Ilir Deda tregon se kush e prishi mundësinë e listës së përbashkët opozitare
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LV) se ka kanë pamundësuar listën e përbashkët opozitare për zgjedhjet e parakohshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se deklaratat e LDK-së se preferojnë të shkojnë të vetëm në zgjedhje dhe ato të LV-së se vetëm Albini duhet të jetë kandidat për kryeministër, e kanë prishur mundësinë e listës së përbashkët opozitare.
Ai ka paralajmëruar se në ditë në vijim do të ketë edhe lëvizja tjera politike.
Statusi i plotë i Dedës:
NJË VËSHTRIM PËR TË SOTMEN DHE NJË KUJTIM NGA VITI 2009
Gjithçka që po ndodhë sot në politikë e ka një kontekst nga e kaluara. Në ditët dhe javët e ardhshme me gjasë do të ketë shumë lëvizje politike, dhe do të mundohem që t’ua shpjegoj kontekstin e tyre sipas këndvështrimit tim.
Deklaratat e LDK-së se preferojnë të shkojnë të vetëm në zgjedhje, dhe nga VV se vetëm Albini duhet të jetë kandidat për kryeministër, na humbën kohë, dhe e prishën mundësinë e listës së përbashkët opozitare.
Për të gjithë ata që po “çuditen” me koalicionin e Shpendit me Ramushin, po pres me e pa “çudinë” e njëjtë të “koalicionit” të Mimozës me Albinin.
“Çdokush rrugës së vet”
Në vitin 2009, në kohën kur një grup i vogël prej nesh e luftonte Qeverinë Thaçi 1 dhe fillet e kapjes së shtetit, korrupsionin i cili po mirrte hov, kur ishim në betejë kundër presionit ndaj mediave, dhe kur suksesshëm e parandaluam instalimin e autokracisë, Ramush Haradinaj e kishte planin politik që e quante AAK Plus. (Në 2009 VV mirrej me UNMIK-un dhe decentralizimin e pakos së Ahtisarit).
Ky plan nënkuptonte që rreth AAK-së të shkonin të gjithë ata që ishin për ndryshim e kundër PDK-së, por jo domosdoshmërisht nënkuptonte anëtarësim në AAK (në 2009 në LDK refuzohej reforma e partisë, e VV i rrotullonte veturat e EULEX-it).
Shpendi në atë kohë cilësohej si një nga figurat më të dalluara në shoqërinë civile, dhe neve kolegëve të tij nuk na dukej larg kyçja e tij në politikë me AAK. Por, aktakuza e dytë e Tribunalit të Hagës ndaj Ramushit e prishi atë plan politik për AAK Plus, dhe Shpend Ahmeti nuk shkoi me/në AAK.
Mimoza në 2009 ju bashkua AKR-së. Ndërsa dështimi i reformës në LDK më shtyu që bashkë me Shpendin në vitin 2010 ta nisnim Frymën e Re.
(vazhdon, sipas zhvillimeve politike)