Imran Khan shpall fitoren në zgjedhjet në Pakistan
Lideri i opozitës në Pakistan, Imran Khan, ka shpallur fitoren e partisë së tij Tehrik-e Insaf në zgjedhjet kombëtare që u mbajtën të mërkurën.
“Faleminderit Zotit, ne kemi fituar dhe kemi qenë të suksesshëm. Me dëshirën e Zotit, do të japim shembull”, ka thënë Khan në një fjalim televiziv.
Me gati gjysmën e votave të numëruara, partia e Khanit është në epërsi.
Por, partia që mban aktualisht pushtetin, Liga Myslimane e Pakistanit, dhe disa parti të tjera i hodhën poshtë rezultatet dhe thanë se ka pasur manipulim të madh me vota.
Kryekomisionari i Zgjedhjeve, Sardar Mohammad Raza, ka thënë se “zgjedhjet kanë qenë 100 për qind transparente dhe të drejta”, por nuk dha afat të saktë se kur do të dalin rezultatet e plota.
Gati 106 milionë qytetarë kanë pasur të drejtë vote për Asamblenë Kombëtare prej 342 ulësesh dhe për asambletë në provincat Khiber Paktunkva, Punxhab, Sind dhe Baluçistan.
Imran Khan, i shkolluar në Universitetin e Oxfordit, e ka çuar Pakistanin në fitore të Kupës Botërore në Kriket, në vitin 1992. Ai ka hyrë në politikë më 1996.