Imzot Dodë Gjergji: Adem Demaçi e kishte ideal lirinë dhe atdheun
Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë, meshën e së dielës ia ka kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka bërë me dije se një grup besimtarësh kanë kërkuar që kjo meshe t’i kushtohet veprimtarit Adem Demaçi.
Ai ka thënë se Adem Demaçi si ideal ka pasur lirinë dhe dashurinë ndaj kombit.
“Kisha nuk përton t’i bashkohet lutjes së besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë për shpirtin e një atdhetari, për shpirtin e një njeriu i cili në gjithë jetën e vetë e ka pasur ideal lirinë, e ka pasur dashurinë ndaj kombit dhe e ka dëshiruar me gjithë zemër të mirën e të gjithëve në këtë vend. Ai sot nuk është më me ne, iu bashkua një atdheu të ri që është atdheut qiellor, vendi i përbashkët i të gjithëve. I është bashkuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i është bashkuar gjithë burrave e grave që kanë sakrifikuar në të kaluarën, i është bashkuar njerëzve që i kemi njohur, Shën Nënë Terezës që ia kemi kushtuar këtë kishë, martirëve të Shqipërisë, imzot Mark Sopit, Ibrahim Rugovës, është bashkuar me Arbën Xhaferin. Është bashkuar me gjithë njerëzit që kanë kaluar nga kjo jetë në amshim dhe përpara Zotit dhe së tij sigurisht e sheh ndryshe botën, e sheh ndryshe jetën, i sheh ndryshe edhe ata me të cilët është bashkuar. Na sheh ndryshe edhe ne nga dritarja e atit tonë qiellor që po lutemi për të”, ka thënë ai.
Imzot Dodë Lush Gjergji gjatë kësaj meshe ka pasur edhe një porosi, duke thënë se populli i Kosovës sot ka nevojë për të gëzuar lirinë e vet.
“Populli jonë sot ka nevojë që këtë liri të mos e përbuzë, por ta vë në shërbim dhe në dobi të gjeneratave të reja dhe duhet ta kuptojmë si falënderim ndaj Zotit për të gjithë ato gjenerata që kanë sakrifikuar për liri. Paqja duhet të jetë ushqim i përditshëm për secilin prej nesh, sa shumë kemi nevojë me u pajtua me njëri tjetrin, sa shumë ka nevojë njeriu jonë me u pajtua me vetveten. Pa pajtim të sinqertë na nuk mund të presim një udhëtim të mirë drejt të ardhmes”, ka thënë imzot Dodë Lush Gjergji
Pjesëmarrës në këtë meshë për veprimtarin Adem Demaçi, ishin edhe dy fëmijët e tij, Abetarja dhe Shqiptari.
Ata kanë shprehur falënderimet e tyre që kjo meshë e së dielës i është kushtuar shpirtit të babait të tyre.
Abetare Demaçi ka thënë se babai i saj ishte njëri i kombit dhe që ishte njeri që ka besuar në Zot.
“Sot unë dhe vëllai erdhëm për të qenë pjesëmarrës të kësaj meshë e cila ishte një meshë e mrekullueshme dhe shumë e organizuar. Ne ishim shumë të lumtur që kemi qenë pjesëmarrës të kësaj meshe për hir të babait tonë, Adem Demaçit dhe i falënderojmë shumë për këtë shërbesë”, ka thënë ajo.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik, ndërsa është varrosur më 28 korrik në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.