ILIRËT – KRYEVEPRA QË MBIJETOI
Shkruan: Begzad Baliu
Nelson Çabej, Ilirët që mbijetuan(përgjigje simpoziumit “Ilirët dhe Shqiptarët” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve), Tiranë, 2013.
Vitet ‘80 ishin vite të një situate politike shpërthyese, kur lëvizja çlirimtare e shqiptarëve kundër shtypjes serbe dhe për çlirim kombëtar po rritej me shpejtësi. Natyrisht, kjo situatë u shoqërua me një intensifikim të luftës në frontin ideologjik, politik e propagandistik si në Republikën Federative të Jugosllavisë dhe në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Propagandës antishqiptare në Kosovë e në rang ndërkombëtar propaganda komuniste shqiptare vendosi t’i përgjigjej edhe në nivel akademik duke i rekomanduar Akademisë së Shkencave të botonte një përmbledhje studimesh lidhur me autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Me porosi nga sektori i shtypit i Komitetit Qendër, Akademia e Shkencave të RPSSH-së përgatiti për botim një vëllim me punime të zgjedhura nga autorë shqiptarë (nga Shqipëria dhe Kosova) dhe të huaj, në të cilat trajtoheshin probleme të prejardhjes së popullit shqiptar, të gjuhës shqipe dhe të vendformimit të popullit shqiptar, thelbërisht problemi i autoktonisë së shqiptarëve. Vëllimi prej 524 faqesh u botua në vitin 1982 nën titullin Shqiptarët dhe trojet e tyre. Autori ynë Nelson Çabej, sipas një interviste të tij u njoh me këtë material në kohën e redaktimit në vitin 1982.
Botimi i këtij vëllimi ngjalli një reagim të fortë në rrethet më të larta të politikës komuniste serbe, duke përfshirë Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, me porosinë e të cilëve Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve u ngarkua të organizonte një simpozium për të vërtetuar se shqiptarët nuk ishin autoktonë, por të ardhur dikur nga diku tjetër, pas ardhjes së serbëve në Mesjetë.
Kështu u organizua simpoziumi Ilirët e shqiptarët (Iliri i Allbanci) i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në vitin 1986, punimet e të cilit u botuan në një vëllim të veçantë frëngjisht dhe serbisht LesIllyriens et lesAlbanais. Në kontrast me traditën europiane, duke përfshirë atë shqiptaren, në simpozium nuk u ftuan të merrnin pjesë studiues nga vende të tjera të Europës, jo vetëm nga Shqipëria, por as nga Kosova. Në mbyllje të simpoziumit drejtuesi i punimeve, arkeologu jugosllav MilutinGarashanin (1920-2002), në Konsideratat përfundimtare të simpoziumit, në frymë të hapët përballëse u drejtohet studiuesve shqiptarë: “…ne do të ishim të lumtur në qoftë se idetë e parashtruara në këtë libër do t’i nxisnin shkencëtarët shqiptarë që të pranojnë diskutimin rreth tyre. Kjo, sigurisht, do të ishte një ndihmë e vlefshme si për shkencën shqiptare dhe atë jugosllave, madje edhe për shkencën europiane” (Garashanin, 1988).
Në korrik të vitit 1988, N. Çabejt i ra në dorë një kopje e botimit me punime të atij simpoziumi, LesIllyriens et lesAlbanais dhe në gusht të po atij viti ai dorëzoi për botim punimin kritik prej 150 faqesh si përgjigje ndaj simpoziumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, i cili për arsye joshkencore nuk u lejua të botohej, dhe u botua për herë të parë vetëm 21 vjet më vonë, në vitin 2009, në SHBA dhe në vitin 2013 në Tiranë, por asnjëherë në Prishtinë, sikur mund të pritej!
