IMEDIATE: KOORDINIM BRENDAKOMBËTAR DHE VEPRIM ME FREKUENCA PERËNDIMORE

19 tetor 2023 | 19:59

Hajdin Abazi

Duke e përcjellë rrjedhën dhe zhvillimet e mëpasshme, tashmë ravijëzohet një sinkroni midis ngjarjeve që ndodhën me tentim-agresionin serb në Kosovë më 24 shtator, dhe me sulmet e Hamasit në Izrael, njëra përpjekje për të trazuar edhe Evropën në Ballkanin Perëndimor dhe të Lindjes së Mesme. Aktualisht, vetëm Rusisë i shkon për shtat një zgjerim i luftërave rajonale, ku do të largohej vëmendja nga agresioni rus në Ukrainë.
Gjithandej, diplomacia e ShBA dhe e BE është vënë në veprim, për të ndaluar rritjen e përmasave të involvimeve në luftë. Edhe diplomacia tjetër, ajo ruse dhe serbe janë kthyer kah Kina. Përderisa për Rusinë kjo ishte e pritshme, Serbia duket se po pozicionohet edhe hapur krah agresionit.
Megjithatë, as në këto rrethana, fokusi evro-amerikan nuk është larguar nga Kosova, për shkak të rreziqeve reale nga Serbia.
*
Ngjarjet ishin të tilla që diplomacia evropiane ishte në një dinamikë aktivitetesh. Forumi i Grenadës në Spanjë, takimi i ministrave të punëve të jashtme në Tiranë, Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë.
Në të tria këto evente, Kosova ishte pjesëmarrëse. Presidentja ishte aktive në kuadër të takimeve brenda kornizës së Forumit të Grenadës, dhe bëri atë që mund të bëhej. Kurse Kryeministri dhe zëvendësja e tij dhe ministre e punëve të jashtme nuk bënë ndonjë punë të dukshme në margjinat e këtyre takimeve.
Në të gjitha këto aktivitete ishte edhe Serbia. Duket se presidentit serb në Grenadë iu treguan ca vija të kuqe. Prandaj, në dy takimet në Tiranë, I. Dacic dhe A. Brnabic eskivuan daljen në foto të përbashkët për shkak të prezencës së Kosovës. Të dyja këto aktrime serbe shpërfaqin një frymë jo evropiane në diplomaci.
Këtë karshillëk ndaj Perëndimit e bëri krejt transparent vizita në Kinë e presidentit serb në kohën kur po mbahej Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë. Atje ai ka shkuar për të blerë armë, siç e tha ministri serb i mbrojtjes – kundër kujt vallë po armatoset Serbia dhe përse? Është sugjestiv fakti se nga Kina Vuciq çon mesazhe kundër Malit të Zi “të shohim sa njerëz me prejardhje serbe sot jetojnë në atë vend”.
*
Serbia, e ndodhur para faktit se iu zbulua organizimi i agresionit më 24 shtator, dhe pasojat që i di se do t’i pësojë, për shkak se aktrimi i Vuçiq dhe loja e pistë u demaskuan tërësisht, po përpiqet të flirtojë me Kinën dhe Rusinë.
Përderisa në Serbi në rrugë shantazhohet ambasadori Hill dhe madje edhe kërcënohet me vdekje, si një frymë antiamerikane në Serbi, Vuçiq po luan lojën tjetër – atë se mund t’i kthejë shpinën SHBA dhe Evropës, si këmbim me Kinën dhe Rusinë.
BE-ja ia bëri të qartë se Serbia nuk do të mund të hyjë në BE, para se t’i shfuqizojë të gjitha kontratat me Kinën.
Nuk duhet nënçmuar kapaciteti i Serbisë për të manovruar midis taborëve kundërshtare në konstelacionet aktuale të vendeve të ndryshme dhe sidomos të një kundërmimi lufte. Vetëm se, kësaj here Serbia do të detyrohet të përcaktohet hapur për ose kundër Perëndimit.
Në anën tjetër, më shumë se kurrë janë rritur zërat kundër sundimit të Vuçiqit, në vetë Serbinë. Zëra racional, real, që janë lodhur nga atmosfera e luftënxitjes dhe e rrezikut që për interesa të pushtetarëve të futet në izolim Serbia dhe qytetarët e saj.
