Ilir Proda propozohet për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë
30 shtator 2024
| 15:53
Ilir Proda është kandidati për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, të cilin ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Ervin Hoxha ia ka propozuar kryeministrit Edi Rama.
Proda është drejtor aktual i Drejtorisë së Policisë së Elbasan, me një eksperiencë shumëvjeçare në radhët e policisë së shtetit.
Në total në garë morën pjesë 15 kandidatë, nga të cilët vetëm 11 morën pjesë në intervistimin e komisionit të posaçëm, gjatë javës së kaluar.
Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik: Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita.