Ilir Ibrahimi: Tërheqja e paraleleve ndërmjet Afganistanit dhe Kosovës nuk është aspak adekuate
Njohësi i proceseve politike, Ilir Ibrahimi, ka thënë se tërheqja e paraleleve ndërmjet Afganistanit dhe Kosovës nuk është aspak adekuate.
“Ngjashmëria e vetme ndoshta mund të jetë qasja arrogante dhe e papjekur që kanë treguar politikanët në këto dy vende ndaj interesave amerikane. Jemi dëshmitarë se Kosova në 4-5 vitet e fundit është treguar si një fëmijë i lazdruar në shitore të lodrave, të cilit nuk i pëlqen asnjë lodër dhe vetëm qan. Me një papjekuri foshnjore e lehtësi frikësuese kemi injoruar këshillat dhe kërkesat e miqve, e këtë po vazhdojmë ta bëjmë fatkeqësisht ende”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se interesi vital i Kosovës është rreshtimi përkrah interesave amerikane. “Çdo devijim nga këto interesa është i barabartë me tradhti dhe nuk ka emër tjetër. Sprovën e kemi përpara dhe mund ta dëshmojmë. Qasja e Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal dhe dialogut është testi që duhet të dimë ta kalojmë. Shenjat e para janë të frikshme dhe shqetësuese por shpresoj të dalim nga ky delirium populist dhe fillojmë të mendojmë përtej interesave të çastit”, ka thënë Ibrahimi.