Inaugurohet Qendra BogdaniPolis në katedralen “Shën Nënë Tereza”

13 prill 2019 | 14:51

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë sot në inaugurimin e Qendrës BogdaniPolis në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Haradinaj me këtë rast, ka deklaruar se të gjithë qytetarët i janë gëzuar ndërtimit të Katedrales në Kosovë dhe e kanë përjetuar me gëzim qysh në fillim, duke thënë se është nder për të që në emër të Qeverisë të marrë pjesë në shtëpinë e popullit të Kosovës dhe të pritet nga Ipeshkivi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Haradinaj, duke falënderuar përfaqësuesin e organizatës “Renovabis”, Burkhard Haneke, tha se Kosova dhe populli shqiptar kurrë nuk e harron nderin.

“Në emër të popullit të Kosovës falënderoj “Renovabis” për krejt kujdesin që ka bërë për këto 20 vjet për popullin e Kosovës”, tha Haradinaj, duke kërkuar që kjo ndihmë të vazhdojë edhe më tutje.

Po ashtu kryeministri tha se Qendra BogdaniPolis është një adresë e rëndësishme në vendin tonë, edhe shpirtërore, kulturore, por edhe e dijes.

“Ne në Kosovë kemi disa të meta, bëjmë edhe gabime. Te besimtarët e krishterë rrëfimi është mundësi për ta rimarrë mundësinë për t’u kthyer në sukses, në punë, në të drejtën. Ne nuk duhet të zhgënjehemi nga gabimet tona, nga të metat, por duhet të shërbejnë për ne si mundësi e rinisjes”, ka deklaruar ai, duke shtuar se është i vetëdijshëm se ka shumë detyra në vend për një jetë siç e bëjnë qytetarët në Gjermani, Austri dhe në vendet tjera, por tha se atë nuk mund të na bëjnë të tjerët, por duhet ta bëjmë vetë.
“Haradinaj me këtë rast i ka dhuruar Imzot Dodë Gjergjit dhe Burkhard Haneke nga organizata “Renovabis” librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak koha nga marrja e vendimit për hapjen e negociatave…