
Imzot Dodë Gjergji uron Pashkët: Edhe pse po na gjejnë në një Kosovë që rënkon, të ruhet qetësia e shpirtit
Ai tha se edhe pse kjo Pashkë e gjen botën e përgjakur, një Evropë të përçarë dhe një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, ftoi të ruhet qetësia e shpirtit, shkëlqimi i shpresës dhe ngushëllimi i fesë.
“Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo. Sot, kur bota na mban nën ankthin e pasigurisë, nën trysninë për t’iu nënshtruar vullnetit të të fuqishmëve, dhe kur lakmia për pasuri bën që zemrat e shumëve të vuajnë nën peshën e padrejtësisë; kur shpresat janë të mpira dhe jetët e të pafajshmëve në rrezik, ndërsa rruga drejt së nesërmes duket gjithnjë më e errët – atëherë fjala e Engjëllit pranë varrit të zbrazët tingëllon shpresëdhënëse dhe e guximshme: Mos kini frikë… Është ngjallur! (khs. Lk 24,5-6) dhe merr kuptimin e vet të plotë hyjnor” .
“Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona, që trondit rendin e zakonshëm të kësaj bote. Janë përmbysje e logjikës njerëzore dhe rilindje e përditshme që buron nga pagëzimi me ujë e Shpirt Shenjt. Pashkët na ndryshojmë nga brenda, për të qenë të qëndrueshëm përballë sfidave që vijnë nga jashtë”, tha Dodë Gjergji.
Tutje, Dodë Gjergji tha se lut Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet njerëzve në vend dhe në mbarë botën të bëhen qëllimi i përbashkët.
“Sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi shoqërore, politike dhe ushtarake, të cilët janë të thirrur të çlirohen nga urrejtja, cinizmi dhe mentaliteti i vetë-mjaftueshmërisë – pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo”.
“Sepse jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja”.
“Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë”, tha Dodë Gjergji.