Imeri: Gjatë vitit 2018, ATK duhet të grumbullojë 446 milionë euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë vitit 2017, ka realizuar të hyra në vlerë prej 392 milionë euro, apo 93 për qind e të hyrave të planifikuara. Kurse, për vitin 2018, është planifikuar që ATK të inkasojë 446 milionë euro të hyra.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri ka treguar se sfidë kryesore mbetet qarkullimi i parave kesh tek bizneset dhe qytetarët.
Përderisa ka thënë se përkundër mungesës së stafit, ATK-ja do të mundohet që të arrijë edhe projeksionet për vitin 2018, e që sipas tij, duhet t’i grumbullojë 446 milionë euro.
Imeri po ashtu ka thënë se nuk kanë arritur t’i inkasojnë 3 milionë euro para nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore të parapara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Ndërsa i kanë kaluar projeksionet e parashikuara të të hyrave nga ligji për faljen e borxheve.
“Viti 2017 ka qenë viti që ka pasur një plan mjaftë ambicioz për të hyra. Në raport me vitin e kaluar ku kemi pasur 385 milionë euro të planifikuara, këtë vit kemi të planifikuar 423 milionë euro. E kemi një situatë mjafte delikate edhe në raport me planin për 2017, pasi prej këtyre 423 milionë eurove kanë qenë të planifikuara 10 milionë euro prej të hyrave që krijon ligji për faljen e borxheve publike dhe 3 milionë euro prej AKP-së, nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore. Deri më tani nuk kemi arkëtuar asnjë euro prej procesit të likuidimit…. Prej ligjit për faljen e borxheve kemi arkëtar mbi 11 milionë euro më shumë se parashikimet. Ndërsa në përgjithësi kemi arkëtuar deri më tani 392 milionë euro. 93 për qind e të hyrave të planifikuara për vitin 2017-të janë arkëtuar deri më tani“, tha Imeri.
Ai ka thënë se për vitin 2018, ATK-ja duhet t’i inkasojë 446 milionë euro të hyra. Ai ka thënë se ndryshimet e politikave fiskale do t’i sjellin të hyra më shumë ATK-së .
“Ndërsa viti 2018 për ATK-në është vit që gjithashtu kemi 23 milionë euro më shumë se në vitin 2017. Janë të parashikuara 446 milionë euro për vitin 2018. Nuk kemi ndryshime që mund të planifikohen pastaj edhe prej normave tatimore. Përkundrazi kemi vendime të Qeverisë të cilat kanë me pasur efekt edhe në të hyra prej faktit se efekti i të hyrave nuk do të jetë në tatime përkundrazi në tatime do të ketë efekt pozitiv, se është vendimi për TVSH-në në lëndë të para për akcizë dhe doganë, e cila në mënyrë indirekte te ne ka ndikuar për rritjen e të hyrave prej 2015 është aplikuar, nuk kanë paguar në kufi dhe ky efekt është prodhuar pastaj në shitjen e produktit final“, tha Imeri.
Po ashtu, thotë se përkundër mungesës së stafit adekuat, resurset e ATK-së do të orientohen më shumë në pjesë ku ka shmangie të tatimeve.
“Në vitin 2018 resurset që i ka ATK-ja t’i orientoj në rreziqet që parashihen prej departamentit të menaxhimit të riskut. Sfidë e vazhdueshme për ATK-në është edhe stafi i kufizuar për me zhvillu aktivitet. Po në përputhje me këtë staf që e kemi përmes departamentit të menaxhimit të riskut, ne planifikojmë ku do t’i orientojmë resurset ku ka potencial për shmangie tatimore dhe mos respektim të plot të ligjit “, tha Imeri.
Sfidë tjetër sipas tij, është edhe qarkullimi i parave kesh nga ana e tatimpaguesve dhe qytetarëve, por kjo thotë se mund të rregullohet me ligj.
“Një sfidë që është e vazhdueshme në Kosovë, jo veç për ATK-në, por në përgjithësi për financat, është prezenca e parasë së gatshme shumë tek tatim paguesit, tek qytetarët. Kjo është një zbrazësi ligjore që ATK-së ia vështirëson punën në raport me prezencën e ekonomisë jo formale. Te prezenca e keshit ne në vitin 2018-2019 kemi pasur një propozim të ligjit, i cili ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e efekteve të ekonomisë jo formale prej faktit se tatim paguesit pagesat e tyre i kanë bërë përmes bankës. …Të ulet pragu i transaksioneve mes bizneseve dhe pagesave të punësuarve të bëhet përmes bankave“, tha Imeri.
Imeri në fund flet edhe për këngëtarët, ku thotë se gjatë vitit që shkoi ka pasur raste kur janë ndëshkuar për mosdeklarim të të hyrave që i kanë realizuar nëpër ahengje. /Kp/