In memoriam / Vigani i studimeve të gjuhës e të historisë kombëtare
Formimi i gjerë linguistik që prof. Ajeti e mori në qendra të mëdha dhe me traditë të gjatë universitare si në Zagreb, në Romë etj. i krijoi kapital të pasur teorik që të merrej me kompetencë me hulumtime shkencore-gjuhësore albanologjike e ballkanologjike, të cilat do të kurorëzohen me vepra shumë të çmueshme dhe me vlerë të përhershme shkencore
Hasan Mujaj
Trembëdhjetë shkurt dy mijë e nëntëmbëdhjetë. U nda nga jeta akademik Idriz Ajeti, intelektuali i formatit sipëror me erudicion yjëzues shkencor e arsimor, studiuesi i spikatur i gjuhësisë shqiptare e ballkanike. Por, u nda nga jeta vetëm fizikisht sepse emri i tij zulmëmadh do të jetë prore i pranishëm dhe i cituar në studimet albanologjike dhe në historinë e kulturës sonë kombëtar.
Nëse Shkolla Linguistike e Gjenevës njihet nga themeluesi i gjuhësisë moderne evropiane dhe i semiotikës Ferdinand de Sosyri; nëse Shkolla Linguistike e Kopenhagës, e njohur me emërtimin glosematikë, identifikohet me themeluesin e drejtuesin e saj Luis Hjelmslevin; nëse Shkolla Linguistike e Pragës njihet nga “babai” i saj Nikola Trubeckoi; po qe se studimet e albanistikës të Shkollës Linguistike të Tiranës identifikohen me emrin e indoeuropeistit dhe ballkanologut zëmadh prof. dr. Eqrem Çabej, prijës dhe drejtues me kompetencë të lartë shkencore i Shkollës Albanologjike të Prishtinës për vite të tëra qe dhe mbeti edhe sot e gjithë ditën prof. dr. Idriz Ajeti, njëri nga studiuesit më të merituar dhe linguistikisht më të formuar të shkencave të gjuhësisë shqiptare dhe ballkanike.
Në sintagmat e sipërthëna leksema “shkollë”, e përdorur në tejbartje konotative, nënkupton një drejtim, një formacion të tërë linguistik, i cili karakterizohet nga arritjet e mëdha shkencore ashtu siç nënkupton edhe një vatër të afirmuar arsimore – shkencore, nga e cila po ngrihen e do të ngrihen edhe në të ardhmen dijetarë të rinj të studimeve të filologjisë moderne. Pikërisht nga kjo vatër dijeje rrodhi ndriçimi i shkëndijave diturore, arsimore e shkencore të prof. Ajetit të ekzekutuara përmes qindra ligjëratave, kumtesave, referateve, koreferateve si dhe shumë botimeve të veçanta, të cilat ravijëzuan hulli të reja arritjesh shkencore të gjuhësisë shqiptare.
Shkolla albanologjike e Prishtinës, e prirë nga prof. Idriz Ajeti, i tejkaloi caqet kombëtare dhe, sidomos përmes Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, për themelimin e të cilit prof. I. Ajeti qe njëri nga më të merituarit, u afirmua edhe në qendrat më të njohura të studimeve të filologjisë ndërkombëtare. Ajo i dha shtysë të re nxitëse shtrirjes së gjerë të interesimit të studiuesve të huaj jo vetëm për gjuhën e letërsinë shqipe, por edhe për historinë, arsimin, artin dhe vlerat e tjera të kulturës shqiptare.
Në këtë mënyrë ky Seminar, i drejtuar vite me radhë nga prof. Ajeti, krijoi një pasqyrë të ndritur objektive rreth prestigjit nacional (shqiptar) në relacionet ndërkombëtare në pikëpamjen diakronike dhe sinkronike.
Kontributi i prof. I. Ajetit shtrihet në shumë fusha të dijes nga të cilat dy janë mbizotëruese: 1. fusha e kërkimeve shkencore-linguistike dhe 2. fusha e arsimit dhe e ngritjes së institucioneve shkencore në Kosovë.
