Inaugurohet nënstacioni Ferizaj 3, Rizvanolli: Një investim strategjik që do të ketë ndikim të madh në të ardhmen
Është inauguruar nënstacioni i ri Ferizaj 3, me kapacitet 110/35/10 kV.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ndërtimi i nënstacionit Ferizaj 3 është një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e angazhimit tonë për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.
“Ky projekt reflekton vizionin tonë për të fuqizuar zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Ky është një investim strategjik që do të ketë ndikim të madh për shumë vite në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i bordit të drejtorëve të KOSTT, Gëzim Tosuni, ka thënë se “sot, ne shohim frytet e punës së palodhshme dhe vizionit tonë për të përmbushur kërkesat në rritje për energji elektrike në Kosovë”.
“Nënstacioni Ferizaj 3 do të jetë një shtyllë kyçe për stabilitetin dhe sigurinë energjetike, duke sjellë përfitime të mëdha për mijëra qytetarë dhe biznese”, ka thënë Tosuni.
Në anën tjetër, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri, ka theksuar se inaugurimi i nënstacionit Ferizaj 3 është “një dëshmi e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm, modern dhe efikas në transmisionin e energjisë elektrike”.
Nënstacioni i ri Ferizaj 3 siguron furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 12 000 konsumatorë, zgjidhje të problemeve me mbingarkimin dhe reduktimin e humbjeve teknike në rrjet, shkarkim i ngarkesave në NS Bibaj, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në Komunën e Ferizajt, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Brezovicës, ulje të energjisë së padërguar deri në 780 MWh/vit dhe reduktim të emetimeve të CO2 me 4.95 kiloton/vit. Ky projekt kap vlerën totale prej 6.8 milionë euro.