Inaugurohet Akademia e Edukimit “Hello” në Gjilan
Në Komunën e Gjilanit është inauguruar objekti i ri i Akademisë së Edukimit “Hello”.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, së bashku me pronarin e kësaj akademie, Florian Kurteshi, pasi kanë prerë shiritin e objektit të ri, kanë përgëzuar për suksesin e jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve evropiane për edukim cilësor. “Kjo qendër për një kohë shumë të shkurtër ka arritur të dëshmoj sukses jashtëzakonisht të madh dhe jo rastësisht në ditën e çlirimit të Gjilanit e kemi shpërblyer me mirënjohje. Urime pronarëve, fëmijëve dhe prindërve për këtë objekt me kushte evropiane për edukim”, ka thënë Haziri.
Kryetari Haziri ka shfaqur besimin se nga kjo shkollë do të dalin nxënës me përgatitje të lartë, të cilët në të ardhmen do të profilizohen për t’i shërbyer Gjilanit dhe Kosovës në shumë fusha të shkencës.
Ndërsa drejtori i Akademisë së Edukimit “Hello”, Florian Kurteshi, ka bërë me dije se objekti i ri ka 5 400 metra katror hapësirë të brendshme dhe 7 500 metra katror oborr, duke u mundësuar fëmijëve të ciklit fillor dhe atij parashkollor kushte evropiane për nxënien e dijes.
/Epoka e re/