INDEP-ja: Të mos miratohet ndryshimi dhe plotësimi i për automjete
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë ndryshim-plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.
“Duke përcjellë me vëmendje iniciativën, përmbajtjen dhe pasojat që plotësim-ndryshimi do të sjellë, ne jemi të bindur që votimi i këtij projektligji do ta dëmtojë mjedisin në Kosovë, do t’i dëmtojë përpjekjet për ta përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe do ta rrezikojë sigurinë e qytetarëve në komunikacion. Duke monitoruar tashmë gjashtë vjet punën e Kuvendit të Kosovës, INDEP vlerëson se iniciativa është ndërmarrë pa asnjë analizë në terren të implementimit të ligjit aktual dhe pa të dhëna që mbështesin pretendimet se këto nene nuk po funksiononin”, është thënë në reagimin e INDEP-së.
Ky institut ka njoftuar se ka marrë pjesë në diskutimet gjatë dëgjimit publik në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në lidhje me këtë çështje.
“Kemi dhënë alternativat tona për ta reduktuar koston për qytetarët duke rritur sigurinë e duke respektuar rregullat vendore dhe evropiane në fushën e mjedisit. Ky ndryshim-plotësimi i kërkuar nuk është rezultat i një monitorimi shumëpartiak të implementimit të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete por i një nisme të pabazuar dhe pa argumentuar. Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje eksponenciale në vitet e fundit. Vjetërsia e veturave lidhet ngushtë me sigurinë në trafik dhe studime të shumta kanë dëshmuar se vjetërsia e veturës prej 15 vite e më tepër shton rrezikun për aksident dhe fatalitet për tri herë. Në kohën kur numri më i madh i vdekjeve tragjike vjen nga komunikacioni, rritja e moshës mesatare të veturave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës do të nënkuptojë automatikisht edhe rritje të mëtejme të aksidenteve fatale”, thuhet në reagimin e INDEP-së.
Më tej në reagim theksohet se automjetet e vjetra gjithashtu dëmtojnë mjedisin me shkarkimet e ndotësve të dëmshëm si grimcat, monoksidi i karbonit, dioksidi i sulfurit, dioksidi i karbonit etj.
“Këta ndotës ndikojnë në dëmtimin e kualitetit të ajrit, në rritjen e emisioneve kombëtare të dëmshme për klimën dhe përfundimisht shkatërrojnë shëndetin e popullatës. Kufizimi i vjetërsisë së veturave është një masë e butë që dalëngadalë do të ndikojë në përmirësimin e strukturës së veturave që qarkullojnë në Kosovë. Nëse edhe ky kufizim largohet, ose kufizimi prej dhjetë vitesh bëhet pesëmbëdhjetë, Kosovën do ta mbulojnë vetura me mekanizma të vjetruar filtrimi dhe me ndotje masive. Për më tepër, Kosova është në fazën e hartimit të Strategjia për Ndryshimet Klimatike 2019- 2028. Kjo nismë ligjore është në kundërshtim të plotë me prioritetet që liston kjo strategji dhe mbi përpjekjet kombëtare për të reduktuar emisionet e rrezikshme”, është thënë në reagimin e INDEP-së.
/Epoka e re/