INDEP dhe BGF: Kriza energjetike është në radhë të parë krizë e vendimmarrjes dhe politikave të munguara

17 dhjetor 2021 | 15:23

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF) kanë shprehur shqetësim me situatën e rënduar energjetike në vend.

Në një reagim për media thuhet se kjo gjendje është pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta në vend për një kohë të gjatë që e kanë lënë Kosovën të varur nga dy termocentrale prej qymyri, të papërgatitur për kriza të tilla dhe pa një shteg të qartë nga e ardhmja.

“Është jashtëzakonisht e padrejtë që nga kjo situatë të dëmtohet konsumatori me paralajmërime për shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike apo t’i bëhet thirrje që të mos ngrohet në muajt e ftohtë të vitit. Nevojiten veprime urgjente para fjalëve dhe deklarimeve dhe dorë e ndihmës së shtetit para gjuhës fajësuese ndaj qytetarëve!

Kriza e çmimeve të importit të energjisë dhe rëniet e papritura të blloqeve të termocentraleve ekzistuese po shpërfaqin problemet e kamotshme të sistemit energjetik në vend. Kosova po lëngon nga mungesa e investimeve që do të diversifikonin prodhimin dhe miksin energjetik, e cila do të mundësonte ofertën e brendshme më të lirë dhe të përballueshme për qytetarët”, thuhet në reagim.

INDEP dhe BGF theksojnë  se për së paku katër vitet e fundit kanë bërë thirrje që të reformohet skema mbështetëse për burime të ripërtëritshme të energjisë dhe të investohet në programe konkrete të efiçiencës së energjisë.

“Mos miratimi i Ligjit për Burime të Ripërtritshme sivjet dhe mos shpallja e ankandeve të para për investime në BRE, kanë bërë që ne ende të varemi me mbi 90% nga prodhimi i energjisë nga qymyri.

Edhe skema mbështetëse për qytetarët që vendosin të investojnë në panele solare është e mangët dhe e pamjaftueshme! Sa pako të rimëkëmbjes janë bërë e nuk është paraparë subvencionimi i paneleve solare për qytetarët që do të ulnin kërkesën për energji dhe do të rrisnin mikro- prodhimin?!”, thuhet në njoftim

Visar Azemi, drejtori ekzekutiv i BGF ka deklaruar se: “Është e domosdoshme të decentralizohet prodhimi nëse duam siguri më të madhe të furnizimit. Sektori i energjisë ka probleme të vjetra te cilat nuk mund të zgjidhen me subvencionime dhe vendime te rastit. Kosova duhet të ndërtojë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, e cila shkon drejt dekarbonizimit të sektorit energjetik. Investimi në efiçiencë të energjisë i cila e ulë konsumin e energjisë duhet të shihet me prioritet”.

“I bëjmë thirrje Qeverisë që në planin afatshkurtër të themelojë Fondin e Konsumatorëve në Nevojë sipas kërkesave të Ligjit për Energjinë Elektrike, pastaj të fuqizojë Fondin e Efiçiencës dhe të ndihmojë qytetarët të përdorin alternativa të ngrohjes. Të dizajnohet një pako e ringjalljes që synon transformimin e sistemeve të ngrohjes, rritje të kursimit dhe rritje të kualitetit të jetës së qytetarëve. Një rimëkëmbje e gjelbër është e vetmja rimëkëmbje e qëndrueshme!

Ne gjithashtu, i bëjmë thirrje ZRRE-së që të rikthejë strukturën tarifore me blloqe në mënyrë që çfarëdo shtrenjtimi eventual i rrymës të mos prekë familjet që nuk mund të përballojnë një shtrenjtim të tillë. Struktura tarifore me blloqe ishte ndryshuar në vitin 2017 dhe ne kishim kundërshtuar këtë proces”. Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi kishte thënë se “Është e rëndësishme të mbahet struktura tarifore me blloqe sidomos për të përballuar kërkesën për energji dhe për të nxitur efiçiencën e energjisë. Është koha që  struktura që promovon efiçiencën të kthehet në mënyrë që të kontrollohet kërkesa për energji dhe të rritet efiçienca”.

Më tej në reagimin e INDEP-it dhe BGF thuhet se kjo krizë energjetike po shpërfaqë krizën e vendimmarrjes së munguar për njëzet vite në sektorin e energjisë.

“Është koha e fundit që Qeveria, ZRRE-ja dhe akterët e tjerë të përshpejtojnë procesin e tranzicionit duke promovuar prodhim më të madh nga burimet e gjelbra, kursim më të madh të energjisë duke investuar në programe të efiçiencës së energjisë që rrisin kualitetin e jetës dhe menaxhim dinamik të kërkesës dhe ofertës për energji. Krizat energjetike kërkojnë masa jo vetëm lehtësuese, por edhe vendime transformuese”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kristi Vangjeli është rikthyer te Tirana, teksa këtë herë nuk…