Ilir Murtezaj: Ndërtimi dhe gastronomia në fokus të ATK-së
Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj është përballur me përfaqësues të bizneseve dhe profesionist të fushës.
Administrata Tatimore e Kosovës në tri vitet e fundit është orientuar kah bizneset të cilat kanë më shumë prirje për shmangie tatimore më të lartë.
Sipas kreut të ATK-së edhe ndërtimtaria edhe gastronomia bëjnë pjesë në këtë grup ku potencialisht mund të ketë shmangie tatimore.
“Sipas sistemit tonë elektronik dyshohet se këto dy sektore bëjnë shmangie tatimore dhe evazion fiskal. Te gastronomia jemi dëshmitar edhe vet se në kafiteri nuk lëshohet kuponi fiskal dhe mos lëshimi i kuponit fiskal është element që prodhon informalitet. Ligji i ri parasheh masa të tjera me qëllim që të rritet vetëdija e bizneseve dhe normalisht edhe ndëshkime sepse masatë marra deri më tash nuk kanë pasur efektin e duhur”, ka thënë Murtezaj.
Në anën tjetër sektori i ndërtimeve sipas kreut të ATK-së është shumë më kompleks dhe kërkon trajtim më specifik për identifikimin e shmangieve tatimore.
“Ka tendenca nga një pjesë e bizneseve në ndërtimtari që të manipulohet me koston dhe çmimet shitëse por inspektorët tanë obligohen që duke siguruar të gjitha informatat të bëjnë vlerësime dhe në rastet ku konstatohet që ka shmangie tatimore të aplikohen edhe masat ndëshkuese që parasheh ligji”, ka pohuar tutje shefi i ATK-së.
Një problem tjetër që potencialisht zë vend tek sektori i ndërtimit është edhe shpërlaja e parave dhe sipas kreut të ATK-së disa po mendojn se shpërlaja e parave bëhet duke i futur ato në biznes me qëllim që më pas të deklarojnë një fitim të rrejshëm me qëllim të justifikimit të atyre parave dhe në raste të tilla ligji parasheh që edhe ato para të tatimohen ndërsa për pjesën penale aty ku identifikohet se janë fituar në mënyrë të paligjshme do të trajtohen nga organet gjegjëse.