Incidenti që kulmoi me pushtimin e Shqipërisë
Nga: Ilir Ikonomi (Pjesë nga libri “Pushtimi: Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar”)
Zoti Sekretar i Shtetit,
Mund të thuhet se pushtimi italian i Shqipërisë dhe rrëzimi i Mbretit Zog nga froni, ishin akti kulmor që erdhi pas një incidenti me organizatorin fashist italian të rinisë, komandantin Giovanni Giro.
Giroja ishte një ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Fashiste në Romë. Ai intrigoi kundër Mbretit Zog, duke u hequr se kishte ardhur në Shqipëri për organizimin e rinisë shqiptare në linjat fashiste. Giroja bashkëpunoi me disa shqiptarë, si Jak Koçi, anëtar i Parlamentit dhe mik i Mbretit, i cili me sa duket u pagua nga italianët për shërbimin e bërë.
Pak më vonë, komploti kundër Mbretit u denoncua nga njëri prej krerëve malësorë të Madhërisë, i cili thuhet se kishte marrë një shumë të madhe parash nga Giroja. Zogu mobilizoi menjëherë rezervistët e ushtrisë, dëboi Giron, dëboi edhe Koçin nga Shqipëria.
Këto ngjarje ndodhën rreth mesit të shkurtit 1939. Ato shënuan fillimin e fundit të regjimit të Zogut, ndonëse në të vërtetë ishin hallkat përfundimtare në zinxhirin e gjatë të marrëdhënieve italoshqiptare, të cilat ishin farkëtuar nga Italia hap pas hapi, gjatë një periudhe shumëvjeçare
Për këtë zinxhir, në dosjet e Departamentit të Shtetit gjenden shumë kabllograme, telegrame sekrete dhe raporte të dërguara nga kjo legatë. Unë do të shtoj vetëm disa komente, megjithëse objektivi im kryesor është të hartoj për arkivin e Departamentit një rrëfim kronologjik të ngjarjeve kryesore që lidhen me pushtimin italian të Shqipërisë, me rrëzimin e qeverisë së Mbretit Zog dhe me vendosjen e regjimit italian, ashtu siç e dëshmova me sytë e mi në cilësinë e shefit të misionit amerikan në Shqipëri.
Tensioni politik pas dëbimit të komandantit Giro në shkurt, vazhdoi edhe gjatë muajit mars. Në qarqet zyrtare ekzistonte një frikë dhe ankth i fshehtë për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, kjo mendohej se ishte pjesërisht rrjedhojë e tensionit të përgjithshëm në krejt Europën, që erdhi për shkak të krizës çekosllovake në shtator, të gjendjes së pasigurt në Spanjë, të kërkesave italiane ndaj Francës dhe më në fund të pushtimit nga Hitleri të Çekosllovakisë më 14 mars dhe të ultimatumit gjerman për territorin Memel (të Lituanisë) më 22 mars. Dëbimi i Giros erdhi pas atij që u quajt komplot komunist kundër qeverisë shqiptare më 10 shkurt, me shpalljen fajtorë dhe dënimet me burgim të 50 shqiptarëve. Në një atmosferë të tillë ishte e pritshme që thashethemet, të cilat gjithnjë qarkullojnë në Shqipëri, të shtoheshin ndjeshëm.
Megjithatë, në këtë periudhë për të cilën po flasim, sidomos gjatë ditëve të fundit të marsit, dukej më e vështirë se sa zakonisht për t’u gjetur zanafillën fakteve që lidheshin me gjendjen në vend. Zyrtarët shqiptarë, të njohur për metodën orientale të fshehjes së kartave, ishin bërë më misteriozë se zakonisht. Ishte praktikisht e pamundur të nxirrje gjësendi prej tyre. Ata flisnin tërë ditën për banalitete dhe i shmangeshin me marifet çdo pyetjeje të drejtpërdrejtë që lidhej me politikën shqiptare.
