Ilir Ibrahimi: Qasja që ‘ne ta ndalim rrogën’ është një qasje e vjetër
Ilir Ibrahimi, njohës i proceseve politike në vend, ka thënë se ndalesa e pagave ndaj pjesëmarrësve të grevës është një akt arbitrar që mund të vendos një presedan të rrezikshëm.
“Së pari, pjesëmarrja në greva është një e drejtë ligjore. E dyta, si mund të vendos ministri i financave të paguajë ose jo punëtorët që janë të punësuar në nivel komunal, ku secila komunë e ka buxhetin e ndarë, dhe e shfrytëzon atë në mënyrë të pavarur. Së treti, buxheti i shtetit nuk mund të shfrytëzohet si pronë private e një ministri. Madje edhe në kompani private, ku i gjithë kapitali mund të jetë në pronësi të një individi, nuk mund të ndërmerren masa të tilla sepse janë të jashtëligjshme”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Qasja që ‘ne ta ndalim rrogën’ është një qasje e vjetër, e sistemeve që nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë’.
Ibrahimi ka thënë se nëse kjo qeveri ka ardhur në pushtet me mjete demokratike, me një votë mbi 50%, nuk mund të qeverisë me metoda diktatoriale dhe arbitrare.