Importi nga Serbia ka rënë për 99.5 përqind, është rritur nga Shqipëria e Maqedonia

19 shkurt 2019 | 23:55

Po bëhen tre muaj që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës 100 % ndaj mallrave serbe të importuara në Kosovë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se ka rënie të importit të mallrave nga Serbia për 99.5 përqind krahasuar me periudhat paraprake.

“Që nga ndalesa e deri tani kemi import rreth 700.000 mijë euro importe po aq kanë paguar edhe taksa pasi është 100%.”, ka thënë Stavilevci duke e shtuar se lënda e parë është ajo që importohet më shumë nga ky shtet.

Ai tutje ka treguar se importi i mallrave është rritur nga shtetet fqinje, Shqipëria dhe Maqedonia.

“Kemi rritje të importeve nga Shqipëria me 40% si dhe nga Maqedonia me mbi 10%”, ka deklaruar Stavileci për “rtv 21.tv”. Ai po ashtu ka përjashtuar mundësinë e kontrabandimit të mallrave nga Serbia, duke thënë se nuk është vërejtur ndonjë tentim i tillë.

“Nuk kemi vërejtur rritje të tentimeve për kontrabandim”, ka thënë Adriatik Stavileci.

Rikujtojmë se vendosja e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, ka ngjallur shumë reagime. Kjo masë është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Kjo e fundit i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që të heqë taksën në mënyrë që të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi. Kjo pasi që Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se kjo Qeveri…