Ilir Ibrahimi: Marrëdhëniet me SHBA-në, jetike për Kosovën dhe rol kyç i sektorit privat në promovimin e vendit
Ilir Ibrahimi, Drejtor Menaxhues në Klubin e Biznesit, në një intervistë të dhënë në Televizioin 7, theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në një deklaratë të fundit. Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm që sektori privat duhet të luajë në promovimin e vendit dhe ndërtimin e urave lidhëse me SHBA-në, duke përfshirë ekonominë, biznesin dhe tërheqjen e investimeve amerikane. Kjo intervistë u realizua pas vizitës së Klubit të Biznesit në Shtetet e Bashkuara ku u zhvilluan një sërë takimes të rëndësishme, me qëllim të promovimit dhe zhvillimit të mardhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
“Investimet nga SHBA nuk janë vetëm investime ekonomike, por sjellin gjithashtu mbështetje politike dhe siguri, duke krijuar një lloj ombrelle në këtë pjesë të botës që po bëhet gjithnjë e më e pasigurt,” theksoi Ibrahimi. “Vizita jonë në SHBA kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi pozitiv: sektori privat në Kosovë është në zhvillim dhe kërkon partneritete për të kaluar në një stad të ri. Partneritetet më të mira dëshirojmë t’i kemi me kompani simotra në SHBA.”
Ibrahimi vuri në pah rolin e rëndësishëm të Amerikës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të saj. Ai falënderoi SHBA-në për mbështetjen maksimale që ofron për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ndërtimin e partneriteteve të dëshirueshme.
“Nga takimet në SHBA, është e qartë se Amerika qëndron me popullin e Kosovës dhe mbështet zhvillimin e mëtejshëm të vendit tone, tha Ibrahimi ndër të tjera në këtë intervistë”
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e themelimit të Klubit të Biznesit, një nismë e bizneseve të mëdha në Kosovë që ka për qëllim krijimin e një platforme bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe mundësimin e partneriteteve me kompani të huaja. Gjatë vizitës në SHBA, u pa një gatishmëri për organizimin e takimeve bilaterale me kompani amerikane, duke synuar lidhjen e partneriteteve që do të çojnë në bashkëinvestime në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Ibrahimi theksoi gjithashtu mungesën e partneritetit publiko-privat në Kosovë si një sfidë për ekonominë kosovare, duke theksuar se qeveria duhet të shohë sektorin privat si një partner të fuqishëm dhe të konsultohet vazhdimisht me bizneset për të adresuar pengesat dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik.
“Ndryshimet gjeopolitike që po prekin ekonominë globale janë një mundësi që Kosova duhet ta shfrytëzojë,” tha Ibrahimi. “Shumica e kompanive perëndimore po i afron prodhimet e tyre më afër Evropës, dhe Kosova duhet të jetë e gatshme për të mirëpritur këto investime.”
Ibrahimi përfundoi duke theksuar optimizmin e tij të shtuar pas vizitës në SHBA dhe rëndësinë e partneritetit të fuqishëm me SHBA-në për të ardhmen e Kosovës.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.
Ilir Ibrahimi