Një diskreditim presidentit serb po i ndodhë edhe me minoritetin serb. Ai që i ka instrumentalizuar politikisht dhe për gjithçka prej se ka ardhur në pushtet kundër Kosovës, dhe me këtë edhe kundër vetë interesave të minoritetit sepse i ka mbajtur ata dhunshëm të vetë izoluar, për të mbrojtur veten nga organizimi agresionist, po ua lë pataten e nxehtë serbëve vendorë. Si rrallëherë më parë guximi intelektual i një numri qytetarësh serbë ka filluar të këndellen dhe t’i kundërvihen keqpërdorimit të minoritetit, po shpalosin një vizion me frymë evropiane.
*
Serbia për të hequr përgjegjësinë që në fakt e ka për organizimin, përgatitjen dhe furnizimin e grupit agresionist në Kosovë, u përpoq ta paraqiste si të involvuar Bosnjë-Hercegovinën, se gjoja nga atje, nga Tuzlla janë kontrabanduar armët. Beogradi synonte ta involvojë në bashkëfajësi edhe një shtet tjetër.
Kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) Nermin Nikshiq reagoi duke e përgënjeshtruar atë. Ä
Pjesë të përgjegjësisë që nuk i ka nuk mund t’i atribuohen BeH. Dhe kryeministri i saj Nikshiq, pasi tregon kontrollin e rreptë nga ana e NATO-s mbi armët e ushtrisë së BeH e kështu edhe pamundësinë që ato armë të përdorura në Kosovë të jenë marrë nga ky shtet, ai zbulon një tablo interesante të dredhive të Beogradit. Ai pohon: “Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj.”
Nikshiq e tregon edhe burimin e kësaj dezinformata – shërbimet serbe. A3i shtoi: armët e kapura në Kosovë “nuk janë prodhuara në Bosnjë dhe Hercegovinë”, por ato janë “prodhuar në fabrikat serbë të Sllobodës, Krushnikut”.
Dhe ajo çka është më domethënësja: “I bëjmë thirrje Serbisë që në mënyrë transparente të hetojë shkaqet e vërteta dhe të zbulojë publikisht organizatorët dhe nxitësit e vërtetë të sulmit terrorist, sepse ne e dimë se ata e dinë se kush janë ata në të vërtetë” apeloi Nikshiq. Pra, po e nënvizoj: (BeH) e di se ata (Serbia) e dinë se kush janë ata në të vërtetë organizatorët dhe nxitësit e vërtetë të sulmit terrorist në Kosovë.
Ky është një demaskim që i bëhet pretendimeve të Serbisë, dhe bëhet nga një shtet ku NATO dhe faktorë të ndryshëm ndërkombëtar kanë mbikëqyrje. Kjo ka vlerën e dëshmisë, si për të treguar manovrimet serbe për ta hedhur fajin gjetiu, ashtu edhe për të treguar se burimi është nga Serbia. Sulmi që Serbia ia bëri BeH iu kthye si boomerang, duke u bërë kundërsulm demaskues.
Këtë fjalim do të duhej diplomacia kosovare ta shpërndante të plotë, me video, si dhe tekstin në origjinal e në përkthim anglisht.
*

Në kohën kur askush nuk i pengon, faktorët shqiptarë paraqiten në diskrepancë, krejt të panevojshme dhe pa asnjë arsye, gjë që po e dobëson fuqinë e veprimit dhe të ndikimit.
Për shembull, kur ministrja e punëve të jashtme ishte në Samitin e Ministrave të Jashtëm (6 tetor) në Tiranë, ajo u soll si populiste tipike. Ajo shfrytëzoi mediat, për të atakuar kryeministrin Rama, për t’i treguar atij vendin. Një diplomate e mirëfilltë, do të bënte të kundërtën. Do të kërkonte të takohej kokë më kokë me kryeministrin Rama. Thjesht, ta pyesë se çfarë di ai që po deklarohet për kontrollin e veriut nga KFOR-i. T’i dëgjonte argumentet, të dhënat, informatat, dhe pastaj t’i tregonte ato që Kosova di. Kështu do të duhej vepruar, në interes kombëtar, e ju duke treguar muskujt e oratorisë.
Ka edhe më. Kryeministri Kurti mori me vete djalin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jasharin, dhe shkoi në Tiranë për të përcjellë ndeshjen midis Shqipërisë dhe Çekisë. Udhëtimi për Tiranë, dukej si një event, ku do të arrihej pajtimi midis Kurtit dhe Ramës. Fotot e mëpasshme nga stadiumi, treguan të kundërtën. Kosova e Shqipëria ishin të ndarë. Për aq sa unë e njoh protokollin e shtetit, dyshoj se Kurti ka shkuar zyrtarisht. Ai atje ka shkuar privatisht. Përndryshe, po të ishin ndjekur procedurat ndërshtetërore, janë të njohura rregullat e protokollit: Kurti e Rama dhe shoqëruesit e tyre do të ishin së bashku.
