Imeri: Ekonomia joformale e dëmton në shkallë të gjerë buxhetin
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka marrë pjesë të enjten në takimin e radhës të këshillit drejtues të projektit të financuar nga BE-ja: “Mbështetje e mëtejshme institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” me qëllim të diskutimit të raportit tremujor.
Imeri ka thënë se takimet e tilla shërbejnë për vazhdimin e punës së palodhur në ngritjen dhe përforcimin e bashkëpunimit në luftën kundër ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare.
“Ekonomia joformale, pastrimi i parave dhe krimet tjera financiare në tërësi paraqesin një faktor kompleks në natyrë dhe njëkohësisht të rëndësishëm që preokupon të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë, të cilat dëmtojnë seriozisht ekonominë dhe shoqërinë si tërësi, të cilat nuk kufizohen vetëm në sektorin publik por prekin edhe aktivitetet e biznesit duke dëmtuar konkurrencën lojale”, ka thënë ai.
Imeri ka shtuar se ekonomia joformale në shkallë të gjerë dëmton buxhetin e Qeverisë duke ndikuar në dobësimin e infrastrukturës shtetërore. “Në përgjithësi ndikon në uljen e mirëqenies shoqërore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, është shprehur ai.