
Incident detar: Anija turke qëllon me armë drejt anijes patrulluese greke
Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në ujërat territoriale greke, ku një mjet lundrues turk ka hapur zjarr ndaj një anijeje të rojes bregdetare greke.
Ngjarja ndodhi rreth orës 8 me orën lokale greke në afërsi të ishullit Lesbos, kur një anije patrulluese greke ka kërkuar të ndalojë dhe kontrollojë një mjet lundrues të dyshuar turk.
Mediat greke raportojnë se ndërsa anija patrulluese i është afruar anijes turke, prej kësaj të fundit është qëlluar me armë kallashnikov.
Të gjendur nën breshërinë e armëve, forcat patrulluese greke i janë kundërpërgjigjur të shtënave me zjarr. Kjo ka bërë që anija turke të tërhiqet, duke kaluar fillimisht në ujërat ndërkombëtare dhe më pas në territorin detar turk.
Mediat helene raportojnë se nga ekuipazhi i grek nuk ka pasur të lënduar, ndërsa mjeti lundrues i Rojes Bregdetare është kthyer në port me gjurmë plumbash.
Dyshohet se anija turke kishte transportuar në ishullin grek rreth 30 emigrantë të paligjshëm, ndaj trafikantët nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen kontrollit dhe kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar drejt mjetit lundrues të rojës bregdetare greke.