Inaugurohet Shkolla Kombëtare e Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit
Të premten është inauguruar Shkolla Kombëtare e Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ishte i ftuar si një nga folësit kryesor në këtë ceremoni.
Në fjalën e tij, ai tha se digjitalizimi padiskutim po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe se roli dhe potenciali i tij nuk mund të kontestohen në vitin 2023.
Kurti shprehu përkushtimin e qeverisë në përdorimin e teknologjisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë.
“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Shkolla Kombëtare e Kërkimeve, sipas kryeministrit, është një bllok i rëndësishëm ndërtimi i progresit që synojmë të krijojmë dhe se programi do të ndihmojë në zhvillimin e ideve inovative që kanë potencial për të krijuar produkte, biznese dhe vende pune të reja dhe për këtë arsye do ta udhëheqin këtë vend drejt hapave transformues.