Ilegali Milaim Zeka “Prej Drenice i ramë n’Suedi”
Jugosllavia u kërcënua me ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Suedisë për shkak të përndjekjeve dhe maltretimeve që i po i bënin shqiptarëve duke përdorë si shembull maltretimet kundër familjes së Milaim Zekës. Ndërkaq Beogradi për të arsyetuar këto veprime e kishte shpallë Milaim Zekën si “terrorist”, gjë që më vonë kolegët suedez e quanin dhe e përshëndetnin me këtë pseudonim: Hej Terroristen! (Tung terrorist)
Ende pa i mbushur 18 pranvera Milaim Zeka dënohet me burg për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e prillit 1981. Si gjimnazist Zeka ishte inkuadruar në organizatën marksiste-leniniste si quheshin atëherë dhe atë në organizatën e Hydajet Hysenit. Në organizatë futet me të vetmin ideal që shqiptarët të fitojnë lirinë dhe të drejtën për vetëvendosje, pa ditur mirë se kush ishte as Marksi, e as Lenini!…
Më vonë ai do të arrij të migrojë në Suedi, ose siç e tha me një rast kur u pyet se prej nga ishte, “Prej Drenice i ramë n ́Suedi”. Por rruga për me “ra” në Suedi do të mbetet një rrugëtim që ai s ́do ta horrojë për jetë. Arratisja nga ish Jugosllavia do të ndodhë në muajin shkurt 1982. S ́pari do të kalojë në Itali, e pastaj në Austri. Pa pasaportë, pa para. Nëpër mot të keq, terrene të vështira, këmbë, maleve. Për ndihmën që i kishin dhënë për arratisje të detyruar Milaimi s ́lë asnjëherë pa falënderuar kushëririn e tij Izet Zekën dhe Kadri Topallin, të cilët edhe disa tjerëve ua kanë shpëtuar jetën nga ndjekjet e UDB-ës. Nga Austria pastaj zhvendoset për një kohë në Paris prej nga më vonë ikë në Gjermani ku menjëherë bashkëpunon me veprimtarin e njohur Xhafer Shatri.
-Në Suedi kam ardhur në nëntor të vitit 1983 pas qëndrimit tim një vit në Austri, Francë dhe në Gjermani. Natën e parë në Stokholm e kam kaluar te një shqiptar i Turqisë, të cilin e quanim Baci Shyqë, një burrë tepër i mirë. Pas lajmërimit në policinë suedeze përkthyes e kam pas Faruk Berishën nga Peja, i cili më ka njoftuar me Sani Lipën, (familjarë i Dua Lipës)të dytë shqiptarë të mrekullueshëm. Por, për ardhjen time në Suedi i jam mirënjohës familjes Sherolli e cila edhe më ka nxitur që të vendosem këtu. Pas disa muajve kam marrë kontakte me Ann Marie Boström, gazetare e Televizionit të Suedisë, Mats Svensen
gjithashtu edhe ky gazetar i SVT, si edhe në princip me të gjithë gazetarët e medieve suedeze si p.sh. Disa Hostad (DN), Sune Ulofsson (SVD) etj. Me pas kam marrë kontakt me Lars Erik Morin, një njeri i jashtëzakonshëm,shumë i përkushtuar për çështjen shqiptare me të cilin kemi bërë përkthimin e parë të novelës së Adem Demaçit, “Burrëria”, që u botua në një revistë suedeze në 150 mijë ekzemplarë.
Përpos kësaj Milaim Zeka ka qenë në kontakte shumë të ngushta me Lidhjen e Shkrimtareve të Suedisë dhe Pen Klubin Suedez, të cilët vazhdimisht i ka furnizuar me materiale për Adem Demçin. Ata më pas kanë reaguar në forma të ndryshme si brenda edhe jashtë Suedisë. Në vitin 1987 bëhet anëtar i Komitetit Suedez të Helsinkit, ku ka qenë së bashku me personalitete të njohura suedeze si Gerald Nagler, i njohur shumë edhe jashtë Suedisë, shkrimtarja Astrid Lindgren, aktorja e njohur Bibi Andersson, e shumë diplomatë dhe personalitete të larta të jetës kulturore e politike të Suedisë.
