Importi në muajin nëntor kapi shifrën 305.7 milionë euro

23 dhjetor 2020 | 14:36

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2020.

Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-0.9 për qind) në muajin nëntor 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 259.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 262.2 milionë euro në vitin 2019.

“Eksporti mbulon importin me 15.0 për qind. Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2020 kishte vlerën 45.7 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rritje prej 29.4 për qind për eksport dhe 2.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, është thënë në raportin e ASK-së, duke shtuar se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit; 34.2 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.4 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 4.4 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 9.3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.0 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Sipas ASK-së, sa u përket vendeve të BE-së, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (11.0 për qind), Gjermania (9.8 për qind), Holanda (4.2 për qind).

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 16.9 milionë euro, ose rreth 37.0 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 8.5 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (11.0 për qind), Gjermania (9.8 për qind), Holanda (4.2 për qind), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 139.0 milionë euro, ose 45.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.8 për qind). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0 për qind), Italia (7.3 për qind), Greqia (3.6 për qind), Polonia (3.0 për qind), Slloveni (3.0 për qind) etj”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, në muajin nëntor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.1 milionë euro, ose 39.7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.1 për qind.

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.8 për qind), Maqedonia e Veriut (10.6 për qind), Serbia (6.5 për qind), dhe Mali i Zi (3.7 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2020, arritën në 64.1 milionë euro, ose 21.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.6 për qind), Serbia (6.5 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (5.5 për qind). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë euro, ose 23.4 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (10.1 për qind) dhe ShBA (7.5 për qind)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 102.4 milionë Euro, ose 33.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.9 për qind) dhe Kina (10.6 për qind).

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi, ka…