Inaugurohet Njësia e kujdesit intensiv në QKUK (Foto)
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është inauguruar Njësia e kujdesit intensiv, e cila është e rinovuar, pajisur me pajisje mjekësore dhe i është instaluar nënstacioni i pavarur i gazrave medicinale.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismajli, ka thënë se shërbimi intensiv është i gatshëm për ofrimin e shërbimeve profesionale.
“Reparti i shërbimit intensiv për vite me radhë ka pasur më shumë kërkesa sesa që ka mundur t’i përballojë. Me vetëm 14 shtretër dhe pa infrastrukturë të duhur, kjo njësi e kujdesit dhe monitorimit 24 orësh për jetën e pacientëve ka qenë kokëçarje e sektorit shëndetësor. Fatkeqësisht, jo rrallë historitë e qytetarëve tanë kanë pasur edhe fund të hidhur, si pasojë e mungesës së shtretërve në Intensivë. Sot, jam shumë i lumtur që kësaj historie i erdhi fundi”.
“Me 27 shtretër, e pajisur me aparaturë moderne, me staf të shtuar profesional, është i gatshëm shërbimi i ri intensiv në QKUK. Falënderoj Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për investimin 2 milionë eurosh në këtë repart, i cili do të mundë të trajtojë mbi 1000 pacientë gjatë vitit, dyfishin e numrit të deritanishëm. Shpresoj që qytetarët tanë të kenë sa më pak nevojë për këtë repart, mirëpo është detyrë dhe obligim i yni që t’u gjendemi pranë kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/