirë në këtë drejtim, nuk do të kemi ndonjë koalicion zyrtar. Negociatat për koalicion do t’i fillojmë më 20 nëntor, ku do të diskutojmë për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare.
“Epoka e re”: Do të thotë kjo se koalicionin nuk e konsideroni të rëndësishëm për balotazh?
Ilazi: Ne do ta kërkojmë votën e qytetarëve pa ndonjë koalicion, sepse mendojmë se sovrani duhet të vendosë lirshëm se për kë duhet të votojë. Besoj shumë se, pavarësisht prej apeleve të partive politike që nuk janë në garë, elektorati do të dijë të vendosë drejt. Ne kemi menduar se vetëm pas rezultatit të balotazhit mund të ulemi dhe të diskutojmë me partitë opozitare se cili do të jetë ekzekutivi i ardhshëm në Komunën e Kaçanikut.
“Epoka e re”: Me siguri se do ta kërkoni edhe votën e elektoratit të partive që nuk janë në garë?
Ilazi: Besoj se elektorati i partive që nuk janë në garë nuk do të jetë entuziast të dalë dhe të votoj për kandidatin e një partie tjetër, kështu që fare pak mund të kenë ndikim apelet e liderëve të caktuar politikë për të votuar një kandidat tjetër. Në raundin e parë unë me kundërkandidatin tim kam pasur një diferencë jashtëzakonisht të madhe. Kandidati i Vetëvendosjes ka pasur rreth 3 300 vota, kurse ne kemi 6 580 vota. Pra, kjo është një diferencë jashtëzakonisht e madhe por, sido që të jetë, prapë do ta kërkojmë mbështetjen te të gjithë qytetarët e kësaj komune, sidomos edhe te elektorati i subjekteve opozitare që nuk janë në garë.
“Epoka e re”: Po shprehni të sigurt se do të fitoni, mirëpo edhe kundërkandidati juaj nga Vetëvendosja ka deklaruar se mund ta përmbysë rezultatin të dielën.
Ilazi: Deklaratat e tilla i kuptoj sepse jemi në fushatë dhe çdokush mund të deklaroj çfarë të dëshirojë. Ne edhe gjatë kësaj kohe do të fokusohemi në punën tonë që kemi bërë deri më tani. Sukseset e qeverisjes sonë në këtë mandat do t’ua prezantojmë qytetarëve si dhe prioritetet tona që synojmë t’i realizojmë në mandatin tonë të ardhshëm.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaj më 19 nëntor?
Ilazi: Nuk mund të them se me çfarë përqindje do të jetë fitorja ime, por jam i bindur se PDK-ja kësaj radhe do të dalë shumë më bindëse në fitoren e saj sesa në raundin e parë karshi kundërkandidatit tim. Pra, fitorja e PDK-së të dielën në Komunë e Kaçanikut është e padiskutueshme.