Ilir Tolaj lirohet nga të gjitha akuzat për korrupsion
Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat për korrupsion, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Ilir Tolaj.
Kësisoj, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Driton Muharremi, Abdullah Ahmeti dhe Shqipe Qerimi kanë vendosur të refuzojnë ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ta lënë në fuqi aktgjykimin lirues të shkallës së parë.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ishin liruar nga akuzat për korrupsion edhe të akuzuarit Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë me dije zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.
“Mund të konfirmoj se ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, është refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 06.06.2018 është vërtetuar”, është thënë në përgjigjen e Jasharit.