INDEP-ja: Të shqetësuar që ndryshimi i nivelit të pagave po përdoret nga qeveria për qëllime elektorale

30 tetor 2024 | 11:44

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar pasi dje qeveria Kurti ka vendosur që pagat në sektorin publik të rriten nga janari për 55 euro dhe nga korriku edhe për 55 euro tjera.

INDEP-ja ka thekuar se është shqetësuese që partitë politike përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik për qëllime elektorale.

“Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë që, për të disatën herë, partitë politike në Kosovë po përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik për qëllime elektorale. Vendimi i fundit i qeverisë për rritjen graduale të koeficienteve të pagave në sektorin publik dhe reagimet e ngjashme nga opozita janë shembull tjetër i kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht në kohën kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të reja”, është thënë në reagimin e INDP-së.

Më tutje, INDEP-ja ka theksuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtpërdrejtë me vlerën e pagës minimale.

“Në kohën e diskutimit dhe miratimit të Ligjit për Pagat, INDEP kishte argumentuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me vlerën e pagës minimale. Ky model jo vetëm që do të ofronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme, por edhe do të siguronte një lidhje të domosdoshme mes sektorit publik dhe atij privat. Procesi për përcaktimin e pagës minimale, i cili është rezultat i propozimit nga Këshilli Ekonomiko-Social – organ ku përfaqësohen partnerët socialë, përfshirë përfaqësuesit e sektorit privat (odat ekonomike, sindikatat dhe qeveria) është gjithëpërfshirës dhe reflekton një qasje të balancuar që garanton respektim të interesave të të gjitha palëve”, është thënë në këtë reagim.

Sipas INDEP-së,  rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit.

“Rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit. Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve”, është thënë në reagimin e INDEP-së.

INDEP-ja ka thënë se “praktikat e përsëritura të partive politike për të manipuluar me pagat publike gjatë cikleve zgjedhore janë precedent i dëmshëm që minon integritetin e politikave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”.

“INDEP-ja apelon që rritjet e koeficienteve të pagave të jenë produkt i një metodologjie të qartë, transparente dhe të parashikueshme, të mbështetur në indikatorë ekonomikë të mirëfilltë dhe në një qasje të konsultuar me të gjitha palët”, është thënë në këtë reagim.

INDEP-ja ka bërë me dije se koeficientet të harmonizohen me pagën minimale.

“Manovrat politike, që synojnë të shfrytëzojnë ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj kushteve ekonomike për përfitime elektorale, e largojnë fokusin nga politikat afatgjata dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës për qytetarët kërkon një qasje të përbashkët, ku interesi publik dhe mirëqenia ekonomike e të gjithë qytetarëve janë mbi interesat partiake. Për një sistem pagash më të drejtë dhe të qëndrueshëm, INDEP edhe njëherë bënë thirrje për harmonizimin e koeficienteve me pagën minimale dhe për një politikë që bazohet në ligjvënie gjithëpërfshirëse, larg premtimeve të brishta dhe politizimit elektoral”, ka thënë INDEP-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Trepça sonte do të ketë ndeshjen e fundit në…