Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë
Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inauguruar bustin e heroit kombëtar, Hasan Prishtina në Tropojë, ngjarje e cila është organizuar në nderim të Ditës së Flamurit.
Me këtë rast është thënë se heroi kombëtar, Hasan Prishtina, ishte udhërrëfyes i gjeneratave ndër vite, duke filluar nga Ukshin Hoti e deri të ish-ushtarët e UÇK-së.
Mehmet Prishtina, kryetar i Fondacionit “Hasan Prishtina”, ka thënë se është realizuar një qëllim i kamotshëm që të rikthehet pranë Bajram Currrit edhe figura e kolosit shqiptar, Hasan Prishtina.
Ai ka thënë se Curri dhe Prishtina kanë luftuar derisa kanë vdekur për të njëjtën kauzë.
“Sot është një ditë e bekuar sepse edhe moti po na përcjellë me diell sikur po na ngroh zemrat tona sepse arritëm që ta rikthejmë kolosin tonë, heroin kombëtar, Hasan Prishtina, kryeministrin e tetë të Shqipërisë, një figurë e cila flet vet dhe jo rastësisht këtu krahas heroit Bajram Currit, sepse ata jetuan, luftuan dhe derisa vdiqën së bashku për të njëjtën kauzë, për qëllimin e bashkimit të kombit shqiptar. Këtu ka qenë një ëndërr e kamotshme dhe një porosi e babait tim që mos të merrem me figurën e tij sepse ishim në luftë dhe vdiq dhe siç thoshte ai ‘unë jam i pashkollë’ por i kemi figurat që peshojnë rëndë në sallën e historisë, andaj të merresh me Hasan Prishtinën”, ka thënë Prishtina.
Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak të Tropojës, Arber Çakraj ka thënë se Hasan Prishtina ka përfaqësuar lëvizjet kombëtare për liri dhe pavarësi, si dhe ka organizuar kryengritje shqiptare.
Ndërsa, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, ka thënë se është rritur duke mësuar për figurën e Hasan Prishtinës.
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se Hasan Prishtina ka ditur që t’i përfaqësojë gjitha trojet shqiptare edhe në Parlamentin turk.