Ilir Kulla përmend Agim Çekun për lidhjet e para të shqiptarëve me NATO-n
Eksperti i politikave të sigurisë dhe gjeopolitikës, Ilir Kulla, ka thënë se Kosova ka pasur disa personalitete, që sipas tij, janë marrë me Shoqatën e Atlantikut, ku siç bërë me dije ai, ndër ta ka qenë edhe ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.
Në emisionin “MATRIX” në “Tëvë1”, Kulla ka thënë se Çeku para disa vitesh ka dhënë kontribut për të hyrë Kosova në rrugëtimin e NATO-s.
“Kur fillon rrugëtimi për anëtarësimin në NATO, Shqipëria e ka filluar me partneritetin për paqe nëpërmjet Shoqatës së Atlantikut. Ju këtu keni pasur disa personalitete që janë marrë me Shoqatën e Atlantikut, ndër ta ish-komandanti i Shefit të Shtabit të UÇK-së, Agim Çeku, ndër ta ish-ministri i Brendshëm i Kosovës para disa viteve, të cilët merren me klubin atlantik kanë dhënë dhe është një promovim i vlerave të NATO-s dhe i nevojës për të hyrë në rrugëtimin, pra të asaj që duhet të jetë një ditë e ardhmja e Kosovës, pastaj kjo ka disa instrumente në të cilët kalojnë dhe sigurisht një nga instrumentet më të rëndësishëm duke pasur parasysh që NATO është një organizatë politike-ushtarake, është anëtarësimi në Asamblenë Parlamentare, sepse aty mund të themi është brumi politik i NATO-s, pra janë deputetët e gjithë vendeve të NATO-s të cilët shohin larg dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.
Më tutje, Kulla ka thënë se Kosova perimetrin e saj e ka kufi të ruajtur nga NATO-ja.
Kulla i ka përgëzuar përfaqësuesit e Kosovës, që janë duke punuar për rrugëtimin e Kosovës në NATO.
“Nga këtu për t`u bërë anëtare e NATO-s ka shumë rrugë, por e rëndësishme është që sot Kosova perimetrin e saj e ka kufi të ruajtur nga NATO dhe të NATO-s, pra kufijtë e saj, dhe Kosova si strukturë politike, si demokraci e shëndoshë është një pjesë në familjet e perëndimit të cilat ulën në atë të ashtuquajturën Parlament të NATO-s ose Asambleja Parlamentare e NATO-s, dhe duhet t`i përgëzoj përfaqësuesit e Kosovës, mikut tim Xhavit Haliti që ka vite që punon për këtë gjë”, ka deklaruar Kulla.