Impakti i ndryshimeve gjeopolitike në pozitën ndërkombëtare të Kosovës

07 shtator 2018 | 12:55

Prof. dr. Blerim Reka

-Paneli I: “Kosova si pjesë e zhvillimeve globale / Ndikimi i tyre në politikën e jashtme të Kosovës”

Hyrje

Duke iu përmbajtur titullit të këtij paneli, në fjalën time do mundohem të elaboroj ndikimin e ndryshimeve gjeopolitike të dekadës së fundit në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe në politikën e saj të jashtme.

Teza ime kryesore është se viti 2018, nuk është 2008-a e aq më pak 1999-a.  Shkurti i vitit 2008, ishte treni i fundit për pavarësimin e Kosovës, sepse po atë muaj, Rusia do fillonte rikthimin e madh në arenën ndërkombëtare. SHBA do tërhiqeshin lehtë nga Ballkani, BE-së do t’i dobësohej shtylla atlantiste, (me BREXIT) e do i forcohej ajo lindore me regjimet populiste.

Ashtu siç 24 marsi 1999, ishte momenti i fundit për çlirimin e Kosovës nga Serbia, po kështu 17 shkurti, ishte i fundit për pavarësimin e Kosovës. Pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, Rusinë e dobët të Jelcinit, do ta zëvendësoj Rusia e fortë e Putinit; sikur që disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po kjo Rusi do të fillonte t’i rikthej pozicionet e humbura strategjike në Detin e Zi, Mesdhe dhe Ballkan. Ky ndryshim gjeopolitik, mbase shpjegon, pse viteve të fundit ndodhi ndalja e njohjeve të reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës?

Globalisht, në dhjetë vitet e fundit u shtuan tendencat militariste, me shtimin e buxheteve ushtarake të fuqive të mëdha, duke arritur sot nivelin më të lartë që nga përfundimi i luftës së ftohtë, në totalin prej 1,7 trilionë dollarësh amerikan.

Në një tubim si ky i sotmi këtu, javën e kaluar në Paris, presidenti Francez Makron në konferencën e ambasadorëve të Francës kërkoi “autonomi strategjike për BE-në” apo siç e quajti ai një “Evropë sovrane në partneritet strategjik me Rusinë dhe Turqinë”; ndërkaq Merkeli pas qëndrimeve të presidentit Trump në samitin e fundit të NATO-s do të deklaronte se siguria evropiane më nuk mund bazohej ekskluzivisht në SHBA-të.

Në Ballkan, ndërkaq dekada e parë e shtetit të Kosovës kaloi në përplasjen për ndikim të perëndimit në një anë dhe të tri fuqive lindore në anën tjetër: Rusi, Kinë dhe Turqi.

  1. Rusia

Rrethanat gjeopolitike në përgjithësi dhe ato në Ballkan në veçanti, dhjetë vite nga shpallja e pavarësisë, pra ndryshuan dukshëm.

Nga unipolariteti marrëdhëniet ndërkombëtare pas vitit 2008 rrëshqitën fillimisht në bipolaritetin e një lufte të re të ftohtë, (SHBA – Rusi), kurse së voni edhe në atë që tash po quhet multipolaritet (me Kinën si fuqi globale në ngritje).

Duket se fillimi i vitit 2008, ishte momenti i fundit për pavarësimin e Kosovës, sepse më vonë do ndryshonte konteksti i përgjithshëm gjeopolitik. Po në muajin e sovranizimit shtetëror të Kosovës, në samitin e sigurisë së Munihut, Putini, do të inauguronte kthimin e madh rus në arenën ndërkombëtare me rikthimin e vokabularit të luftës së ftohtë, sepse siç do shprehej aty: “Shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik ishte gabimi më i madh gjeopolitik”.

“Korrigjimi” praktik të këtij gabimi, do të bëhej vetëm pas disa muajve me aneksimet në Gjeorgji (të Osetisë Jugore dhe Abhkazisë) të Krimesë në vitin 2014, të Ukrainës Lindore në vitin 2015 dhe stacionimit ushtarak në Siri (2016). Përendemi pos reagimit verbal dhe ekonomik, nuk ndaloi marshimin e ri rus.

Si rrjedhojë, NATO-ja pezulloi pranimin e Gjeorgjisë, kurse BE-ja të Ukrainës. Në Siri ndërkaq Rusia rifuqizoi bazën e vetme në Mesdhe, të vetmen që i mbeti nga lufta e ftohtë. Siç vëren me të drejtë Hedlund: “Pas zbarkimit të diplomacisë navale ruse, Mesdheu më nuk është liqeni i NATO-s pa flotën e gjashtë amerikane”.

Me kombinimin e pretekstit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave ruse në shtetet fqinje, me petrodollarin dhe propagandën e lajmeve të rrejshme, Rusia për një dekadë arriti të ripozicionohet globalisht si fuqi botërore.

Si eksportues kryesor i energjisë në tregun e BE-së, me të cilin mban 70% të buxhetit të vet shtetëror, Rusia gjatë dhjetë viteve të fundit modernizoi ushtrinë dhe forcoi propagandën diplomatike.

Politika e jashtme ruse riktheu pozicionet e humbura në fillim të nëntëdhjetave në dy pika strategjike kyçe: në Detin e Zi dhe në Mesdhe, me përpjekjet për t’ju afruar edhe të tretit – Adriatikut pas tentimeve të dështuara për grushtshtete në Mal të Zi (2016) dhe Maqedoni (2017).

Për dallim nga Ballkani Adriatik ku nuk pati sukses, Rusia u pozicionua sigurt në Ballkanin kontinental, para se gjithash në Serbi dhe Republika Serbska.

Derisa në pjesën detare të gadishullit, NATO-ja nga muaji i kaluar mbylli krahun jugor të sigurisë me vendimin për ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë; Moska vazhdoi të penetroj ushtarakisht në Ballkanin qendror.

Pas vendosjes së bazës në Nish dhe armatosjes së Serbisë me avion lufte, muajin e kaluar filloi mbështetjen për krijimin e forcave të sigurisë në Republika Serbska. Pra, pas rikthimit në Kaukaz e Siri, Rusia u stacionua edhe në Ballkan sa më afër daljeve detare, (për në Egje dhe në Adriatik afër kufijve me Kosovën e Maqedoninë).

Rusia, sot, është shumë afër kufijve të Kosovës dhe ky faktor duhet pasur parasysh në projektimet e politikës së jashtme. Sidomos, pas retorikës së shpeshtuar mbi të ashtuquajturin “precedent të Kosovës”, me të cilin Rusia viteve të fundit po tenton të legalizoj aneksimin e Krimesë. Vet Putini disa herë shtroi pyetje, nëse bota njohu të drejtën për vetëvendosje të Kosovës, pse nuk e njeh edhe të drejtën për vetëvendosje të Krimesë? Pavarësisht se janë këto dy raste të pakrahasueshme, nuk duhet përjashtuar tregtinë e madhe Kosovë – Krime midis SHBA-së dhe Rusisë, siç spekulohej para takimit të fundit Trump – Putin në Helsinki, ndonëse kjo zyrtarisht qe mohuar.

Flitet se impakti i kësaj tregtie diplomatike, mund të ishte tërheqja e sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë me tërheqjen e vetos së saj në KS për anëtarësimin e Kosovës në KB. Pikërisht, kur objektivi i SHBA-së mbetet anëtarësimi i Kosovës në OKB, siç do deklaronte kohë më parë zyrtari i lartë i Stejt Departamentit Palmer.

  1. Kina

Dekada e fundit, nxori edhe forcimin global të Kinës si kontribuuesin në ekonominë botërore me 16 për qind. Jo se edhe para 2008-s, Kina ishte e dobët, sidomos si anëtare e përhershme në KS të OKB-së por jo në dimensionin aktual. Në gjysmën e kësaj dekade pos zbarkimit politiko -ushtarak rus në Ballkan, filloi edhe aterrimi ekonomik kinez në rajon. Caku ishin limanet detare dhe korridoret rrugore e hekurudhore, si trampolinë mbështetëse infrastrukturore të eksportit të saj në tregun e BE-së. “Rruga e re e mëndafshit” është megaprojekti kinez që do të afektojë edhe Ballkanin përmes iniciativës rajonale “16 +1” të lansuar në vitin 2012 (me 11 shtete anëtare të BE-së dhe pesë të Ballkanit, pa Kosovën).

Për implementimin e tij, në vitin 2016, Kina do të krijonte fondin prej 10 miliardë euro.

Ftohja kinezo-amerikane pas luftës së fundit doganore, afroi Moskën dhe Pekinin, sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes shekullore mega-energjetike Rusi – Kinë (2016) apo të ashtuquajturin: “Partneriteti i Madh Euorziatik” (“A Great Euroasian Partnership”). Kjo ngase Kina mbetet konsumuesi më i madh botëror i energjisë, por njëkohësisht tregu më i madh për gazin rus, sidomos pas sanksioneve ekonomike dhe embargos energjetike perëndimore pas vitit 2014.

Derisa Rusia është e pranishme në Serbi politikisht e ushtarakisht, Kina vazhdon të jetë ekonomikisht, ku Beogradi mbetet përfituesi më madh i investimeve kineze, apo aq sa BE-ja investoi për tërë rajonin. Pos kësaj pranie ekonomike, Kina mbetet edhe aleat politik i Serbisë së paku që nga viti 1999, nga bombardimet e NATO-s.

Andaj projeksionet e politikës së jashtme të Kosovës duhet pasur parasysh edhe këtë lojtar të dytë të madh global, i cili po ashtu si Rusia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe mban të drejtën e vetos në KS të OKB.

  1. Turqia

Lojtari i tretë i cili, gjatë dekadës së fundit multipolarizoi influencën e huaj në Ballkan ishte Turqia me penetrimin kulturor dhe ekonomik. Programet kulturore të bazuara në trashëgiminë pesëshekullore osmane dhe prania e kompanive turke, e imponuan Ankaranë si fuqi rajonale nga Sarajeva e deri në Tiranë. Me përjashtim të Malit të Zi, nuk ka shtet në rajon që nuk ka marrëdhënie miqësore bilaterale ndërshtetërore me Ankaranë.

Pas afrimit strategjik turko-rus dhe atij ruso-kinez, ndryshoi edhe mozaiku i lojtarëve ndërkombëtar në Ballkan. Në veçanti pas marrëveshjes për partneritet strategjik Rusi-Turqi-Iran (2017), pas rikthimit të sanksioneve ekonomike amerikane ndaj Iranit dhe tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja nukleare me Iranin.

Së voni edhe pas luftës së fundit tregtare SHBA – Turqi (gusht 2018). Afrimi ruso- turk dhe turko-iranian, në dy vitet e fundit pos në rrafshin ekonomik mund të sfidojë edhe raportet bilaterale SHBA-Turqi, edhe në lëmin e sigurisë deri tek sfidimi i anëtarësisë së kësaj të fundit në NATO.

  1. Çfarë politike të Jashtme për Kosovën?

Zhvillimet e tilla globale gjatë dekadës së fundit dhe influencimi i tyre në Ballkan, ndau rajonin në dy sfera të interesit strategjik dhe atë në: Ballkanin Adriatik properëndimor (me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë) dhe Ballkanin Danubian pro rus (me Serbinë e Republika Serbska).

Bosnja e Hercegovina, e dërmuar konstitucionalisht e institucionalisht për brenda dhe e bllokuar jashtë nga vetoja e Banjallukës në politikën e jashtme, mbeti e ndarë midis Rusisë (Republika Serbska) dhe Turqisë dhe Arabisë Saudite (Federata Boshnjake).

Bazuar në zhvillimet e lartpërmendura ndërkombëtare duhet analizuar ndikimin e tyre në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe mbi bazën e kësaj analize të projektohet një politikë e jashtme e saj.

Në Ballkan edhe në vitet në vijim, pritet vazhdimi i kësaj përplasjeje të ndikimeve strategjike. Status-quoja e gjertanishme 15-vjeçare e zgjerimit e Bashkimit Evropian në Ballkan vetëm sa joshi lojtarët tjerë strategjik për të forcuar praninë e vet rajonale. Pas mungesës së gjatë në rajon, NATO-ja dhe BE-ja duhet të rikthehen në mënyrë më proaktive. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, do ta bënte praktikisht që Kosova të kufizohet me NATO-n (Maqedoni, Shqipëri, Mali i Zi) pos kufirit me Serbinë. Pos sigurisë së ¾ të kufijve të saj nga aleanca veri-atlantike, bërja e Maqedonisë shtet i 30 i NATO-s do mbyllte atë që Kopa e quan “vrimën e zezë të influencës ruso-turke në Ballkan”.

Pesë vitet e dialogut të Brukselit nuk arritën cakun e përcaktuar: normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Vazhdimi i kësaj amullie negociuese vetëm do ta përmbushte planin e Beogradit për mbajtjen e Kosovës si konflikt të ngrirë: sa më gjatë jashtë OKB-së; me sa më pak njohje të reja dhe me pozitë sa më të dobët ndërkombëtare.

Prandaj, politika e jashtme e Kosovës, duhet të parandalojë skenarin e konfliktit të ngrirë, sepse diplomacia, fatkeqësisht mësohet dhe u përshtatet fakteve të kryera. A e përmend kush sot pas dhjetë vitesh aneksimin rus të Gjeorgjisë, i cili mbeti konflikt ngrirë, që nga gushti i vitit 2008? Apo tash e katër vite konfliktin e ngrirë në Ukrainën Lindore.

Fatkeqësisht, ky model i sprovuar i konfliktit të ngrirë po mbahet tash e dy dekada edhe me Mitrovicën e veriut, duke propaganduar ndërkombëtarisht Kosovën si shtet të fragmentuar, që dëmtoi jo pak pozitën e saj ndërkombëtare.

Andaj është nevoja për një politikë të jashtme pro-aktive dhe të përditësuar më zhvillimet e fundit gjeopolitike. Me sa kuptova, Ministria e Punëve të Jashtme vepron mbi bazën e më shumë dokumenteve qeveritare dhe ka nevojë për hartimin e një dokumenti strategjik unik. Kjo strategji e politikës së jashtme, do të duhej të bazohej në tri themele, mbi të cilat do ndiqeshin pastaj tri prioritete kyçe.

Këto tri themele të strategjisë së politikës së jashtme do të ishin:

  1. Interesi shtetëror
  2. Aleancat ndërkombëtare dhe
  3. Kompatibiliteti i tyre me orientimin euroatlantik.

Bazuar në këto tri themele, Ministria e Punëve të Jashtme do të ndiqte implementimin e tri prioriteteve kyçe si:

  • Shtimin e njohjeve ndërkombëtare, (së paku deri në 2/3 e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB)
  • Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB (dhe organizatat tjera ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, OSBE, NATO dhe BE).
  • Përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi me marrëveshje obliguese juridike për njohje reciproke ndërshtetërore.

Vetëkuptohet se në një prezantim të shkurtër si ky sot, nuk mund të operacionalizohen më tutje prioritetet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, që i mbetet Ministrisë së Jashtme, por në vijim vetëm do të përmend thelbin e tyre.

Nuk zbuloj asgjë të re nëse them se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës në kufijtë ekzistues, mbetet interes kyç shtetëror. Mbrojtja e këtij interesi si udhërrëfyes për politikën e jashtme të Kosovës, duhet të jetë në korrelacion me aleancat strategjike, pra me komunitetin euroatlantik. Nëse synim strategjik i Kosovës tash e një shekull ishte çlirimi nga Serbia dhe shtetëzimi i saj; dhe nëse kjo u arrit falë mbështetjes së aleancës më të fuqishme ushtarako-politike në botë, cilido projeksion strategjik i politikës së jashtme të Kosovës duhet të respektoj kompatibilitetin e interesit shtetëror me interesat strategjike të aleatëve tanë perëndimor.

Kombi shqiptar dhe shteti i Kosovës mbeten më pro amerikanët në Evropë me bazën më të madhe të NATO-s në Ballkan (Bonstill) dhe së shpejti me bazën e parë ajrore të NATO-s në rajon (Kuçovë). Tash duhet analizuar nëse edhe SHBA-ja në dekadën që vjen do të ketë në fokus Ballkanin dhe rrjedhimisht Kosovën?

Si shtet i ri dhe i vogël, Republika e Kosovës nuk mund të ekzistoj pa aleatë të mëdhenj. Fundja shtetet e vogla kanë pozitë specifike në marrëdhëniet ndërkombëtare, por ca nga to duke qenë në udhëkryqin gjeostrategjik mund të kenë edhe peshë domethënëse në politikën e jashtme. Së paku këtë pozitë deri më sot e gëzonte Kosova si udhëkryq i dy korridoreve rrugore pan evropiane: 8 dhe 10, dhe afër dy korridoreve energjetike “Turkih Steam” dhe TAP.

Vetëkuptohet edhe për Kosovën mbetet sfida e njëjtë si për të gjitha shtetet e vogla, si t’i ruajnë kufijtë, pra integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror?

Sidomos në situatën kur ajo: për brenda, ende nuk ka shtrirë sovranitetin e vet në çerekun e territorit, ndërkaq jashtë ende nuk është anëtare e OKB-së shkaku i vetos ruse në KS.

Rezoluta 1244/99, ndonëse relikt virtual jashtë realitetit aktual, mbeti pengesa e fundit për pengimin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Strategjia e politikës së jashtme të Kosovës nëse nuk mundet ta ç’bëj këtë rezolutë (shkaku i procedurës në KS), atëherë me aleatët e vet, së paku duhet ta relativizoj sa më shumë: siç bëri muaj më pare Britania e Madhe si kryesuese e KS të OKB-së, duke ndaluar diskutimin periodik për implementimin e saj, apo duke kërkuar tërheqjen e UNMIK-ut siç kërkojnë SHBA-të kur e kritikojnë atë si një “staf aq i madh, me përgjegjësi aq të vogël”.

Më tutje, kjo strategji duhet të fokusoj veprimin diplomatik, jo vetëm tek shtetet që e kanë njohur Kosovën (116 sish), por shumë më tepër tek ato që nuk janë shprehur kundër njohjes, si dhe tek ato që e kundërshtojnë njohjen e saj (rreth 60 sish).

Në vend të përfundimit, një strategji e politikës së jashtme të Kosovës është imediate dhe konform saj, një plan veprimi me prioritete të periodizuara për dekadën e dytë të Republikës së Kosovës.

(Ky fjalim është mbajtur në Konferencën e Pestë  të Ambasadorëve në Prishtinë, 6 – 7 shtator / Fusnotat i ka hequr redaksia)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet…