Ilir Rizaj dhe Adriatik Bërdaku me projekt të ri muzikor “Samba Griega”
Nga E.B., Nju Jork
“Samba Griega” është një video muzikore, rezultat i bashkëpunimit mes dy krijuesve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në New York, fotografit/regjisorit Ilir Rizaj dhe kinematografit Adriatik Bërdaku.
Videoja është krijuar për Aggeliki, këngëtare greko-amerikane, e cila sjell një interpretim sensual dhe mbresëlënës.
Rrjedha e videos e përcjell frymën e vargjeve të këngës që në origjinal është e shkruar nga Lina Nikolakopoulou, poetesha/liricistja legjendare greke, kurse muzika është e kompozuar nga Daphne Alexandri.
Versionin e tanishëm e ka aranzhuar kitaristi dhe kompozitori i mirënjohur grek, Spiros Exaras.
https://www.youtube.com/watch?v=I1uWAh0YHWo
Si ishte bashkëpunimi me fotografin dhe regjisorin e njohur Ilir Rizaj?
Adriatik Bërdaku: Me Ilirin u njohëm disa vite më përpara dhe mbajtëm lidhjet. Duke biseduar një ditë me tha që ka një projekt të bukur me një këngëtare greke dhe nëse isha i interesuar. Kuptohet që një bashkëpunim profesional me Ilirin është diçka qe jo të gjithë e kan fatin, unë isha i përzgjedhuri për të realizuar këtë projekt dhe e pranova me shumë kënaqësi.
Ilir Rizaj ka përvojë të jashtëzakonshme në fushën artistike dhe bashkëpunimi ishte fare i lehtë.
Si ishte procesi artistik për krijimin e videos muzikore “Samba Griega”?
Adriatik Bërdaku: Procesi u zhvillua në disa faza, së pari ishte Iliri që komunikoi me producentin dhe këngëtaren për të kuptuar idetë e tyre. Pastaj ai m’i prezantoi dhe aty filluan të zbërthenim detajet e historisë nga ana teknike. Të gjithë ishin të gatshëm për të ndihmuar në realizimin artistik duke filluar nga ideja deri tek detajet më te vogla të organizimit.
Mund të na tregoni për disa projektet e tua më të fundit?
Adriatik Bërdaku: Sapo jam kthyer nga nje udhëtim pune në Honolulu, Maui, Nevada për realizimin e një programi të ri për televizionin Italian RAI. Aktualisht po merrem me xhirime spotesh për Prada, Philips, dhe shumë të tjerë. Gjithashtu kemi disa projekte të tjera me Ilir Rizaj, për këngëtarë të huaj dhe jo vetëm.
Po në fushën e filmit, me cilat projekte apo festivale po angazhoheni?
Adriatik Bërdaku: Në fushën e filmit kemi realizuar një projekt me regjisorin dhe skenaristin Julian Biba, “Departure”, film i cili ka marrë pjesë në shumë festivale dhe fitues i disa çmimeve. Së shpejti do realizojmë një film me metrazh të gjatë ku nuk do të mungojnë surprizat.
Si ka qenë përvoja juaj deri tani në fushën e artit në Nju Jork?
Adriatik Bërdaku: Dua të them që jam shumë i kënaqur apo i “realizuar” artistikisht në New York, kam patur shumë mundësi të bashkëpunoj dhe të njoh artistë të rangut të lartë. Nuk më kanë munguar, bashkëpunimet në fushën televizive apo ato të modës. Vlen të përmend New Fashion Week të cilën ka 10 vite që bashkëpunoj për sfilatat e stilistëve më me emër në botë. Gjithashtu edhe eksperienca shumë e bukur me Bashkinë e New Yorkut (NYC Media) ku bëj pjesë si operator video.
Si mund ta krahasoni me përvojën tuaj artistike në Itali dhe në Shqipëri?
Adriatik Bërdaku: Shqipëria është vendlindja ime dhe ato 5 vite punë atje më kanë ndihmuar për të përballuar shumë situata. Por Italia më ka rritur dhe më ka dhënë të gjitha mundësitë për të përparuar në këtë profesion. Në Itali mora njohuritë profesionale duke u angazhuar me televizionet më prestigjiozë si RAI, MEDIASET, SKY, LA7. Pra Italia më dha shumë pë 18 vite, pothuajse gjysmën e jetës sime e kalova aty dhe u integrova duke zgjeruar hapësirat e mia profesionale, për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të emigruar në Amerikë.
Cilat momente do veçonit nga karriera juaj deri tani?
Adriatik Bërdaku: Të them të drejtën nuk mund të veçoj asnjë moment sepse unë këtë profesion e kam në gjak dhe e bëj me zemër. Për mua çdo moment është unik dhe e shijoj atë duke e shprehur atë nëpërmjet imazheve të mia.
Mesazhi juaj për festat e nëntorit dhe fund vitit.
Adriatik Bërdaku: Dëshiroj t’i uroj të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, gëzuar festat dhe shpresoj të jemi të bashkuar gjithmonë.