Inaugurohet fillimi i punimeve në zgjerimin e rrugës ‘Rrethrrotullimi Besi-Podujevë’
Në Gllamnik të Podujevës sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka inauguruar fillimin e punimeve të rrugës nacionale N 25, “Rrethrrotullimi Besi – Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik”.
Ministri Lekaj ka thënë se janë duke filluar një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me këtë komunë përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto rreth 5 milionë euro.
Ai ka bërë me dije se punët në zgjerimin e kësaj rruge do të kryhen për 200 ditë.
“Për mua si ministër dhe bashkëpunëtorët e mi, ky është një projekt i veçantë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do ta fillojmë për Mitrovicë dhe mund të them që jam mjaftë i lumtur që ne po implementojmë me përpikëri të gjitha ato projekte që kanë fjetur për vite të tëra”, ka thënë Lekaj.
Ministri Lekaj ka thënë se brenda këtij viti do të vazhdojmë edhe me llotet tjera, sapo të përfundojnë procedurat që duhen ndjekur.
Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Evropë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidhë Kosovën me botën e jashtme.
/Epoka e re/