Me sa duket më tepër po vijnë në shprehje egot individuale se sa interesat kombëtare. Nuk mund të flasësh për bashkim kombëtar e në anën tjetër t’i thuash kryeministrit Rama se nuk ke të drejtë të flasësh për Kosovën.
Kryeministri Rama po përpiqet të thotë, aq sa mund të thuhet publikisht, se ka çfarë t’i thotë homologut Kurti. Ai po përmend një mesazh të presidentit Klinton, për një gabim që ka bërë Jaser Arafati, dhe që i ka kushtuar e po i kushton Palestinës edhe sot e kësaj dite. Është në detyrën e tij si kryeministër që kur sekush të paralajmëroj për një rrezik të shtetit të cilin e drejton, të kontaktojë e të komunikojë. Asgjë nuk humb, nëse ato që di kryeministri Rama mund të mos paraqesin rrezik real ose të jenë të njohura. Por mund të humb Kosova, po qe se ka për të thënë diçka dhe nuk i jepet rasti të artikulohet konfidencialisht.
*
Nuk ka dyshim që aktualisht Kosova është në avantazh kundrejt Serbisë pas aktit terrorist të 24 shtatorit. Ky avantazh duhet të dihet të artikulohet dhe të konvertohet në qasje të re politike dhe në përmirësimin e imazhit. Nuk është apriori gjithçka e kryer. Është një përmirësim pozicioni, por po qe se nuk valorizohet në bashkërendim me SHBA dhe BE, mund të kthehet bumerang.
Presidenti Macron në Tiranë foli për diçka përtej politikës, për një besim. Ai u shpreh i zhgënjyer se nuk po përmbushet ky besim. Dhe deklaroi mundësi pezullimi të procesit të liberalizimit të vizave. Të nesërmen, BE parashtroi propozimin për aprovim, të mundësisë së një akti të tillë. Kosova duhet të reflektojë, shpejt dhe korrekt. Kosova nuk duhet ta imitojë Serbinë, Kosova duhet të ndjekë rrugën e mëvetësishme, posaçërisht në raport me SHBA dhe BE. Unë e kuptova “çështjen e besimit” si një apel të butë drejtuar Prishtinës, por edhe Beogradit, që të heqin dorë nga qasjet tensionuese dhe ta bëjnë këtë me korrektësi. Përndryshe, situatat mund të kthehen pas.
Në vend që të heshtet dhe të kuptohet thelbi i asaj që u tha, dhe të bëhet përpjekje për të kontaktuar presidentin Macron, për të kuptuar miqësisht se çfarë ai kërkon nga Kosova, nisën ligjërimet se a mundet apo nuk mundet të pezullohet liberalizimi i vizave. Askush në pushtet nuk është në pozicionin që të mund t’i japë mësime dhe t’i tregojë një vendi si Franca, se çfarë mund të bëjë e çfarë jo.
Shtetet evropiane kanë interesa të shumta e të nduarnduarshme, dhe ato nuk janë në gjendje të acarohen për Kosovën. Kosova pikërisht këtu fiton një mundësi tepër të rrallë politike: të tregohet e hapur, bashkëpunuese, korrekte dhe largpamëse. Të bëhet faktor që unifikon me sjelljen evropiane, dhe jo ushqyese e frymës përçarëse. Çdo përpjekje në këtë drejtim të fundit, do të humbasë edhe më besimin. Presidenti Macron po na tregon se besimi edhe në politikë ka një vlerë të madhe, dhe mbase edhe është parakusht për të ecur më tutje. Në këtë aspekt, konsideroj se shumë ka për t’u mësuar nga kryeministri Rama.
*
Përgjithësisht, Kosova po duket mjaft e ngathët në kryerjen e detyrave të politikës së jashtme. Suksesi i 24 shtatorit në vend se t’i bëjë të kuptojnë rreziqet që ende nuk janë shuar dhe të çmojnë kujdestarinë e Perëndimit dhe sidomos të SHBA, unë po shoh avazin e vjetër – një lloj prolongimi, sjellje me ftoftësi ndaj ofertave që vijnë nga SHBA, një lloj indiference, thua se SHBA e ka për detyrë t’i kryejë detyrat tona të shtëpisë.
Nëse ka ndonjë përpjekje të dukshme, ajo është e Vjosës, e cila, sikurse e tha një analist, duket se më në fund, pas gati tri vitesh, e ka kuptuar se si duhet të veprojë si presidente, të paktën në raport me SHBA. Por kjo po duket më tepër po lufton për pozitën e saj dhe një raport personal, mjaft dallues nga ai i Kurtit, ndaj SHBA, se sa që ka fuqi të ndikojë në vendimet e qeverisë.