Sidomos gojëkyçur ishte ministri i Jashtëm, Ekrem Libohova, i cili prej një kohe të gjatë shihej gjerësisht si italofil. Për shembull, më 3 prill, katër ditë përpara zbarkimit të trupave italiane, Libohova i tha ministrit të Turqisë gjatë një takimi në mesnatë, se “në negociatat mes qeverive shqiptare dhe italiane po diskutoheshin vetëm çështje ekonomike.” Mirëpo, një ditë përpara, të dielën më 2 prill, ministri i Italisë, Jacomoni, që sapo ishte kthyer nga Roma, i kishte dorëzuar Mbretit Zog një projekt, të cilin, siç doli më vonë, Mbreti e kishte hedhur poshtë me arsyen se ai e kthente Shqipërinë në një protektorat. Ndërkohë, konsulli italian në Vlorë kishte njoftuar publikisht se trupat italiane do të zbarkonin në Shqipëri në 4 ose 5 prill.
Pohimi më pranë së vërtetës që munda të nxjerr nga ministri i Jashtëm, kur ai iu përgjigj pyetjes sime konkrete, nëse Italia kishte kërkuar protektorat mbi Shqipërinë, ishte deklarata që m’u bë të hënën më 3 prill në orën 16:30: “Nuk është e vërtetë se Italia ka kërkuar protektorat mbi Shqipërinë deri në këtë çast.”
Nga ana tjetër e gardhit të negociatave italo-shqiptare, ministri italian, Jacomoni, në një bisedë që kishte patur të njëjtën ditë, pra më 3 prill, me partnerin e tij të Boshtit, ministrin gjerman, von Pannwitz,82 kishte mohuar kategorikisht se italianët kishin plane për të zbarkuar në Shqipëri, ose për të krijuar një protektorat, apo se ata kishin bërë ndonjë ultimatum ose kërcënim ndaj Shqipërisë. Këtë pohim ma bëri vetë von Pannwitz. Siç vura në dukje më sipër, gjatë pjesës së fundit të marsit, pati shumë thashetheme dhe shenja se, në diskutim e sipër ishin një numër çështjesh të rëndësishme që lidheshin me marrëdhëniet italo-shqiptare. Zoti Jacomoni bëri disa udhëtime në Romë.
Të hënën, më 20 mars, ditën pasi Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia Sovjetike kishin dënuar pushtimin e Çekosllovakisë nga Hitleri, nga radiostacioni i Romës u dëgjua një mohim zyrtar i zërave se Shqipëria do të pushtohej së shpejti ushtarakisht nga Italia, gjë që ia raportova Departamentit. Atë ditë kisha lënë një takim me ministrin e Jashtëm Libohova, por takimi u shty nga ministri për të martën në orën 16:30, pastaj për në 17:30. Njëzet minuta pasi kishte filluar biseda, kur po e pyesja ministrin për gjendjen, Libohova mori një telefonatë, me të cilën e njoftonin të paraqitej menjëherë te Mbreti. Siç doli më vonë nga komunikata zyrtare që nxori qeveria shqiptare më 6 prill, pikërisht në këtë kohë, ministri italian ( Jacomoni) i kishte propozuar gojarisht Mbretit Zog lidhjen e një traktati të ri aleance mes Italisë dhe Shqipërisë, i cili, siç u tha, do të kishte përbërë një shkelje të tërësisë dhe pavarësisë së Shqipërisë” (një kopje e përkthimit të kësaj komunikate është bashkëngjitur).
Më 30 mars, një shkrimtare angleze me banim në Elbasan, Margaret Hasluck (Margaret Hasllak), erdhi në Legatë për t’u ndarë me mua dhe me zonjën Grant. Ajo tha se ishte këshilluar nga ministri i Brendshëm Musa Juka që ta linte Shqipërinë.
Po atë pasdite, ministri i Britanisë, Sër Andrew Ryan (Endrju Rajën), legata e të cilit është në Durrës, erdhi të më takonte dhe më tha se një tjetër shtetase britanike, zonja Ruth Mitchell (Ruth Miçell), motër e gjeneralit të ndjerë “Billy” Mitchell, njeri me emër në ushtrinë amerikane, ishte këshilluar po ashtu të largohej nga Shkodra, ku ajo banonte prej një viti. Sër Andrew më tha se ia kishte ngritur çështjen ministrit të Jashtëm, por nuk kishte marrë një shpjegim të kënaqshëm. Libohova thjesht kishte premtuar se do ta hetonte këtë punë.
Ditën tjetër, të premten, më 31 mars, ministri i Francës më informoi se kishte dëgjuar një lajm se Italia i kishte bërë Shqipërisë disa kërkesa, të cilat përbënin ultimatum. Pikërisht atë ditë, gjenerali Zef Serreqi, adjutant personal i Mbretit Zog, ishte nisur për në Romë me “mision të posaçëm” si ministër i ri i Shqipërisë në Itali.
Herët, në mëngjesin e së shtunës, më 1 prill, në përgjigje të një ftese që kisha marrë dy javë më parë, u nisa me automobil nga Tirana për një vizitë të shkurtër në fushat e naftës së Vajgurasit,86 afër Vlorës. Ndërkohë, e kisha udhëzuar korrierin e legatës të hetonte zërat mbi përqendrimin e trupave italiane në Bari dhe të më dërgonte një telegram të koduar për këtë çështje. Kur u ktheva në Legatë mbrëmjen e ditës tjetër, të dielën më 2 prill, gjeta telegramin e koduar të korrierit, ku thuhej se në Bari kishte lëvizje të mëdha trupash.
Mësova gjithashtu se mbrëmjen e një dite më parë kishte patur demonstrata patriotike të studentëve shqiptarë dhe se demonstruesit kishin vizituar disa legata, duke përfshirë edhe atë amerikane, ku kishin thirrur: “Shqipëria e shqiptarëve! Rroftë Shqipëria e lirë! Rroftë liria e gjithë popullit!”
Një orë pas arritjes sime, kontesha Seher-Thoss, kushërirë e Mbretëreshës Geraldine dhe bijë e të ndjerit Henry White, ambasador dhe anëtar i Komisionit Amerikan të Paqes në Paris, mori në telefon zonjën Grant dhe i tha se Mbretëresha, e cila priste çdo orë lindjen e fëmijës, ishte në gjendje të rrezikuar, si pasojë e pushtimit të pritshëm të Shqipërisë nga Italia dhe pyeti nëse mund ta pranonim Mbretëreshën në Legatën Amerikane. Sugjerova që kontesha të vinte vetë në Legatë për ta diskutuar çështjen me ne dhe dërgova automobilin që ta merrte.
Ndërkohë, i telefonova kolegut tim, ministrit grek, dekan i trupit diplomatik, legata e të cilit ndodhet në anën tjetër të rrugës dhe mora konfirmim për faktin se gjendja politike e Shqipërisë ishte bërë papritur mjaft e mprehtë. Ishte mësuar tashmë jashtë çdo dyshimi, se ministri italian i kishte paraqitur Mbretit disa kërkesa që lidheshin me interpretimin e Traktatit të Aleancës Italo-Shqiptare të nëntorit 1927, i cili e lejonte Italinë të zbarkonte trupa në Shqipëri, në rast se kjo do të ishte e nevojshme për të mbrojtur interesat e të dy vendeve. Mbreti Zog, siç u mor vesh, ishte përpjekur t’i shmangej kërkesës për zbarkimin e trupave italiane dhe kishte kundërshtuar prerë çdo lëshim që do të dëmtonte integritetin politik të Shqipërisë dhe të regjimit ekzistues, megjithëse kishte rënë dakord të bisedonte për çështjen e koncesioneve ekonomike. Kërkesat, sipas njoftimit, përfshinin kontrollin e financave shqiptare, të xhandarmërisë, të administratës civile, të ushtrisë, të organizimit të rinisë shqiptare dhe koncesione të minierave.