Pa dashur që këtu të merrmi thellësisht me botimin, po theksojmë vetëm disa veçori të këtij vëllimi, sipas krerëve të saj:
- Pak fjalë rreth historisë së studimeve për historinë e shqiptarëve, II. Lëvizja kundër autoktonisë së shqiptarëve, III. Disa vërejtje lidhur me metodologjinë e përdorur në simpozium, IV. Shtrirja e ilirëve në hapësirë e në kohë, V. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, VI. Teori, hipotezë apo… mit). Punimi u recensua nga Prof. Shaban Demiraj, që vlerësoi se punimi duhej botuar dhe nga një punonjës i Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave. Gjithashtu, sikur mund të lexohet, prej intervistave të tij edhe në një ballafaqim me autorin, që u bë në Redaksinë Botimeve Kulturore-Enciklopedike, përfaqësuesi i Institutit të Gjuhësisë, ndonëse nuk solli ndonjë argument shkencor kundër punimit, nguli këmbë që libri të mos botohej.
Një kopje e dorëshkrimit ju dha jozyrtarishtedhe disa punonjësve të Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, por edhe aty Komitetit të Arteve, prej nga varej Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, u kërkua që dorëshkrimi të mos botohej.
Për t’i shpjeguar arsyet e mosbotimit autorin e takoi zëvëndëskryetari i Komitetit të Arteve, i cili, gjithashtu pa i shpjeguar shkakun e vendimit për mosbotimin e punimit e mbylli bisedën duke thënë: “Nuk është faji yt pse e bëre këtë punë, por është faji i Akademisë së Shkencave së cilës i takonte ta bënte, por nuk e bëri”. Me këtë logjikë për “një faj të Akademisë” duhej të mos botohej një punim, që i përgjigjej thuajse pa asnjë vonesë simpoziumit serb që mohonte autoktoninë e shqiptarëve.
Autori e kuptonte se pengesat për botimin lidheshin jo vetëm me rivalitetet profesionale në nivel individual, por edhe me vështirësi politike e institucionale. Situata potencialisht shpërthyese e Kosovës së viteve 80-të kishte rritur edhe vëmendjen dhe ndjenjat kombëtariste të popullit në Shqipëri e në tërë strukturat shtetërore e politike, duke përfshirë fushën e botimeve që lidheshin me prejardhjen dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e sotme dhe historikisht shqipfolëse. Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Greqi ishte një problem shumë delikat për politikën shqiptare në të cilën, si në çdo vend tjetër të bllokut lindor të shteteve komuniste, përziheshin në një mënyrë interesante dy ideologji aq të ndryshme sa internacionalizmi proletar dhe nacionalizmi vendas.
Që në fillim të punimit të tij, NelsonR. Çabej vë në dukje një sërë të metash metodologjike që karakterizuan punimet e simpoziumit Iliri iAlbanci. Ndër këto të meta ai përmend njëanshmërinë në zgjedhjen e të dhënave, duke lënë jashtë vëmendjes punimet e shumë historianëve të lashtësisë, të historianëve dhe arkeologëve jo vetëm nga vendet e tjera të Europës, por edhe të shumë autorëve jugosllavë. Redaktori i botimit, arkeologu serb MilutinGarashanin në punimin e tij Formimi dhe Prejardhja e Ilirëve (1988) në simpozium hoqi dorë nga pikëpamja e tij e mëparshme rreth karakterit ilir të dardanëve që kishte zhvilluar në studimin Kufiri lindor i ilirëve në bazë të të dhënave arkeologjike (Garašanin, 1969). Po aq befas në simpozium ka hequr dorë edhe arkeologia FanulaPapazoglu (1917-2001) nga mendimi i saj i mëparshëm se dardanët ishin ilirë, që mbronte në punimin Mbretëritë e Ilirisë e të Dardanisë (Papazoglu, 1988).
