Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj
Ferizaj është bërë me qendrën e parë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, e po ashtu edhe në përkrahjen e të rinjve nëpërmjet teknologjisë informative.
Në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre të premtën, ministri i Inovacionit dhe Ndermarrësië, Besim Beqaj, ka deklaruar se Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj do të jetë një dritare e së ardhmes për rininë që garanton perspektivë zhvillimore ekonomike dhe sociale në qytetin e Ferizajt dhe rrethinën.
“Kosova është një nga vendet më të reja të Evropës, me një pjesë në rritje të popullsisë në moshë pune dhe të edukuar në masë të madhe, ky fakt, përbën një avantazh konkurrues në raport me ndryshimet globale ekonomike që po ndodhin. Misioni im është që Kosova të jetë qendër rajonale e zhvillimit digjital dhe teknologjik”, u shpreh Beqaj.
Sipas tij, ndërmarrësia është garantuese e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik duke u bazuar në ekonominë e dijes dhe shfrytëzimit të teknologjisë.
“Ne kemi rini kreative, me ide të shkëlqyera biznesore, që lexojnë të ardhmen drejtë dhe ofrojnë zgjidhje për problemet komplekse”, theksoi Beqaj.
Ministri Beqaj tha se përparimet në fushën e inovacionit dhe ekonomisë digjitale, janë si rezultat i programeve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e të cilat shihen edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, sipas ministrit Beqaj, synon të inkurajojë inovacionin, ndërmarrësinë dhe zhvillimin e suksesshëm të biznesit.
“Qendra do të fokusohet në inkubim, trajnime, hulumtim dhe zhvillim, mentorim dhe konsulencë, hapësirë e përbashkët e punës, takime dhe konferenca, B2B dhe projekte donatorësh”, tha ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre, ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, KadriVeseli
Ndryshe, Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizaj.
/Epoka e re/