Ilir Gjokaj e Avdi Avdija humbën jetën nga Covid-19, Gjini ngushëllon familjet e tyre
Zyrtari policor Ilir Gjokaj dhe afaristi Avdi Avdija kanë vdekur pas infektimit me Covid-19.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se është thellësisht i pikëlluar me lajmin për humbjen e jetës së dy bashkëqytetarëve të tij.
“Pandemia Covid-19 po vazhdon të jetë e pamëshirshme, duke larguar herët nga ne policin shembullor Ilir Gjokaj dhe afaristin e suksesshëm Avdi Avdija, dy qytetarë të dalluar dhe kontributdënës të palodhur për shoqërinë tonë. Humbja e tyre, përveç dhembjes, është edhe një rikujtim për të gjithë ne, se ky virus tashmë po na kërcënon të gjithëve pa asnjë përjashtim”.
“Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet Gjokaj e Avdija, për miqtë e bashkëpunëtorët e dy të ndjerëve, lusim të gjithë qytetarët që të shtojnë maksimalisht kujdesin dhe të respektojnë gjatë tërë kohës masat e kërkuara nga profesionistët shëndetësor”.
“Të mos harrojmë se jeta jonë, jeta e secilit qytetar të komunës së Gjakovës, në këto momente është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Lutemi që humbja e Ilirit dhe Avdiut të jenë humbjet tona të fundit. Nderim i përjetshëm për Ilir Gjokajn e Avdi Avdiun!”, ka shkruar Gjini në llogarinë e vet në “Facebook”.
(Q.R / Epoka e re)