Ilir Deda thotë se po shqyrton mundësinë të largohet nga politika
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se është duke e shqyrtuar mundësinë që të largohet nga politika.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nuk po dorëzohet, por se po largohet në shenjë proteste pasi sipas tij ambienti politik ka degraduar në Kosovë.
Postimi i plotë i saj:
Miq të dashur,
Ju faleminderit të gjithëve që më keni përkrahur ndër vite, pa rezervë e pa interes, në angazhimin tim partiak. Nuk ka qenë aspak rrugëtim i lehtë, por gjithmonë – me përkrahjen tuaj – kemi treguar që kjo Kosovë e jona mund të jetë përparimtare dhe e ndershme, e jo klienteliste dhe regresive.
Unë nuk do të isha këtu sot pa ju. Por, ambienti i përgjithshëm politik e partiak në Kosovë aq ka degraduar, sa që verbëria e interesave të ngushta partiake e ka mbytur çfarëdo hapësire racionale shtetformuese, ku ikja nga përgjegjësia ndaj shtetit në politikë maskohet me parulla koti partiake.
Kosova po e kalon purgatorin e vet si prej sfidimit serioz të shtetësisë në arenën ndërkombëtare, e deri te puqja e dy proceseve jetike – atë të dialogut me Serbinë për marrëveshje potenciale finale dhe fillimin e procesve në Gjykatën Speciale. Këtë lloj sfidimi do ta kishin vështirë ta menaxhonin edhe shtetet më të zhvilluara e etabluara se sa Kosova. Por elita politike në pozitë e opozitë, e verbëruar nga konfliktet personale, nuk do që të jep përgjigje e të marr përgjegjësi për Republikën tonë të Kosovës. Në vend se të jetë fitorja politike e Kosovës prioritet, te ne është më e rëndësishme fitorja partiake individuale.
Prandaj, unë refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike, esencialisht primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme. Dhe rrjedhimisht, të gjitha veprimet politike do t’i marr në përputhje me bindjen se përgjegjësi primare kemi ndaj qytetarëve dhe shtetit.
Me këtë rast, të dashur qytetarë që ma keni dhënë besimin në dy mandate në Kuvendin e Kosovës, ju njoftoj se jam duke e shqyrtuar edhe mundësinë e moskandidimit në zgjedhjet e ardhshme.
Ky shqyrtim i angazhimit tim të mëtutjeshëm politik nuk është dorëzim, por një akt i protestës ndaj frymës shtet-degraduese që e ka mbërthyer skenën politike në Kosovë.