1. Kërkimet shkencore-gjuhësore
Formimi i gjerë linguistik që prof. Ajeti e mori në qendra të mëdha dhe me traditë të gjatë universitare si në Zagreb, në Romë etj. i krijoi kapital të pasur teorik që të merrej me kompetencë me hulumtime shkencore-gjuhësore albanologjike e ballkanologjike, të cilat do të kurorëzohen me vepra shumë të çmueshme dhe me vlerë të përhershme shkencore.
Disa nga veprat e këtilla të prof. Ajetit janë: Historia e gjuhës shqipe, Kërkime gjuhësore, Studime gjuhësore I. II, III, IV, Studime gjuhësore në fushë të shqipes, Shqiptarët dhe gjuha e tyre, Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëreshëve të Zarës etj.
Interesimi i prof. Ajetit për kërkimet shkencore gjuhësore është shumë i gjerë. Kështu ai u mor: me çështje të drejtshkrimit të shqipes, me kulturën e gjuhës, me çështjen e kalkeve gjuhësore, sidomos nga serbokroatishtja në shqipen, me purizmin gjuhësor, me historinë e gjuhës, me studimin e dialekteve të shqipes, me leksikologjinë, me onomastikën, me standardizimin e gjuhës shqipe etj. Me rëndësi të veçantë është kontributi shumë i madh i prof. Ajetit në fushën e kërkimeve të transferencave e të interferencave të ndërsjella gjuhësore të shqipes me gjuhët sllavojugore, sidomos me serbokroatishten.
Studiuesi i njohur i problematikës së ndërndikimeve gjuhësore të shqipes dhe të serbokroatishtes, prof. Murat Blaku tumir mendimin e prof. E. Çabej sipas të cilit
“I. Ajeti është sot pa dyshim një ndër njohësit dhe studiuesit më të shquar të marrëdhënieve gjuhësore ndërmjet shqipes dhe gjuhëve sllavojugore. Ka kohë që ai ka krijuar në këtë fushë kërkimesh një individualitet të formuar e sovran me autoritet të njohur e të formuar shkencor” (E. Çabej, Studime gjuhësore VII, Prishtinë, 1986, f. 182).
Siç shihet edhe nga konstatimi i sjellë, njohuritë e gjera dhe të thella shkencore të prof. I. Ajetit rreth bashkëtakimeve dhe ndërndikimeve të shqipes me gjuhët sllavojugore u vlerësuan shumë lart nga studiues të spikatur albanologë e ballkanologë si p.sh.: Eqrem Çabej, Murat Blaku, Latif Mulaku, Hilmi Agani, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Mahir Domi etj.
Njohës i thellë jo vetëm i dukurive historike, fonetike, morfologjike, dialektore etj., por edhe i faktorëve sociolinguistikë dhe jashtëgjuhësorë si p.sh.: etnologjikë, sociokulturorë, politikë etj. prof. Ajeti, nga drita e të dhënave shkencore, vuri re dhe hodhi poshtë pretendimet pseudoshkencore të disa autorëve sllavë si p.sh. të Selishçevit e të ndonjë tjetri (I. Ajeti, Studije iz istorije albanskog jezika, Pristina, 1982, s. 9) sipas të cilave nuk mund të flitet për ndikimin e shqipes në gjuhët sllave me të cilat gjuha shqipe ishte në kontakt.
Mendimi i prof. Ajetit, i mbështetur në të dhënat linguistike, onomastike e historike, por edhe në shkencat e tjera si dhe në faktorët sociokulturorë përkitazi me rolin dhënës të shqipes, është pranuar edhe nga studiues shumë të njohur dhe të afirmuar të gjuhësisë ballkanike dhe indoeuropiane jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj si p. sh.: Herik Bariçi, Petar Skoku, Ivan Popoviçi etj., të cilët gjetën shumë fjalë të shqipes në serbokroatishte, bullgarishte e maqedonishte. (Murat Blaku, Ndikimi i shqipes mbi të folmet serbe të Kosovës, Prishtinë, 2010, f. 27-28.)
