Imami Gashi: Falja lejohet në shqip, edhe jomyslimani mund të hyjë në xhenet
Imami Drilon Gashi kishte nxitur shumë reagime kur kishte thënë se mund të lexohet dhe interpretohet në gjuhën shqipe, ndryshe nga shumë imamë të tjerë që thonë se ky libër i shenjtë duhet të lexohet vetëm në gjuhën arabe.
“Unë vet jam imam. Nuk kam bërë thirrje të falen në gjuhën shqipe sepse unë vet falem në gjuhën arabe sepse unë e kuptoj kuptimin e gjuhës arabe”.
“Ajo që unë kam përmendur në rrjetet sociale është për kategorinë e atyre që nuk e kuptojnë gjuhën arabe dhe nuk janë në gjendje të lexojnë shkronjat arabe”.
“Mjeshtri i doktrinës që është dijetari Ebu Hanife [Abu Hanifa] para 1000 vjetësh ka guxuar ta hapë këtë tematikë. Mund ta përmend që ai e ka lejuar që besimtarët të falen në gjuhën joarabe”.
Gashi në “Zona B” të “Klan Kosovë”-s, ka treguar se pse e ka vënë në pah që falja e namazit mund të bëhet edhe në gjuhë të tjera, pos asaj arabe.
“Unë kam dashur të prek dy-tri aspekte. Aspekti i parë është guximi i këtij dijetari të madh të Islamit në atë kohë ta trajtojë këtë problematikë”.
“Unë e kam përmendur që sipas këtij dijetari kredibil për vendin ku jetojmë lejohet me u falë në gjuhën shqipe”.
“Ne e kemi obligim ta përkthejmë Islamin. Ne duhet të përkthejmë në gjuhën shqipe ligjëratat tona dhe namazin. Disa hoxhallarë vazhdojnë që gjysmën e fjalimeve të tyre t’i kenë në gjuhën arabe që është e papranueshme për vendin dhe kohën ku po jetojmë”.
“Unë nuk kam bërë thirrje me u falë në gjuhën shqipe, por ata që duan e kanë rrugën çel. Namazi është përjetim shpirtëror – çlirim nga depresioni, nervoza dhe stresi”.
“Është arritje dhe thithje e energjisë pozitive. Sot namazi te shumica e besimtarëve është rit fetar i thjeshtë – namazi nuk ndikon pozitivisht dhe nuk shfaqet në punën dhe veprën e tyre”.
Imami Gashi ka thënë po ashtu se beson se në xhenet mund të shkojë edhe një jomysliman që e ndjekë të vërtetën.
“Kam thënë që edhe jomyslimani mund të hyjë në xhenet. Unë mendoj që çdo person që gjurmon të vërtetën, kërkon të vërtetën edhe nëse nuk arrin atë ai është nën mëshirën e Zotit”.
“Gjynahi më i madh është kur ti luan rolin e Zotit në tokën e tij. Esenca është që Islami dhe Kurani thotë që nëse ti kërkon të vërtetën dhe jeton konform të kësaj vërtete e ke xhenet në këtë dynja”.