Një e metë tjetër që vërehej në ato punime ishte subjektivizmii theksuar në interpretimin e të dhënave për të arritur në përfundimin e kërkuar, që ishte ngushtimi i trojeve ilire në Ballkanin e lashtë. Në kundërshtim me pikëpamjen mbizotëruese të arkeologëve jugosllavë mbi praninë e kulturës materiale të Glasinacit në Slloveni, Garashanini nuk e lidh me etnikësinë ilire të banorëve të atjeshëm, por me përkatësinë (e paprovuar) të enklavave ilire në atë rajon (Garashanin, 1988a), ndërsa FanulaPapazoglu vë në dyshim të dhënën e historianit grek Diodorit, se banorët e Dalmacisë ishin ilirë, ndonëse vetë e në mënyrë kontradiktore pranon se Risiniumi në bregdetin dalmat ishte qytet ilir (Papazoglu, 1988), po ashtu si Uscana, Buthoe dhe Bassania. VladisllavPopoviçi e interpreton kufirin e përafërt të mbishkrimeve latine dhe greke, përkatësisht në Shqipërinë e veriut e të jugut si kufi gjuhësor latino-grek, kur dihet se gjuha latine dhe greke e mbishkrimeve në botën e lashtë e mesjetare nuk është kriter i etnicitetit të popullsisë së një vendi, kur dihet se ato kanë qenë linguafrancaee të vetmet gjuhë të shkruara për një kohë të gjatë që shtrihet në disa fusha si p.sh., në botimet shkencore deri në shekullin XVIII.
Sipas V. Popoviçit, kur erdhën sllavët në Ballkan nuk gjetën një popullsi ilire por një popullsi ilire të romanizuar dhe vetëm nga zonat malore të pasaktësuara mirë doli populli shqiptar. Por nuk mund të pranohet pa rënë në paradoks se nga një popullsi ilire e romanizuar mund të dilte një popull i paromanizuar arbëror me gjuhë, identitet dhe vetëdije të fortë etnike, ndryshe nga popujt e romanizuar (psh.,keltë e iberikë) që humbën gjuhën e krijuan identitetet e reja etnike të popujve freng, spanjoll e portugez. Dhe rastet e popujve rumunë, e madje irlandez e skocez tregojnë se, në vetvete, edhe humbja e gjuhës nga një popull nuk provon domosdoshmërisht humbjen e vetëdijes së tij kombëtare dhe identitetit të tij kombëtar. V. Popoviçi pranon se emrat e qyteteve mesjetare të Shqipërisë janë shqiptarë, d.m.th., se emrat ilirë të qyteteve kanë evoluar në bazë të rregullave fonetike të shqipes dhe pastaj, në mënyrë kontradiktore, mohon praninë e shqiptarëve në ato qytete para shekullit XI (Popović, 1988). Dhe kontradikta e tij logjike dyfishohet kur shkruan se qytetet mesjetare të zonës fushore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit ishin të banuara nga sllavë, por emrat e atyre qyteteve kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes.
Autorët serbë përdorën një metodë njëdisiplinare për studimin e një procesi kompleks etnogjenetik, aty ku kërkohet një vështrim shumëdisiplinar, kritik dhe sintetik i të dhënave. Kjo ndodh jo vetëm me Garashaninin që trajton vetëm dhe në mënyrë selektive të dhënat e arkeologjisë, por edhe me V. Popoviçin kur ai e konsideron kufirin e mbishkrimeve latine e greke në Shqipëri të lidhura me praninë e kolonive bregdetare greke e më vonë latine në Shqipëri si kufi të përdorimit të greqishtes e latinishtes si gjuhë e popullit. Po të përdorej e njëjta “logjikë”, ajo do të na shpinte në përfundimin se prania e mbishkrimeve arabe dhe osmane në Serbi e vende të tjera të Ballkanit ose prania e mbishkrimeve latine në Hungari, në Gjermani e deri në Britaninë e madhe tregon se arabishtja ose osmanishtja kanë qenë gjuhët e folura nga serbët e popujt e tjerë të Ballkanit dhe latinishtja ishte gjuha e hungarezëve, gjermanëve dhe britanikëve.