Fjala vjen, lidhur me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ambasadori J. Hovenier deklaroi për REL (Radio Evropa e Lirë) se “nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrën më të mirë, ne jemi të gatshëm të këshillojmë”.
Ajo që do të duhej të ndodhte menjëherë dhe pa asnjë vonesë, do të ishte që Kryeministri ose të paktën kryediplomatja të dilnin publikisht, ta falënderonin dhe të shprehnin gatishmërinë me mirënjohje për t’u këshilluar, madje edhe duke pohuar se do të krijohet një ekip për këtë. Pa asnjë vonesë, të nisnin kontaktet në kanalet shtetërore.
Në diplomaci prolongimi ose heshtja publike kur duhet prononcim, konsiderohen si mos interesim ose shpërfillje. Kjo duhet të mos ndodhë! Shumë shtete në botë do të ndjeheshin të privilegjuara sikur një gatishmëri e tillë nga ShBA të shprehej paraprakisht dhe në një situatë kritike.
Duhet kuptuar se “këshilla amerikane” është mbështetja më me vlerë që mund të marrë Kosova, për të mbrojtur sovranitetin dhe pushtetin unitar të Kosovës, por edhe për të dalë mirë edhe para botës demokratike, por edhe për të gjetur zgjidhjen më të duhur. Vjosa u deklarua “pro”, por Kurti po hesht. Kjo është një heshtje ogurzezë. Mbi të gjitha, po të bashkërendohet, ShBA po ashtu edhe do të jetë garantë për zbatimin korrekt dhe për mbetjen në kornizat e përcaktuara të vendimmarrjes, si në terren ashtu edhe në përmasat botërore.
Kjo shans ideale, në asnjë rrethanë, nuk duhet humbur.
*
Diplomacia kosovare duhet të kalojë në ofensivë.
Kosova ka tashmë shumë të dhëna për të treguar para vendeve euroatlantike dhe para gjithë botës se Vuçiq vepron njëlloj si Millosheviç, përdor të njëjtat mjete, gënjeshtra dhe mashtrime. Përderisa Vuçiq shprehte gatishmëri për dialog dhe madje tregohej më tepër se Kurti për zgjidhje në tryezë, përgatiste forca agresioniste kundër Kosovës e kundër gjeopolitikës euroatlantike.
Duhet të paralajmërohet bota se Serbia ka një traditë për të kryer vetë krime dhe për t’i akuzuar shqiptarët. Duhet të shpjegohet rasti i vrasjes së të rinjve serbë në Pejë, që njihet si “Panda”, kur Beogradi kishte organizuar vrasjen e tyre për t’ia atribuuar UÇK. Në strategjinë serbe për të mashtruar Perëndimin dhe botën, nuk përjashtohet mundësia që të bëhet përsëri ndonjë veprim i tillë, sikurse tërhoqi vëmendjen gjeneral Qehaja, ish-oficer aktiv në ushtrinë jugosllave, tash i pensionuar.
Shovinizmi serb është në gjendje të vrasë serbë, e të bëj çfarëdo krimi tjetër, që atë t’ia mëveshë shqiptarëve, për të përmirësuar rejtingun e vet dhe për të arsyetuar veprimet agresioniste ndaj Kosovës. Tashmë janë kapur edhe lista ku shihen planet për likuidime nga grupi terrorist serb që u kap më 24 shtator – kjo duhet transmetuar te të gjitha shtetet për të treguar planet e mundshme të Serbisë.
Vuçiq sot, si dikur Milosheviç, është në gjendje të inskenojë gjithçka vetëm e vetëm për të shpëtuar veten dhe për të mbetur në pushtet.
*
Marrja me detajet, në kuptimin e demaskimit të Serbisë me fakte e të dhëna, duhet të jetë e përditshme dhe sistematike, si punë ditore. Porse fokusi diplomatik duhet të jetë në nivel shumë të lartë, në kuptimin që t’i priten valvulet dinakërisë serbë kundër Perëndimit përmes Kosovës.
Lobimi duhet të bëhet me një platformë të qartë, më frymë euroatlantike. Të insistohet se Serbia nga viti 2006 vazhdimisht ka nxjerrë çështje krejt periferike, i ka shndërruar në problematike pa qenë fare dhe pastaj me muaj e vite është marrë gjoja me zgjidhjen e tyre. Shembull i tillë janë: tabelat e regjistrimit të veturave, zgjedhjet komunale në veri që u bojkotuan me urdhrin e Beogradit. Rezultati: thuajse zero. Në krejt çka ka rezultuar dialogu gati dy dekadash janë rreth 40 marrëveshje, që shumica syresh nuk implementohen ose implementohen përkohësisht e pastaj sabotohen.
