IN MEMORIAM…!

20 mars 2025 | 15:46

Shkruan: Reshat Nurboja
Qaush Selcen nuk e kam njohur me parë…Emrin e tij përherë të parë e kam dëgjuar në burgun e Dubravës gjatë periudhës kohore para ndodhjes së Masakrës në këtë burg….Ishte i burgosur në pavijonin C, pavijonin e izolimit ku isha edhe unë në përdhese të këtij burgu vetë i katërti…. Qaushi ishte i burgosur po ashtu në përdhese të atij pavijoni por në krahun tjetër ku ishin vetmitë, gjegjësisht dhomat me një të burgosur….Në burgun e Dubravës – pavijonin C, pothuaj të gjithë të burgosurit shqiptarë janë rrahur pamëshirshëm por ata të krahut të vetmive janë rrahur shumë më shumë se të tjerët, e në ketë drejtim mendoj e vlerësoj se më se shumti është rrahur Qaush Selca, të cilin nuk ka patur ditë e ndonjëherë nga dy tre herë brenda ditës e edhe në orët e vona të pasmesnatës, që gardianët serb e ndonjëherë edhe me ndonjë paramilitar apo rezervist serb që nuk vinin të rrahnin të burgosurit shqiptarë në vecanti ata të vendosur në përdhesen e pavijonit C në burgun e Dubraves…..Asnjë ditë apo natë nuk ka kaluar që Qaushin e dy tre të burgosur tjerë nga vetmitë nuk e kanë nxjerr jashtë nga qelitë në korridor dhe nuk i kanë rrahur me dhjetëra minuta, deri në alivanosje….Emri i Qaushit në dallim nga emrat e të burgosurve tjerë më ka mbetur në mendje e kujtesë pasi që kur hapej dera e ndonjë të burgosuri mbretëronte një qetësi më e zymtë e më e frikshme se në varr…Dëgjoheshin vetëm hapat e gardianëve gjakpirës serb dhe tingëllima e çelësave te qelive që pasqyronte hapjen e derës të dhomës së caktuar e përcjellë me zërat, britmat e gardianëve serb dhe atyre që ishin me ta….Kur fillonte hapja e dhomave të burgosurve të gjithë i vishnim nga dy tre palë pantallona, xhemperë dhe pritnim kush e kishte radhën të nxjerrët jashtë nga dhomat dhe të i nënshtrohet rrahjes dhe torturave më të tmerrshme psikike…
Qaushin e shanin, e kërcënonin dhe e pyetnin se si nga polici që ishte dikur ia ka kthye shpinën dhe pushkën Jugosllavisë e Serbisë dhe i është bashkangjitur si komandant terroristëve mendonin në UÇK….Fillonin me provokime cinike të cilat pasonin me rrahje barbare….U dëgjonte vetëm zhurma e “pendrekave”, shkelmave, grushteve dhe britma nën zë e Qaushit për një kohë jo të shkurtë dhe pas disa minutave u rikthejke ajo qetësia e varrit, se dëgjohej tërheqja zvarrë e Qaushit, sigurisht pa ndjenja dhe mbyllja e derës së qelisë se tij….Në ato rrethana në dhomat tjera mbretëronte një heshtjeje e zymtë, ishte e pashmangshme frika apo ndjenja tek ne të burgosurit tjerë se cila dhomë do të hapet dhe cili nga të burgosurve shqiptarë do ta ketë “fatin” e një tretmani të tillë shtazarak serb me rrahje, detyrim të këndimit të këngëve çetnike serbe siç ishte p.sh. Ko to kazhe ko to llazhe da je srbija malla e të tilla…
….Qaush Selca kishte “probleme” edhe me disa të burgosur që mendonin se patriotizmi kombëtar është patentë dhe e drejtë vetëm e tyre dhe ai duhet konceptuar e trajtuar siç thonë e mendojnë ATA…Në jo pak raste kur flisnin jo mirë për Ibrahim Rugovën, Qaush Selca nuk mundte të heshte e të mos i kundërshtonte me ngulm e shpirtërisht konstatimet e tilla duke folur në superlativ për Ibrahim Rugoven…Konfrontimet e tilla përfundonin me kecnimet drejtuar Qaushit se do ta sheh Ai kur leshohet nga burgu…Në Merdare do ta presin shokët e atyre patriotëve e do ta shohin a do të ketë guxim ta madhështoj ashtu Ibrahim Rugovën sikurse këtu në burgun e Mitrovicës së Sremit, dhoma numër 3….! Qaush Selca vetëm buzëqeshte dhe vazhdonte ta adhuronte e fliste me përkushtim e besim të pa lëkundur për Ibrahim Rugovën dhe LDK-në… Kuptohet po flas për vitet e 90-ta të shekullit të kaluar… Bash më kishte interesuar mendimi dhe vlerësimi Qaush Selces për LDK-në e sotme…!
Me Qaushin isha edhe në Burgun e Lipjanit e edhe në atë të Mitrovicës së Sremit
Respekt dhe nderim përjetësisht Qaush Selcës për qëndrim burrëror dhe njerëzor në burgjet e Serbisë gjatë vitit 1999…!
Pushoftë i qetë në botën e përtejme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka konfirmuar bastisjen në…