Gjatë viteve 1985/86 Zeka zhvillon një bashkëpunim intensiv me Komitetin Ndërkombëtar të Juristëve dega në Suedi. Bashkëpunimi ishte motivuar në kohën e arrestimeve masive që po bëheshin në Kosovë dhe rezultoi në shkuarjen e juristit Stefan Jerde dhe kryetarit të atëhershëm të gjykatës së lartë të Suedisë, Frank Orton, në një gjykim politik në Pejë. Orton ishte vëzhguesi i parë ndërkombëtar në një gjyq politik në Kosovë, atëherë në vitin 1986, në gjyqin e zhvilluar në Pejë kundër Ramadan Shalës, Salih Kabashit, Rifat Birinxhikut, Destan Bujupit, etj.
Po ashtu ka zhvilluar një bashkëpunim shumë të afërt me Amensty International në Suedi dhe në Londer, me Znj. Mellony Andersson, e cila ka qene shefe e deskut për Jugosllavi. Në vitin 1987 përmes ministrit të punëve të jashtme të asaj kohe, Sten Andersson, në parlamentin e Suedisë është ngritur çështja e Kosovës dhe është diskutuar rasti i familjes së Milaim Zekës. Madje Jugosllavia u kërcënua me ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Suedisë për shkak të përndjekjeve dhe maltretimeve që i po i bënin shqiptarëve duke përdorë si shembull maltretimet kundër familjes së tij. Ndërkaq Beogradi për të arsyetuar këto veprime e kishte shpallë Milaim Zekën si “terrorist”, gjë që më vonë kolegët suedez e quanin dhe e përshëndetnin me këtë pseudonim: Hej Terroristen!(Tung terrorist)
Një faqe interesante është angazhimi i Milaim Zekës në Komitetin Suedez të Helsinkit ku si thamë më lart kishte emra të mëdhenj e të njohur jo vetëm në Suedi por edhe në botë. Pastaj Milaimi në këtë komitet mund të ketë qenë më i riu dhe mbulonte ish Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Ky lloj angazhimi bëri që autoritetet e atëhershme në Shqipëri t ́ia ndalojnë hyrjen deri më 1990 ose thënë pak më ndryshe deri në natën kur Ismail Kadare u largua nga Shqipëria dhe kërkoi azil në Francë. Gjatë asaj kohe Zeka ka bërë kryesisht kërkime, raporte dhe informacione për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe me angazhimin e avokatëve për mbrojtjen e të burgosurve politik në Kosovë. Janë dërguar vëzhgues për të parë nga afër gjendjen e shqiptarëve që të mos përdoreshin vetëm raportet zyrtare që vinin nga ish Jugosllavia. Milaimi merr pjesë aktive edhe në ndryshimin e opinionit suedez sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës.
Krahas këtij aktiviteti Milaim Zeka do të gjendet më vonë, më 1994 në grupin iniciues për themelimin e organizatës Reporterët pa kufij. Nëntë vite më parë në Francë ishte formuar kjo organizatë simotër ndërkaq sot ka afërsisht 10 organizata të këtilla në bote me afër 150 korrespondent. Heshtja e medieve në botë i nxjerr jashtë lojës jo vetëm lirinë e fjalës dhe të shprehurit por edhe demokracinë. Pa lirinë e të shprehurit dhe të shtypit si do të mund të zhvillohej lufta për të drejtat e femrave dhe përgjithësisht për të drejtat e njeriut? Si do të mund të informohesh që askush të mos dënohet sipas akuzave false? Si do të mund të zbuloheshin politikanët e korruptuar etj? Të gjitha këto çështje Zeka i kishte ndjerë nga afër qysh si i ri ndaj ishte ndër të parët në formimin e kësaj shoqate.
Në këtë shkrim nuk po fokusohemi shumë te programi shqip në Radio Suedia ku bashkë me autorin e këtij shkrimi nisën për herë të parë, 4 janar 1994, lajmet shqip nga ky medium i fuqishëm suedez. Krahas kësaj Zeka bënte edhe punën e gazetarit përkthyes te gazeta “Lajmëtari”, një edicion katërfaqësh me informacione bazë për Suedinë e që u kushtohej njerëzve të sapoardhur si ndihmesë për integrim në vendin mikpritës. Sigurisht që rëndësia e këtyre punëve ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme por po kaq e jashtëzakonshme dhe po kaq i rëndësishëm ishte edhe angazhimi i tij te kanalet qendrore të radios dhe televizionit të Suedisë si dhe në shtypin vendës. Janë më se qindra artikuj e qindra programe në radio dhe televizionin e Suedisë, ku si autor ose bashkëpunëtor Milaimi do të jetë i pranishëm. Shpeshherë edhe si debatues dhe analist në programet qendrore ku merrnin pjesë politikanët më përgjegjës të Suedisë, ose për problemet e mërgimtarëve shqiptarë dhe më shpesh për zhvillimin e situatës në Kosovë dhe Shqipëri
Në saje të Milaim Zekës gazetarë të ndryshëm suedez realizuan shumë programe dokumentare, një prej të cilëve qe nderuar edhe më çmimin më të lartë për gazetarë. Ai ishte bërë në njëfarë mënyre zëdhënës i kombit të vet. Shfrytëzonte çdo hapësirë megjithëse këto hapësira i gjurmonte dhe i krijonte me një lehtësi të paparë.