Kjo qasje ka krijuar terren, hapësirë dhe kondita që Beogradi të manovrojë sa kundër Kosovës aq edhe kundër vendeve euroatlantike, në funksion të shovinizmit të vet antishqiptar por edhe të gjeopolitikës ruse. Këtu janë rrënjët e së keqes për tërë Kosovën, po sidomos për minoritetin serb që po mbahet peng për interesa aspak reale etnike serbe. Dhe për këtë ka shumë mbështetje: mjafton krahasimi i të drejtave që Kosova u ka dhënë serbëve dhe të drejtat që Serbia nuk ua ka dhënë shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Duhet të thuhet me fuqi, së pari sepse është e vërtetë, së dyti sepse kështu shihet se Serbia po kërkon diçka që nuk ua ka dhënë dhe nuk është në gjendje t’ua japë shqiptarëve në Luginë.
*
Marrëveshja finale me njohjen e ndërsjellë në epiqendër është e vetmja rrugë për të ndalur të keqen e cila që nga lufta e vitit 1998-1999 ende nuk është shuar, por vetëm është ricikluar.
Përfitimet themelore nga marrëveshja finale:
– Dy vendet do të obligoheshin ndërkombëtarisht për ta njohur dhe respektuar njëra-tjetrën si vende sovrane, pa të drejtë për të ndërhyrë te njëra-tjetra ashtu sikurse ka bërë në vazhdimësi Serbia kundrejt Kosovës.
– Marrëveshja finale do t’i obligonte të dyja shtetet t’i zbatonin marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, dhe adresimi do të ketë referencë ShBA, BE dhe NATO.
– Minoriteti serb do t’i rikthehej tërësisht normalitetit dhe jetës së vet, për t’u integruar natyrshëm në Kosovë, në lirinë e demokracinë e saj ashtu si komunitetet e tjera.
– Kosova do të vendoste stabilitetin dhe sigurinë edhe në veri të vendit, duke i integruar ato në institucionet shtetërore, në agjencitë e pavarura kosovare, dhe mekanizmat e tjerë socio-ekonomik, kulturor e medial, arsimor e sportiv.
– Organet e sigurisë për nga natyra janë për të gjithë qytetarët pa përjashtim, prandaj edhe të hapura edhe për të gjitha komunitetet, dhe serbët kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e tyre dhe këtë do ta gëzojnë si çdo qytetar tjetër me të drejta të barabarta.
– BE do të rikthente qetësinë në këtë rajon të saj problematik, dhe në vend se të angazhohej për të shuar tensionet e konfliktet, do të angazhohej me projekte infra-strukturore, energjetike, ambientaliste, politike e integruese evropiane.
– NATO do të lirohej nga barra e Kosovës dhe do t’i përqendronte forcat atje ku ka nevojë më shumë paqja e siguria.
– Liria e demokracia do të fitonin, sepse nuk ka liri të mirëfilltë në një vend kur një grup minoriteti privohet nga integrimi në liri, privohet nga një shtet që paraqitet si mbrojtës i tyre; vetëm kur secili qytetar, pavarësisht se cilës përkatësi etnike e religjioze i përket, është tamam i lirë në aspektin politik dhe ashtu sikurse atë e ka definuar qysh John S. Mill – një vend e përmbush lirinë e tij, dhe secili jeton ashtu sikurse është më së miri, por pa e cenuar e dëmtuar askënd tjetër.
*
Me veprimin e saj në funksion të gjeostrategjisë ruse, Serbia i krijoi kondita të paimagjinueshme Kosovës. Serbia qe ajo që me diplomaci thuajse e shtriu për tokë Kosovën, dhe po Serbia me shovinizmin e papërmbajtur agresionist e ringriti diplomatikisht Kosovën. Është një rast që nuk përsëritet. Dhe Kosova duhet të dijë të sillet si aktor serioz, dhe të bëjë poteza që dëshmojnë krejt të kundërtën e sjelljeve të deritashme. Do të jetë gabim, po qe se Kurti, shpejt, shumë shpejt, nuk do të flasë kokë më kokë me homologun Rama, por edhe me faktorët e tjerë relevant shqiptarë në rajon. Shqiptarët janë në një rrethanë, të cilën ata mund ta sendërtojnë optimalisht. Natyrisht nëse koordinohemi si komb dhe me frekuenca amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…