Duke e ndjekur më tej këtë fushë studimi me objektivitet dhe me kompetencë të bazuar shkencore, vetëm në Fjalorin e Glisha Elezoviçit (Aty, f. 34) prof. Ajeti gjeti rreth treqind fjalë e shprehje të shqipes.
Praninë e albanizmave në të folmet serbe të Kosovës si dhe në të folmet maqedonase në Maqedoni e kishte parë dhe dëshmuar me të dhëna burimore edhe studiuesi Ivan Popoviçi, sipas të cilit mund të gjendet një pasuri leksikore prej rreth një mijë fjalësh.
Edhe prof. E. Çabej me të drejtë e kishte vënë re mbëhinë e hulumtimit të ndikimit të shqipes në gjuhët sllave me të cilat ishte në kontakt. Ai vlerësonte se kjo problematikë meritonte vëmendjen e studiuesve si një fushë e parrahur sa duhet dhe me interes shkencor. Sipas Çabejt, ndërlidhja e shqipes me gjuhët në simbiozë, duhej të ndiqej nga dy pikëpamje: 1. transferencat gjuhësore të gjuhëve fqinje në shqipen dhe 2. depërtimi i njësive gjuhësore të shqipes në këto gjuhë.
Madje Çabej konsideronte se pikëpamja e dytë shënonte një kundrim të ri, i cili nuk ishte i njohur sa duhej në shkencën e gjuhësisë dhe, nëse nuk hulumtohet roli dhënës i shqipes, Çabej do të shkruajë: “…një histori e gjuhës shqipe do të dilte mjaft e njëanshme…”(E. Çabej, Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1976, f. 71) sepse është e pamundshme që, gjuhët në kontakt me shqipen, të mos kenë pësuar ndikim nga njëra nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit siç është shqipja.
Por, është e kuptueshme se kjo vërtetësi nuk mund të tumirej nga disa qarqe pseudoshkencore që, për arsye politike, mohonin shqipen si gjuhë të vjetër dhe prejardhjen ilire të saj, kurse sa për ndikimin e shqipes në gjuhët fqinje, sipas këtyre burimeve shkencërisht inekzistente, as që mund të shtrohej diskutimi.
Hulumtimet dhe arritjet shkencore të prof. Ajetit dhe të disa studiuesve të tjerë rreth temës në trajtim dëshmuan të kundërtën: shumë fjalë, shprehje frazeologjike, urime etj. të shqipes kanë hyrë në gjuhët në kontakt me shqipen.
Do vënë në dukje se ndikimi i kulturës shqiptare te popujt e tjerë është parë edhe në fusha dhe në veprimtari të tjera si: në folklor, në etnografi, në besimet popullore, në rite të ndryshme, në veshjet popullore etj.
Akademik I. Ajeti është pjesëmarrës me kumtesa, referate e koreferate në një numër të madh sesionesh, simpoziumesh dhe konferencash shkencore të nivelit kombëtar e ndërkombëtar që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme të gjuhësisë shqiptare, shumë nga të cilat u mbajtën nën përkujdesjen dhe drejtimin e prof. Ajetit.
2. Në krye të institucioneve më të larta shkencore e politike
Me kapital të gjerë kognitiv të zhvillimeve arsimore e shkencore të kohës, studiues me bazë të gjerë diturore i disiplinave të ndryshme të linguistikës, vështirë i përsëdytshëm deri më sot, s’është habi që I. Ajetit do t’i takojë merita që vite të tëra të gjendet në ballë të institucioneve më të larta shkencore e arsimore të Kosovës si p.sh.: dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, rektor i Universitetit të Prishtinës, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetar i Kuvendit të Kosovës etj. Në të gjitha këto vende drejtuese u dallua me rezultate të mëdha shkencore dhe e avancoi zhvillimin e shkencave të gjuhësisë shqiptare.
