INDEP: Vendimi i ZRrE-së, i ndikuar politikisht
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e ka vlerësuar si të ndikuar politikisht vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, ky institut ka bërë me dije se zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 kWh dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë.
Sipas INDEP-it subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend.
“Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së. Vendimi i ZRRE-së bie në kundërshtim me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend. Në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 kWh, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin. Zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë”, është thënë në njoftimin e INDEP.
Në reagim thuhet se ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në analizën dhe komentet që INDEP ka dorëzuar në ZRRE.
“I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik. Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist. Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës”, është thënë në reagimin e INDEP-it.