
Imami Maliqi: Kemi përkrahjen e SHBA-së për heqjen e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) ka publikuar raportin për të drejtat dhe liritë fetare edhe për Kosovën.
Me këtë rast në raport është shprehur shqetësimi se si vajzat privohen nga e drejta për shkollim për shkak të një udhëzimi administrativ të hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rreth 10 vjet më parë.
Lidhur me këtë ka folur të hënën imami i Xhamisë në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi.
Maliqi në një konferencë për medie, ka thënë se kanë mbështetjen e Ambasadës së ShBA-së për të hequr këtë udhëzim administrativ.
“Kjo ndalesë që figuron në vendim, është bërë më shumë se 1 dekadë. Kjo bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi kërkuar edhe më herët edhe nga ministrat Shyqiri Bytyqi, nga Hykmete Bajrami por edhe Ramë Likaj, që të largohet kjo ndalës që iu bëhet e padrejtë vajzave, për shkak të shamisë, por fatkeqësisht asnjëri nga ta nuk kanë pranuar që ta largojnë këtë ndalës, që diskriminohen në mënyrë ekstreme besimtarët islam”, ka thënë ai
Maliqi e ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara (ShBA) dhe Departamentin Amerikan të Shtetit që e kanë përkrahjen e kauzës së tyre për heqjen e këtij udhëzimi.
Por, Maliqi ka kërkuar që heqja e udhëzimi të mos bëhet plotësisht.
“Ambasada amerikane mbështet kërkesën tonë për largimin e këtij udhëzimi administrativ dhe Zyra e Avokatit të Popullit e mbështet qëndrimin tonë, se kjo është diskriminuese. Ne kërkojmë që kjo të largohet, por kufizimi i moshës, deri në moshën 11-vjeçare, fetarisht namazi, shamia, bëhet obligative kur besimtari e arrijnë moshën e pjekurisë. Ne kërkojmë nga Ministria e Arsimit, nga zonja Nagavci që ta largoj sa më parë këtë ndalës, që i pengon ato të ndjekin mësimin në shkollë. E kanë mundësinë që një padrejtësi prej 1 dekade, të largohet dhe ndalesa të jetë deri në moshën 11 vjet”, ka thënë ai, duke shtuar se këtë çështje do ta përcjell edhe tek ministrja aktuale e Arsimit, Arbërie Nagavci.