Importi rritet për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2018.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 23.5% në muajin qershor 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 268.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 217.4 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 12.1%.
Eksporti i mallrave në muajin qershor 2018 kishte vlerën 37.1 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rënie prej (-2.8%) për eksport dhe një rritje prej 19.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 25.9% e përbëjnë produktet minerale; 10.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 7.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4% e përbëjnë produktet bimore; 4.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 3.4% e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 2.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% të importit e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 4.4% e përbëjnë produktet bimore etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 13.3 milionë euro, ose rreth 35.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Sllovenia (9.9%), Gjermania (5.6%), Holanda (4.2%), Britania e Madhe (3.4%), Italia (2.6%).
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 140.2 milionë euro, ose 45.9% e importeve të përgjithshme, një rritje prej 28.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (15.4%), Italia (7.1%), Greqia (3.6%), Spanja (3.5%), Polonia (2.5%) etj.
Në muajin qershor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.4 milionë euro, ose 47.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (14.4%), Serbia (13.4%), Maqedonia (11.8%), Mali i Zi (5.2%).
Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor 2018, arritën në 80.8 milionë euro, ose 26.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (-12.8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.3%), Shqipëria (6.7%), Maqedonia (4.8%) dhe B&H (2.1%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.3 milionë euro, ose 17.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra me 10.1%.
Ndërkaq importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 84.6 milionë euro, ose 27.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.0%) dhe Kina (8.7%).
/Epoka e re/