Ilir Deda: Ditë e turpit për Kuvendin, ditë kolapsi për Qeverinë
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se mazhoranca është duke i maltretuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës sot.
“Është ditë e turpit për Kuvendin e Kosovës. Është një turp për këtë legjislaturë. Pozita u mundua të tregojë se ka një shumicë të cilën s’e ka dhe po na maltreton gjithë ditën. Sot është dashur të votohet rezoluta për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Këta [pozita] nuk janë në kohezion në mes vete”, ka thënë Deda.
“Kam dashur sot të hyjë brenda në seancë edhe të mbajë një fjalim në lidhje me gabimin në hapa që ka bërë shumica qeverisëse. Ne e kemi të qartë më shumë se çdo parti tjetër, e kundërshtojmë lojën me kufij që është projekt shumë i rrezikshëm. Mazhoranca ka bërë gabim në hapa dhe po duan ta marrin në qafë gjithë Kosovën. Sot është ditë kolapsi për Qeverinë”, ka shtuar ai.
Sa i përket pjesëmarrjes së deputetes së LDK-së, Teuta Rugova në nisje të seancës për të bërë kuorumin, Deda ka thënë: “Nuk e di pse është bërë aq lajm kjo pasi edhe vitin e kaluar kur donte të zgjidhej qeveria, Rugova kishte ardh këtu dhe pati bërë numrat 60-60. Ajo që kemi parë sot është se opozita disponon vetëm 57 deputetë”.