I mësuar dhe inspiruar nga kolegët suedez ëndërronte që një ditë kur të çlirohej Kosova të kthehej dhe të ndihmonte në krijimin e një klime për gazetari kritike e hulumtuese, të një ambienti me kurajo ku kolegu kolegut ia shfaq lirshëm dhe me sinqeritet mendimin dhe ku mikrofoni do të përdoret si duhet e nuk do të keqpërdoret si megafon i konferencave për shtyp!
Ai do të merr pjesë në seminare të ndryshme të organizuara nga autoritetet suedeze por edhe nga shoqata shqiptare ku do të ligjërojë mbi përvojat personale dhe të bashkatdhetarëve si dëshmi e përshkrimit të gjendjes në Kosovë. Aktivitet të bujshëm do të zhvillojë pas finalizimit të filmit për Adem Jasharin, një film i shkurtër por për kohën që u bë i një rëndësie shumë të madhe. Ndërkaq nga fillimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në Rambuje, Zeka,pothuajse tërësisht e shihte të ardhmen e tij në Kosovë. Do të shkojë në mesin e djemve dhe bijave në radhët e UÇK dhe me përfundimin e luftës ai më tërësisht i kthehet Kosovës por duke mbajtur një dashuri të veçantë për Suedinë dhe diasporën përgjithësisht.
Në kohën kur ai erdhi në Suedi komuniteti shqiptarë numerikisht ishte i vogël por edhe i shukatur.
Komuniteti shqiptar në Suedi, në at kohë jo vetëm që ka qenë pothuajse i vdekur, por ka qenë totalisht i pa organizuar. Një ndihmesë të madhe në organizimin e shqiptarëve kanë dhënë,Zija Bunjaku, Sani Lipa, Ali GAshi, Kamer Elezi, Isak Bunjaku, Xhemajl Duraku etj. Organizimet e para filluan me botimin e Zërit të Kosovës, në vitin 86-87, së bashku me Xhafer Durmishin, Sabri Novosellën dhe Shukri Demirin. Pastaj vazhduam me organizimin e protestave dhe demonstratave të ndryshme me një numër shumë të vogël të pjesëmarrësve deri në vitet e 90-ta kur filloi vala e emigracionit të refugjatëve nga Kosova në Suedi, rikujton Zeka.
Për mua mërgata shqiptare ka qenë tamam si mërgata e qyqeve tek libri i Nasho Jorgaqit, deri me ardhjen e një gjenerate te re të refugjatëve në vitet 90-të. Ne kemi qenë të luftuar në të dy anët, edhe nga ambasada dhe shteti jugosllav, edhe nga ambasada e Shqipërisë, dhe në një far mase edhe nga të arratisurit nga Shqipëria, të cilët neve, shqiptarët e Kosovës na konsideronin si enveristë, gjë për të cilën kishin shumë të drejtë. Mbas përfundimit të luftës, mërgatën shqiptare kanë vazhduar dhe po vazhdojnë ta përçajnë partitë politike të Kosovës duke harruar se kjo mërgatë ka vetëm një mision: ndërkombëtarizimin e vendit te vet, ruajtjen e gjuhës dhe investimet në Kosovë. Këtë të fundit, asnjë qeveri e Kosovës, nuk ka mundur të krijojë minimumin e kushteve që një mërgimtar të vijë dhe të zhvillojë biznes në vendin e vet. Sikur qeveritë e Kosovës të shfrytëzonin potencialin e mërgatës, Kosova me 11 mijë km katror, do të kishte pasur mundësi që të bëhej një Dubai i Ballkanit. Por mjerisht në Kosovë ekziston një racizëm absolut kundër mërgimtarëve, dhe ndaj atyre që kanë punuar apo kanë studiuar jashtë Kosove. Thjesht mërgimtarët qe 13 vite janë komplet të bllokuar dhe shfrytëzohen vetëm për paret që sjellin tek familjet e tyre, thotë me zemërim Milaim Zeka sa i përket trajtimit që shteti i Kosovës i bën mërgimtarëve të vet./shs/.
Portret i marr nga libri “Gjurmë Shqiptare në Suedi”