Ilir Bytyqi: Serbia po mbron kriminelët, ata janë në krye të institucioneve atje
Edhe Ilir Bytyqi ka mbajtur fjalim në Kongresin Amerikan, në emër të familjes së tij që humbi në luftë tre familjarë, Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin.
Ai ka thënë se pret nga ky kongres që të punojë në qartësimin e historisë, asaj që shteti i Serbisë ka bërë gjatë luftës në Kosovë.
“Kam pasur vëllezërit e mi, një familje e lidhur, një për një. Pra, një për të gjithë. Kur e pamë se çfarë po ndodhë në Kosovë tmerroheshim kur shihnim pamje që familjarët tanë po vriteshin dhe përziheshin. Pamë se shqiptarët në Nju Jork ishin mbledhur dhe donin të luftonin.
Vëllezërit e mi u vranë derisa po shkonin që të luftonin. Trupat e tyre u gjetën në Serbi me duar të lidhura dhe me vrima në kokë. U vranë vetëm pse ishin shqiptarë”, ka thënë Ilir Bytyqi.
Ai ka thënë se tash e 20 vjet janë duke kërkuar drejtësi për vrasjen e tre vëllezërve.
Sipas tij, kriminelët serbë janë pjesë e Qeverisë në Serbi.
“Aleksandër Vuçiq kishte thënë se dy njerëz janë përgjegjës për këtë krim. Kjo gjë dihet fort mirë pse ai sot e kësaj dite po mbron kriminelët e luftës. Ai kërcënon familjen time tash e pesë vjet. Ai ka bërë premtim para jush se do ta zgjidhë këtë çështje vit”, ka thënë ai.
Bytyqi në fjalimin e tij ka thënë se Serbi duhet të ndryshojë diskursin dhe të pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve.