Implementimi i tatimit në toka, një nga reformat më të rëndësishme për komunat
Komiteti Drejtues i projektit ‘Pro Tax 2’ ka mbajtur të enjten takimin e radhës të kryesuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, përfaqësuesit e Ambasadës suedeze në Kosovë, përfaqësues të SIDAS-së, si dhe përfaqësues të komunave të tjera.
Në këtë takim pjesëmarrësit i vlerësuan lartë rezultatet e arritura të projektit ‘Pro Tax 2’, me theks të veçantë implementimin e tatimit në toka, si një nga reformat më të rëndësishme për komunat e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza duke falënderuar partnerët nga Ambasada suedeze dhe SIDA suedeze për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë projekt, ka theksuar se Ministria e Financave i ka kushtuar vëmendje të shtuar reformës së tatimit në pronë, me fokus të veçantë në zbatimin e tatimit në tokë, për shkak të rëndësisë madhore të këtij projekti për komunat e Kosovës dhe jo vetëm.
Sipas tij, edhe pse është një proces teknikisht shumë sfidues, mund të them se ja kemi dalë të fillojmë implementimin e tatimit në toka.
“Jemi në rrugë të mbarë për sa i përket plotësimit të kuadrit ligjor me aktet e nevojshme nënligjore. Para dy javësh është miratuar një akt tjetër nënligjor mjaft i rëndësishëm për procesin, Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Ankimit. Udhëzimi ka një rëndësi themelore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve si dhe përmirësimin e mëtejmë të të dhënave në regjistrat e tatimit në pronë”, ka thënë ministri Hamza.
/Epoka e re/