
Inaugurohet sheshi ‘Erhard Busek’ në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë kanë marrë pjesë në inaugurimin e sheshit “Erhard Busek”, pranë Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet.
Me këtë rast, Rama ka thënë se emërtimi i këtij sheshi është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm diplomatik në rajon.
“Sot, bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, inauguruam Sheshin Erhard Busek, pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky vendim u miratua në unanimitet në Kuvendin Komunal, duke treguar vlerësimin e përbashkët për figurën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Emërtimi i këtij sheshi është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm diplomatik në rajon. Ai ishte një mik i madh i vendit tonë dhe një zë i fuqishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkan. Me këtë shesh, ne jo vetëm që nderojmë trashëgiminë e tij, por edhe forcojmë lidhjet mes dy shteteve tona, duke ruajtur kujtimin e një miku të madh të Kosovës”, ka shkruar Rama në “Facebook”.