Mungesa e referencave për shumë pohime që i jepen lexuesit si fakte historike është një tjetër e metë e punimeve të atij simpoziumi. Dhe më së fundi, ishte krejt i papërligjur dhe në kundërshtim të hapët me etikën shkencore politizimi i çështjeve të historisë së popullit shqiptar e të gjuhës së tij, siç bënë në atë simpozium MilutinGarashanin, FanulaPapazoglu, V. Popoviçi dhe SimaÇirkoviç.
Kur vjen puna për përcaktimin e etnicitetit të ilirëve të lashtë ka një numër të dhënash e kriteresh që duhen mbajtur parasysh në këtë përpjekje. Nuk ka dyshim se burimi më i rëndësishëm e më i besueshëm janë burimet e autorëve të lashtë grekë e romakë, që i kanë njohur mirë fiset ilire për shkak të kontakteve të drejtpërdrejta tregtare, ushtarake dhe kulturore, e në rastin e burimeve latine edhe nëpërmjet administrimit romak disashekullor që u vendos pas pushtimit të Ilirisë. Të dhëna të vlefshme, që nga pikëpamja kohore mund të jenë edhe më të hershme sesa burimet e shkruara të Lashtësisë janë ato gjuhësore e pjesërisht edhe të dhënat mbi kulturën shpirtërore e të dhënat arkeologjike. Vetëm një shqyrtim kritik i tërë atyre të dhënave do të na lejonte të arrinim në përfundime të arsyeshme dhe sa më të sigurta lidhur me shtrirjen e fiseve ilire në trojet e Ballkanit Perëndimor. Punimi i M. Garashaninit në këtë simpozium u mbështetet në mënyrë të njëanshme dhe selektive të dhënave arkeologjike, duke mos përfillur studimet gjuhësore të kryera jo vetëm nga studiues shqiptarë e të huaj, por edhe nga studiues jugosllavë si Stane Gabrovec, RadoslavKaticic, etj., në një përpjekje të pamundur për të ngushtuar shtrirjen e gjerë territoriale të ilirëve në Ballkanin Perëndimor dhe duke mos përfillur konceptin ekzistues të përhapjes territoriale të ilirëve që është zhvilluar jo vetëm në Lashtësi, por edhe në studimet e këtyre tre shekujve të fundit, duke përfshirë studimet e autorëve jugosllavë Mate Suiç (Suić, 1967) dhe Stane Gabrovec (Gabrovec, 1964). Në studimin e tij prej 60 faqesh rreth shtrirjes së ilirëve në Ballkan, ai u kushton vetëm dy faqe të dhënave gjuhësore të zgjedhura me kujdes dhe në mënyrë të njëanshme.
Pjesë e përpjekjes për të ngushtuar konceptin e shtrirjes hapësinore të ilirëve është edhe përpjekja e Garashaninit dhe Papazoglusë për të provuar se dardanët nuk ishin ilirë por trakë ose një përzierje fisesh ilire dhe trake. Kjo hipotezë nuk qëndron dot përballë fakteve që dardanët janë njohur si ilirë nga autorët e lashtë e të mëvonshëm, nga antroponimia ilire në Dardani, duke përfshirë emrat e mbretërve dardanë (Bato, Longarus, Bardylis e Monunius), nga elementët e kulturës shpirtërore materiale ilire (helmeta ilire), nga elementë onomastikë si emri i fisit të galabrëve që mbante dhe fisi ilir i galabrëve në Italinë e jugut, emri etnik dardan që është shpjeguar vetëm me shqipen, evolucioni në bazë të ligjeve fonetike të shqipes i emrave të qyteteve (Scupis> Shkup dhe Naissus> Nish) si dhe emri i qytetit Shtip (nga Astibus) në Peoni në jug-lindje të Dardanisë, malit të Sharrit nga Scardus (mons), lumit Drin (Drin i Bardhë), etj.
