In Memoriam
Shkruan: Leart Hoxha
Ndeshja e hendbollistëve të Prishtinës me Arkatronin e Minskut në Ligën Sfiduese, më 16 shkurt 2008, është një prej atyre momenteve sportive që nuk harrohen, për shkak të atmosferës së krijuar, për shkak se pas fitores rrugët e Prishtinës u vërshuan nga njerëz që festonin diçka shumë më të madhe se një ndeshje hendbolli, por edhe për shkak se kur u shpalos transparenti Welcome to Independent Kosova, Agim Binaku shpërtheu në vaj.
Komentatorët e sportit jetojnë për këto momente, momentet që ua garantojnë vendin në sigla televizive dhe momentet që zërin dhe fjalët e tyre i skalisin në mendjet e njerëzve. Momentet që ua sigurojnë pavdekshmërinë!
Agim Binaku këso momente ka pasur, mbase më shumë se në të gjithë dhe nëse ky është kriteri për pavdekshmëri, ai e ka plotësuar moti. Vetëm një ditë më vonë, Agimi ishte pjesë e ekipit të gazetarëve të RTV 21 që mbuloi ditën e pavarësisë së Kosovës, festimet për të cilin sikur nisën nga komentimi i tij. Por, për të bërë tregim për Agim Binakun duhet të kthehemi shumë më herët në kohë, në mesin e viteve të 70-ta dhe në Radio Prishtinë.
Në këtë medium, Agimi kishte nisur të punojë më 1976 si gazetar i sportit, fillimisht në programin e dytë për të kaluar më pas në programin e parë dhe në pasditen argëtuese sportive, emisionin hit të kohës dhe emisionin kult shikuar nga perspektiva e sotme. Zhvillimi i Agimit si gazetar dhe reporter ka qenë ngushtë i lidhur me rritjen e Klubit të Futbollit Prishtina në futbollin e atëhershëm jugosllav.
Në të vërtetë, janë pikërisht ndeshjet e Prishtinës, gjeneratës së prirë nga Vokrri, dhe ekipeve tjera që luanin në liga federative, ato që zërin e Agim Binakut, bashkë me atë të Azem Brovinës e kolegëve, e bënë pjesë të fundjavave të secilës shtëpi të Kosovës. Janë fjalët e tij, gjithmonë të zgjedhura me shumë pedanteri, ato që sot e kësaj dite shërbehen për të shpjeguar golat, aksionet, fitoret, gëzimet, humbjet, trishtimet, vështirësitë dhe gjithë atë që bën sportin këtë që është dhe radio transmetimin lojë magjike fjalësh.
Përvoja e akumuluar i mundësoi që më vonë të marrë edhe ngjarje kulmore ndërkombëtare, ndër të cilat pa dyshim duhet veçuar Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë më 1984, Eurobasketin e 87’ës në Athinë, Universiadën e po të njëjtit vit në Zagreb dhe Botërorin e futbollit Italia ’90. Në fakt Botërori i 90’ës është një prej episodeve më të rëndësishme në karrierën e tij. Po flasim për kohën kur ishte në zenit si reporter dhe derisa ishte në Itali duke mbuluar ngjarjen më të madhe sportive, në Prishtinë, regjimi i atëhershëm vendosi masa të dhunshme dhe mbylli RTP-në.
Pasi transmetoi nga San Paolo, Giuseppe Meazza dhe Olimpico, e gjeti të mbyllur RTP-në dhe filloi të përcjellë ndeshjet në Llukar, Dumnicë e livadhe poshtë e përpjetë Kosovës. Koha kërkonte adaptim në rrethana dhe në rastin e Agimit nënkuptonte adaptim nga gazetaria e radios në atë të shkruar. E vetmja gjë që nuk kontestohej ishte dashuria për gazetarinë dhe për sportin.
Në të 90at Agimi ishte themelues dhe botues i Top Sportit, revistës sportive që ishte ndër të rrallat burime informimi për sportin e Kosovës aso kohe, kurse sot është burim i çmueshëm për referenca dhe arkiv.
Angazhime kishte edhe në botime tjera, gjithsesi të pakta të kohës, për të veçuar një marrëdhënie më të gjatë dhe të veçantë me Botën Sot. Duke mos ikur asnjëherë nga sfida, më 1998 iu bashkua një numri të kolegëve entuziastë për të punuar në një radio në internet, koncept ky, para 20 vjetëve jo fort i njohur ndër kosovarë.
Ajo radio në internet, quhej Radio 21 dhe sot është ndër liderët e tregut medial në Kosovës, me Agim Binakun ndër fytyrat kryesore. Në fakt, pikërisht kur Radio 21, u bë Radio Televizioni 21, Binaku ishte para një sfide tjetër, pas radios dhe gazetës, tashmë po sprovohej në televizion. Duke mos ikur asnjëherë nga sfida, ndonjëherë edhe me tekanjoz dhe këmbëngulës se që duhej, Agimi nisi me emisionin 2 me 1.
Emisioni 90minutësh i konceptuar si magazinë sportive, me qëllim që qartë të dallohet nga pasqyra sportive, koncepti që kishte dominuar në Kosovë, 2 me 1 sot është standardi për secilin emision sporti në Kosovë dhe më gjerë. Pas gati 900 emisioneve, mund të thuhet se 2 me 1 si ka shërbyer si emision informues, debatues dhe edukativ për shikues, gjyqtarë, trajnerë, për vetë sportistët e kolegët gazetarë.
Ndër gjenerata më të reja, Agimi mbahet në mend për transmetimet e Superligës së Kosovës në basketboll, futboll, hendboll e sporte tjera, gjithnjë afër sportit vendor, gjithnjë duke ndjekur zhvillimet në dhe rreth tij.
Dhe, pas shumë e shumë viteve punë dhe bashkë jetesë me pak të mirat dhe shumë vështirësitë e sportit në Kosovë, ishte një tjetër moment i madh i sportit të Kosovës, që Agimi e priti në vaj, e që u kap në foto dhe bëri xhiron e botës. Reagimi i tij me rastin e pranimit në UEFA ilustron më së miri gjendjen e dikujt që është lodhë me shpirt, duke pritë atë që e konsideron të drejtë të veten. Të shoh dhe të përjetojë vendin e vet duke garuar si të gjitha vendet tjera. Ndërkombëtarizimi i sportit dhe ndeshjet në kuadër të FIFA-s, IHF-së, e federatave tjera ndërkombëtare bashkë me sukseset e Majlinda Kelmendit i dhanë edhe më shumë kuptim punës së tij për një çerek shekulli izolim të sportit.
Paralelisht me karrierën në gazetari sportive, përvoja e tij e madhe dhe prezenca gati njëzet vjeçare si pjesë e 21shit, kishin bërë që të merrte edhe poste tjera brenda kompanisë dhe vdekja ta gjejë në postin e zv.drejtorit të Departmentit të Informacionit dhe Sportit. Ata që e kanë përcjellë e kanë ditë që është adhurues i madh i lojës së shpejtë dhe të rrjedhshme. Ne që e kemi njohur, e kemi ditur se ka jetuar shpejtë dhe bujshëm. Të gjithë do të kemi pse ta kujtojmë si të tillë.