Në vitet e tetëdhjeta dhe në vijimësi më pas, kur nga Akademia e Shkencave e Serbisë, në mënyrë të organizuar, dolën në skenë të hapur tendencat pseudoshkencore e antishqiptare që mohonin historinë burimore, gjuhën e kulturën shqiptare, akademik I. Ajeti, si përmes shkrimesh, ashtu edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në takimet e ndryshme shkencore, me forcën e argumenteve të pamohueshme shkencore, i doli zot prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe burimit të gjuhës shqipe nga ilirishtja.
Konstatimet e këtilla i pasqyroi edhe në një konferencë “shkencore” në Beograd nga fundi i viteve të tetëdhjeta që më shumë ishte politike e në të cilën trajtohej çështja e Kosovës me ç’rast, një politikan serb tha: “Duhet të jesh specialist i linguistikës që ta kuptosh referimin e Idriz Ajetit”.
Qe dhe mbeti themelvënës i krijimit dhe i zhvillimit të studimeve të albanistikës në Kosovë e më gjerë, i shquar nga akribia shkencore kognitive e kompetitive, e cila i siguroi vend të përhershëm nderi në elitën e shkencëtarëve më të ndritur arritjesh risimtare.
Kundruar nga kjo pikëpamje, për kompetencën e lartë shkencore-gjuhësore të prof. Ajetit, vlen të spikatet posaçërisht një fakt: vështirë të rastisë, shumë vështirë të gjendet ndonjë studiues që, në moshën njëqindvjeçare, do të jetë në gjendje të hartojë tekst metaforik të një ekspresiviteti stilistikisht kaq të lartë, semantikisht kaq domethënës dhe estetikisht aq mbresues e përjetues.
Si dëshmi të këtij konstatimi, po sjell disa fjali të prof. Ajetit, të cilat i referohen gjuhës shqipe në fjalimin e shënimit të njëqindvjetorit të lindjes së tij (më 27 janar 2017). “… e nisa pikërisht me gjuhën shqipe, dashuri imja e pashterur, e pashuar dhe e përjetshme”.
“… sa i pafund është thesari i saj. Sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një-të përbashkët, të plotë”.
“… me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara dhe për t’i bërë bashkë ato…”.
Sikundër mund të shihet, akademik Ajeti përdori një stil të përmbledhur: fjali të shkurtra nga ndërtimi, por të gjata, shumë të gjata nga kuptimi, stil shkencor të veshur me art.
Ideja “për t’i gjetur copëzat e shpërndara (d.m.th. të gjuhës shqipe) dhe për t’i bërë bashkë ato, siç e tha studiuesi ynë, qe ideal gjithëkombëtar i shumë e shumë studiuesve, krijuesve e veprimtarëve të mëdhenj që u flijuan për sendëtimin e programit nacional të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në të cilin gjuha shqipe qëndronte në krye të vendit. Zhvillimin e mëtejshëm të këtij programi e ndoqi dhe e shpuri përpara edhe prof. Ajeti.
Implikatura e këtij citati metaforik ngre lart stilin e autorit, artëson e fuqizon gjuhëzimin e mendimit; ajo nënkupton se një ditë edhe pjesët e kombit, detyrimisht të ndara, do të bëhen bashkë ashtu siç u bë gjuha shqipe. Përpjekjet e vazhdueshme për ta bërë një (gjuhë) të përbashkët qenë përkushtim jetësor i prof. Ajetit dhe i shumë albanologëve e studiuesve të tjerë.
Akademik Ajeti la pas edhe thënie prej mendimtari të thellë me vlerë të përhershme domethënëse si p. sh.: “Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim…” “Shteti i Kosovës ndërtohet me vizion dhe me durim”.
Gjuha shqipe do të pasurohet, por “pa e trandur themelin e saj”. E të tjera.