Në po këtë hulli, edhe ilirologia F. Papazoglu mundohet mbi argumente antroponimike të provojë se dardanët nuk ishin ilirë, një përfundim të cilin ajo e hedh edhe vetë poshtë me të dhënat e saj që tregojnë mbizotërimin e antroponimeve ilire në Dardani si dhe kur shprehet: “krahas emrave ilirë, që në Dardani marrin forma të veçanta, dhe emrave trakë, karakteristikë për pjesën lindore të vendit…” (Papazoglu, F. 1988a). Shtimi e emrave trakë në “pjesën lindore të vendit” dëshmon vetëm një dukuri të përgjithshme e të pashmangshme të ndikimit në antroponimi të kontakteve kulturore në rajonet kufitare midis popujve.
Një nga drejtimet kryesore të përpjekjes së simpoziumit Ilirët dhe Shqiptarët (Iliri i Allbanci) ishte të provonte se në kohën e ardhjes së sllavëve në Ballkan në trojet e sotme shqiptare kishte mbetur vetëm një popullsi ilire tanimë e romanizuar që nuk fliste më gjuhën e ilirëve. Këtë hipotezë VladisllavPopoviçi e ngre mbi premisën metodologjikisht të gabuar, për të mos thënë absurde, se kufiri greko-romak i mbishkrimeve në trojet shqiptare në jug e veri të Lezhës, tregon se në veri të kësaj vije populli fliste latinisht e në jug – greqisht (Popović, V. 1988b dhe 1988c). Ai nuk kupton, ose nuk do të kuptojë, se greqishtja, si dhe latinishtja pas saj, kanë qenë thuajse të vetmet gjuhë europiane të shkruara në atë kohë dhe shkrimi latin në administratën, letërsinë e sidomos në shkencën e vendeve të Europës ka vazhduar deri në shekullin XVIII. Po të zbatohej kriteri i Popoviçit, do të arrinim edhe në përfundimin tjetër absurd se në një pjesë të madhe të Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës, Britanisë së Madhe, e madje edhe më larg në Europë, Lindje e Afërme dhe Afrikë ku janë gjetur mbishkrime greke dhe latine popujt flisnin greqisht e latinisht, e jo gjuhët që flasin sot.
Duke ringjallur tezën e Selishçevit (Селищев, 1931) se popullsia sllave u vendosën në Shqipëri qysh në inkursionet e para sllave të fillimit të shekullit VI dhe kjo popullsi sllave zuri fushat dhe luginat e lumenjve deri në lartësitë 600 metra mbi nivelin e detit, ai shton: “…qytetet shqiptare mesjetare kanë praktikisht të gjithë emra shqip, që rrjedhin ose jo nga lashtësia” (Popović, V. 1988c) dhe shqiptarët përgjithësisht banonin mbi këtë lartësi. Por, në qoftë se zonat fushore deri në 600 metra ishin të banuara nga sllavë, evolucioni i emrave ilirë të makroponimeve (emrave të qyteteve, maleve e lumenjve), shumica e të cilëve ndodhen nën këtë lartësi, do të ndodhte në bazë të fonetikës sllavo-jugore e jo ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, në bazë të rregullave fonetike të shqipes. Duke ndier këtë dobësi, Popoviçi, ashtu si Selishçevi para tij, merret në mënyrë të njëanshme vetëm me emrat sllavë të fshatrave, të cilat duke qenë përgjithësisht të reja, nuk dalin fare në burimet e lashta, ndaj edhe nuk kanë ndonjë vlerë në përcaktimin e etnikësisë së popullit që ka banuar në ato troje nga Lashtësia dhe Mesjeta e Hershme. Siç theksonte shpesh E. Çabej, vetëm evolucioni fonetik i makrotoponimeve që vijnë nga lashtësia ilire mund të na tregojë për etnikësinë e banorëve të Ilirisë në Mesjetë e më vonë.
(Fragment nga libri në dorëshkrim “Nelson Çabej – ilirologu që mbijetoi”)