Ilir Meta flet për “konfliktin” midis Presidencës dhe Qeverisë

11 tetor 2019 | 10:23

 

Në intervistën ekskluzive që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dhënë për emisionin “Open” në “Top Channel”, ka folur  për konfliktin mes Presidencës dhe Qeverisë.

Meta ka thënë se ky nuk është një konflikt por përplasje e kryeministrit me Kushtetutën.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Megjithatë, unë dua t’i rikthehem pak më pas edhe marrëdhënies me zonjën Kryemadhi si kryetare e LSI-së sigurisht. Por, qëndrojmë pak tek Edi Rama, cila është ajo krisja e madhe që ka ndodhur mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, që ka sjellë konfliktualitet që ne shohim sot mes Presidentit dhe Kryeministrit?

Presidenti Meta: Po pse ju shikoni konfliktualitet vetëm midis Presidentit dhe Kryeministrit? Nuk shikoni ju konfliktualitet midis kryeministrit dhe mediave? Gazetarja: Dakord, por ai është për një emision tjetër. Këtu jemi për Presidentin Presidenti Meta: Dakord, por ua them këtë gjë, sepse ua thashë që qëllimi për të krijuar idenë, që këtu kemi një konflikt të disave është një ide e sponsorizuar.

Gazetarja: Po ka një konflikt këtu. Qeveria rrëzon çdo dekret tuajin, nuk boton në Fletoren Zyrtare dekretet, çfarë mund t’i ndodhë më shumë një Presidenti?

Presidenti Meta: Ky nuk është konflikt, është çmenduri, sepse të shkelësh Kushtetutën, të mos zbatosh dekretin e Presidentit, të bësh një veprim të paligjshëm, siç thotë edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, që në mënyrë të paligjshme nuk u botua dekreti i Presidentit në Fletoren Zyrtare, që është përgjegjësi e qeverisë dhe e Ministrisë së Drejtësisë, këto janë akte skandaloze të dhunimit të shtetit të së drejtës, aq më tepër që bëhen nga qeveria apo nga parlamenti, siç ishte veprimi me rezolutën ndaj dekretit. Pra, këto nuk janë çështje personale, këto janë raporte me shtetin.

Gazetarja: Por janë dhe personale. Kryeministri përplaset me Presidentin, po ata janë dhe persona Rama dhe Meta…

Presidenti Meta: Është përplasje e kryeministrit me ligjin, është përplasje e kryeministrit me Kushtetutën.

Gazetarja: Zoti President, Ju keni deklaruar se e keni takuar në Pallatin e Brigadave, por z. Rama sërish do që t’ju shkarkojë. Një takim për të cilin ai nuk flet. Ju flisni për këtë takim dhe Rama, jo. Si e shpjegoni këtë gjë? Presidenti Meta: Ato që kam thënë janë muhabetet e korrikut e të gushtit, kalojmë te ndonjë gjë e re.

Gazetarja: Jam kurioze të di çfarë u diskutua aty? Mund të presim të reja rreth atyre takimeve? A janë përsëritur ato takime që atëherë?

Presidenti Meta: Këto kanë qenë takime para dekretit tim të datës 10 qershor me idenë për të gjetur një zgjidhje për të kaluar atë krizë pa përplasje, pa konfrontime dhe të caktonim një datë të re për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore. Pra, ka kaluar ajo kohë.

Gazetarja: Që atëherë nuk jeni takuar më dhe nuk ka pasur tentativa ndërmjetësimi, pajtimi apo ulje në tryezë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye për t’u ndierë i armiqësuar me dikë dhe me askënd. Unë, jam këtu, jam në krye të detyrës.

Gazetarja: Një komision hetimor parlamentar, nuk është arsye?

Presidenti Meta: Nuk më shqetëson fare mua, se çfarë bën parlamenti, është e drejta e parlamentit. Mua më shqetëson çfarë bën Ilir Meta. Ilir Meta, mbron Kushtetutën në mënyrën më të qartë, më kushtetuese, më demokratike, më patriotike. Kaq!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është në përfundim të numërimit të…