Inaugurohet shtëpia e të moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Suharekë
Në fshatin Gjinoc të Suharekës sot është bërë inaugurimi i Shtëpisë për të Moshuarit “Jetimat e Ballkanit”, me ketë rast drejtuesi i Shoqatës Humanitare, Halil Kastrati ka bërë dorëzimin e çelësave edhe për dy banorët e parë të kësaj shtëpie.
Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tregoi se ideja për ndërtimin e kësaj shtëpie i erdhi kur e gjeti të vdekur një të moshuar për të cilin ishin duke u përkujdesur.
“Sot jam me plot emocione dhe nëse gaboj në fjalimin tim mos ma zini për të madhe. Ky ka qenë projekti i jetës time. E falënderoj Zotin dhe juve për realizimin. Gjatë kësaj dekade të veprimtarisë tonë bamirëse si shoqatë dhe si person jam përballur me situata të ndryshme qoftë ekonomike, shëndetësore dhe sociale të qytetarëve anë e kënd Kosovës”.
“Prekëse, rrëqethëse dhe të pakapërdishme janë rrëfimet e të moshuarve tanë që nuk kanë shijuar mundësinë të jenë prindër”.
“Po i ndaj dy momente që ishin vendimtare që të mendoj për një projekt si ky. Ne përkujdesemi për të moshuar pa përkujdesje dhe çdo muaj i furnizojmë me gjëra ushqimore. Njërin nga pleqtë që e vizituam kishte ndërruar jetë pa e parë askush dhe me sy hapur. E një tjetër më tha “ti ke ledhatuar shumë jetimë dhe më lejo të t’i puth duart”. E falënderoj Zotin dhe të gjithë donatorët që ma mundësuan që unë të ledhatoj kokën e të moshuarve”, ka deklaruar Kastrati.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se do të vazhdojnë të mbështesin të moshuarit banues të këtij objekti.
“Si institucione e kemi për obligim përkrahjen institucionale. Interesimi ynë ka vazhduar me mbështetjen shëndetësore. Do t’i marrim këto obligime dhe përkrahjen ta vazhdojmë që ata që qëndrojnë në këtë shtëpi të kenë përkujdesin shëndetësor”, ka thënë Zemaj.
Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili mori pjesë në hapjen e shtëpisë së të moshuaruve në Suharekë, ka thënë se Halil Kastrati, me të gjitha veprat e tij, por veçanërisht me ketë projekt të fundit, i ka dhënë shembull të gjithëve, edhe politikës.
Shtëpia e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” ka 13 mijë metra katror, me një sallë të ushqimit që do të ofrojë tre shujta në ditë, ushqimet për banorë do të gatuhen sipas gjendjes shëndetësore por edhe dietave të përcaktuara nga stafi mjekësorë, kuzhina ka kapacitet për të ushqyer 250 persona.
Në Shtëpinë e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” janë 80 dhoma gjumi, gjashtë prej dhomave janë familjare.
Po ashtu, në katin e parë gjendet reparti mjekësor i cili do të jetë në shërbim 24-orë me mjekë të posaçëm për secilën fushë.